Bie besimi tek ekonomia, bizneset edhe qytetarët më pesimistë

Bie besimi tek ekonomia, bizneset edhe qytetarët më pesimistë
Sipas Bankës së Shqipërisë, që të dyja këto kategori po shfaqin pritshmëri më të dobëta sa u përket “xhepave” të tyre nesër, por edhe për gjendjen në të cilën realisht janë sot

Ata po shfaqin më pak besim tek ekonomia se dikur. Qofshin qytetarë të thjeshtë, apo edhe përfaqësues të biznesit, një gjë është e sigurt: Janë më pesimistë se më parë sa i përket situatës së tyre ekonomike.

Një dukuri e tillë konfirmohet zyrtarisht nga banka qendrore e vendit, sipas së cilës, të dyja këto kategori kanë shënuar një rënie të dukshme të besimit të tyre.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike ra me nivelin prej -9.9% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018. Kjo pasqyroi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe atë të konsumatorëve”, citon Banka e Shqipërisë në Vrojtimin e fundit të Biznesit dhe Konsumatorëve. Duke detajuar se një situatë e tillë vlen jo vetëm për gjendjen aktuale të “xhepave” të biznesit dhe qytetarëve, por edhe për pritshmëritë e tyre në të ardhmen. E duke folur kështu për një situatë jo fort premtuese për atë çka ekonomia si e tillë mund të shfaqë gjatë muajve në vijim.

Në vrojtimin në fjalë, BSH-ja sqaron se besimi ka rënë tek të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare.

“Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me -3.7% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti”, pohojnë ekspertët. Duke sqaruar se kjo ka ndodhur për shkak të përkeqësimit me -8.2% të prodhimit, me -2.2% të kontratave porositëse dhe -0.2% të gjendjes së inventarëve.

Më tej, ata shpjegojnë se edhe në sektorin e ndërtimit paraqitet e njëjta situatë, respektivisht me një rënie të besimit, në nivelin prej -1.9%. Ndërsa pohojnë se në fakt, aktiviteti ndërtues si i tillë shënoi rritje të lehtë prej 0.5% për periudhën në fjalë. Por mesa duket, kjo nuk ka ndikuar që përfaqësuesit e këtij sektori të kenë besim se i pret një sezon i mbarë pune apo shitjesh.

Sikundër, edhe në një sektor tjetër të rëndësishëm për ekonominë tonë, siç është ai i shërbimeve, ekspertët kanë konstatuar një rënie të dukshme të besimit, deri në nivelin prej -8.9%. E duke reflektuar kështu një ulje të ecurisë së këtij sektori që prodhon shumë pará dhe punësim. E njëjta logjikë që vlen në fakt edhe për sektorin e tregtisë, njësoj i rëndësishëm për shqiptarët dhe ekonominë e tyre, i cili ka shënuar një rënie të besimit deri në nivelin prej -3.3%.

“Rënia e besimit në tregti u pasqyrua kryesisht në përkeqësimin e pritshmërive për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, deri në nivelin negativ prej -6.7%”, citojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

 

Besimi i qytetarëve duket po lëkundet nga situata e përgjithshme ekonomike në vend

Besimi i qytetarëve shqiptarë duket se po lëkundet nga situata e përgjithshme ekonomike në vend.

Këtë e pohojnë vetë ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve, ka qenë pikërisht një situatë e tillë që ka ndikuar në përkeqësimin e ndjesisë së tyre në ekonomi.

“Treguesi i besimit konsumator vazhdoi të bjerë në tremujorin e dytë të këtij viti, duke shënuar një nivel negativ prej -1.8%”, citojnë ata.

Duke shtuar se ndikimi i situatës ekonomike në vend në këtë tregues ka qenë i dukshëm. Sikundër edhe ai i situatës së pritshme ekonomike brenda familjes së tyre, që rezulton e përkeqësuar deri në nivelin prej -3.8%. Apo edhe ajo me të ardhurat dhe shpenzimet e tyre.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: