BOMBË ME SHIJE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

BOMBË ME SHIJE! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Disa të njohura të miat po përgatiteshin që të niseshin për një javë pushime. Kishin vendosur të qëndronin në një vilë familjare sepse ishin bërë bashkë tre familje. Pra gatim në shtëpi dhe plazh.

Teksa pija kafe me njërën prej tyre, tjetra afrohet dhe bisedojnë për listën me produkte që do të merrnin me vete dhe duke renditur perimet e frutat, mësova se nuk kishin blerë domate, shalqi, kastravecë, pjeshkë e disa të tjera që tani nuk më vijnë ndër mend.

Pra po i bie shkurt, një pjesë e konsiderueshme e shportës së stinës, pra pikërisht ato produkte që këshillohen që të konsumohen në verë e që supozohet që janë prodhime vendi, nuk i kishin blerë. Por kjo jo pa arsye.

Nuk i kishin blerë sepse ishin prodhime me hormone, pra të ndikuara artificialisht në vëllim dhe në ngjyrë. Me shumë habi desha të dija se përse pikërisht këto prodhime nuk i blinin.

“Sepse janë prodhime nga Lushnja.”-më thanë.

Habia ime ishte edhe më e madhe, duke u nisur nga fakti se mikeshat janë nga ajo zonë, por pikërisht ato vetë nuk kishin asnjë besim në prodhimet e zonës së tyre, sepse i njihnin mirë. Në fakt këto kohë kam dëgjuar shumë zëra tmerrues mbi prodhimet e serave të Myzeqesë, por jo vetëm. Ndërkohë kam parë me dhjetëra kronika mbi qershitë e Dibrës që përfundojnë të kalbura ose shalqiri i Peqinit që përfundon në kanale sepse nuk arrin të shitet. Pulat, edhe ato të vendit, nuk kanë më asnjë aromë mishi ndërkohë që bën një dallim madhor kur konsumon në një restorant fshati një zog të freskët, dallim i dukshëm dhe i ndjeshëm në shije dhe formë.

Çfarë jemi duke ngrënë vallë?

Më vjen në mend filmi “Zonja nga qyteti” ku fshatari punëtor, personazh pozitiv, i përmend me shpoti Ollgës qytetarkë fasulet e preshin e fshatit. Por pas kaq dekadash, mos vallë fshati po na “ushqen” me hile?

Sigurisht që kanë shumë përgjegjësi organet kontrolluese dhe monitoruese të ushqimit, të cilat nuk kanë lënë vend për asnjë pikë besimi tek konsumatori. Por nuk kanë të gjithë fajin.

Një fshatar, një fermer, një tregtar që furnizohet me këto prodhime si p.sh me domatet e Lushnjës që, siç më kanë treguar, në orën 20.00 të mbrëmjes janë jeshile e të parritura e në orën 24.00 kur ngarkohen kamionët janë bërë të kuqe e të mëdha, a kanë përgjegjësi?

A janë njerëz këta?

Se janë dhe shumë e nuk mund të thuash që ja që njëri doli dru i shtrembër.

Nuk është ushqimi e vetmja gjë kryesore që na bën të jemi të shëndetshëm ose jo?

Pra nuk janë këta njerëz matrapazë e makutë, kriminelë?

Unë mendoj se janë njësoj me një vrasës, veçse këta vrasin nga brenda, helmojnë ngadalë e pa zhurmë, ndërkohë që vet hanë nga baçja e kasolles e pinë qumësht direkt nga dhia në oborr.

Në fillim të viteve ’90, bëri bujë rasti i disa vdekjeve nga pije false me alkool të rrezikshëm. U shkund i gjithë komuniteti. Po atëherë pse sot nuk ndihet askush e të ketë penalitete shembullore, si në atë kohë?

Sepse sot po vdesin përditë e në moshë të mesme. Mos më thotë askush që ushqimi këtu nuk hyn.

Në plazhe i ke të gjithë bebet me celulit e çiftet e reja po hasin shumë raste infertiliteti.

Ushqimi është baza e të gjithë sistemit tonë. Nuk të vlen asgjë që të rrish gjithë ditën në palestër ose të blesh kremin me havjar, në qoftë se ndërkohë ke kullufitur hormone e pesticide.

Kjo “bombë” me shije që po na vjen vërdallë nuk ka të ndalur, madje po shtohet në masë, dikur ua vinim fajin produkteve që vinin nga jashtë. Sot po na “tradhton” ai, ajo, bujqit dhe shteti.

Paaftësia e shtetit me pandërgjegjshmërinë sociale dhe makutërinë e bujkut, të vëna bashkë, kjo është “bomba” që ka plasur pa zhurmë e pa bujë, por me shumë viktima, sa një gjenocid.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: