Bizneset edhe qytetarët në nevojë për pará, rriten kërkesat për kredi

Bizneset edhe qytetarët në nevojë për pará, rriten kërkesat për kredi
Bizneset dhe qytetarët po paraqesin gjithmonë e më shumë nevojë për pará. Këtë po e tregojnë trokitjet e shtuara të tyre pranë bankave, për t’u kërkuar kredi.

Të parët, kryesisht për qëllime likuiditeti pasi nuk mundin të shlyejnë dot pagesa të ndryshme. Ndërsa të dytët, më tepër për blerë shtëpi.

Një dukuri e tillë konfirmohet në një vrojtim të fundit që Banka e Shqipërisë ka bërë në tërësi për aktivitetin kreditues të bankave gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

“Kërkesa për kredi u raportua më e lartë, si për bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ato të mëdha”, cilësojnë ekspertët e BSH-së, lidhur me kategorinë e parë. Për të detajuar se faktorët që nxitën rritjen e kësaj kërkese, sipas perceptimit të bankave ishin: nevoja  më e lartë e financimit për qëllime likuiditeti;  rifinancimi i borxhit;  financimi i investimeve fikse; besimi i biznesit; si dhe situata makroekonomike dhe perspektiva e saj.

E thënë më thjesht, bizneset kanë patur nevojë për pará që të kryenin disa nga shërbimet e tyre, qoftë pagesash, qoftë investimesh dhe kanë parë pikërisht bankat si zgjidhje të tyre.

Teksa shtohet se disa nevoja monetare bizneset i kanë zgjidhur edhe përmes burimeve të tjera alternative, apo kursimeve të maturuara në kohë prej tyre.

Nga ana tjetër, ekspertët e bankës qendrore theksojnë se “kërkesa e qytetarëve për kredi ishte më e lartë në tremujorin e dytë të vitit, e nxitur nga kredia me qëllim blerje banese”. Për të detajuar më tej se “faktorët që e kanë nxitur një kërkesë të tillë kanë qenë nevoja më të larta për financimin e konsumit, si edhe të blerjes së banesave, por në të njëjtën kohë edhe zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme në tregun e banesave. Ku këto të fundit, po reflektojnë gjithmonë e më shumë një shtim të lejeve, por në të njëjtën kohë edhe të ndërtimeve të reja, sidomos në kryeqytet dhe rrethinat e tij.

 

“Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për kredi më e lartë për kredinë për likuiditete, ndërkohë që ajo për investime u raportua lehtësisht më e ulët. Kurse për individët, kërkesa për blerje banese është më e lartë se ajo për konsum”, raporton Banka e Shqipërisë

 

Pritshmëria për muajt në vijim: Do ketë sërish trokitje të shumta pranë bankave

Edhe gjatë muajve në vijim, bizneset dhe qytetarët do t’i kenë të shumta trokitjet e tyre pranë bankave për t’u kërkuar një kredi. Kjo konfirmohet nga vetë ekspertët e bankës qendrore në raportin e fundit për aktivitetin kreditues në vend, duke sinjalizuar kështu sërish për nevoja të shtuara të këtyre kategorive për pará.

“Pritjet për tremujorin e tretë të vitit tregojnë një kërkesë për kredi thuajse të ngjashme me tremujorin e dytë, si nga ana e bizneseve të vogla e të  mesme, ashtu dhe nga ato të mëdha. Rritja e kërkesës për kredi pritet të jetë e përqendruar tek kredia për likuiditete, ndërkohë që kërkesa për kredi me qëllim investimi pritet të jetë më e ulët në tremujorin e tretë të vitit 2018”, citojnë ekspertët e bankës qendrore lidhur me një dukuri të tillë.

“Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin një kërkesë lehtësisht më të lartë se ajo e tremujorit të dytë, si për kredinë me qëllim blerje banese ashtu edhe atë konsumatore”, cilësojnë më tej ata, për kategorinë e qytetarëve.

 

Konfindustria lëshon alarmin: Shenja të dukshme rreziku piramidash në ndërtime

“Gjatë vitit në vazhdim po shfaqen shenja të dukshme për rrezikun e krijimit te piramidave në sektorin e ndërtimeve urbane të shtrira në gjithë vendin”.

Një alarm të tillë ka lëshuar organizata e njohur e biznesit, Konfindustria, duke pohuar se ai është sidomos i pranishëm në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit.

“Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në tremujorin e parë të 2018-tës, krahësimisht me tremujorin e parë të vitit pararendës është shtuar më afër 120%-shit numri i lejeve të ndërtimit të dhëna, si dhe është shtuar me 200% sipërfaqja e ndërtimit”, shprehet Konfindustria.

Ajo vlerëson më tej faktin se shtimi dramatik i kërkesave për leje dhe sipërfaqeve të ndërtimit nuk përligjet nga rritja e ulët ekonomike e viteve të fundit, që nuk e kalon mesataren prej 3.5% të PPB-së.

Shtimi i lejeve të ndërtimit është në kontradiktë të thellë edhe me të dhënat e Bankës së Shqipërisë, se kreditimi bankar për shtëpi për qytetarët është në rënie.

“Konfindustria vlerëson se është e mundshme, që frika nga fillimi i procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë, politikë dhe institucionet shtetërore, shoqëruar me shtrëngimin e qartë të trysnisë nga agjencitë ndërkombëtare të sigurisë ka shtuar fluksin e parave me origjine të dyshimtë që hyn nga jashtë dhe kërkon të investohet në vend”, përfundon Konfindustria.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: