Borxhi publik endet në kufijtë prej 70%, niveli i pranuar për qeverinë është 60%

Borxhi publik endet në kufijtë prej 70%, niveli i pranuar për qeverinë është 60%
“Në vitin 2018, ne targetojmë një reduktim të borxhit publik me rreth 2.5%. Ndërsa në afatin e mesëm ne synojmë të arrijmë të ulim borxhin rreth nivelit 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2021”, ka pohuar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj

Borxhi publik në Shqipëri endet në kufijtë prej 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ndërsa niveli i pranuar për të nga qeveria është ai prej 60%. Duke pretenduar që me uljen e përvitshme të tij, ai të arrijë në nivelin optimal prej vetëm 45% e PBB-së.

Këto janë shifrat më të fundit krahasimore për nivelin aktual të këtij treguesi të rëndësishëm makro-ekonomik, si element kyç i financave publike.

“Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 1.088 miliardë lekë në fund të vitit 2017 ose 69.92% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB)”, citohet në një studim të posaçëm të bërë rreth tij prej organizmit “Open Data”. Duke shtuar se ai thuajse është dyfishuar në vlerë gjatë dekadës së fundit, e duke përmendur si shifër atë prej 0.517 miliardë lekësh në vitin 2007.

Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë dhe Financave pohon se viti 2016 ka shënuar sipas saj edhe uljen e parë të këtij treguesi të rëndësishëm për ekonominë e vendit, që nga viti 2010. Drejtuesi i saj, Arben Ahmetaj ka pohuar se “tashmë është e sanksionuar edhe me ligj, se çdo qeveri jo vetëm që nuk mund të rrisë borxhin publik, por është e detyruar që të targetojë për çdo vit një nivel më të ulët të borxhit publik sesa viti pararendës. Dhe kjo duhet të vijojë të paktën deri atëherë kur niveli borxhit të zbresë në nivelin prej 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nivel ky, i cili vlerësohet gjerësisht si niveli më optimal për një ekonomi si e jona”, kujtojmë të jetë shprehur ai lidhur me një fakt të tillë.

E duke premtuar që këtë vit, të ketë një reduktim të tij, të paktën në nivelin prej 2.5% të PBB-së.

“Ndërsa në afatin e mesëm ne synojmë të arrijmë të ulim borxhin rreth nivelit 60% në vitin 2021”, ka thënë gjithashtu Ahmetaj.

E thënë më thjesht, qeveria synon që vetëm pas disa viteve të mundësojë nivelimin normal të borxhit publik, si i tillë, ndërsa ai ende duket se po vërtitet në nivele të larta, si ai prej 69.92% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të vitit të kaluar.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: