BETEJAT E HARRUARA TË OPOZITËS – OPINION NGA PLATOR NESTURI

BETEJAT E HARRUARA TË OPOZITËS – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në kulmin e një beteje që zhvillohet, ku në fokus është vënë çështja e teatrit dhe ligji i ri për të, duket se opozita nuk po shpik dot çështje të reja. Madje, duket se janë harruar dhe ato beteja nisur kohë më parë e që kanë mbetur rrugëve. Deri para disa javësh, protagonistë të tabelës së qitjes ishin ministrat e brendshëm, porse ajo që u duk si këmbëngulje e thekshme, tashmë duket është arkivuar. Të godasësh e të arrish të dorëhiqet një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, do të ishte një sukses i madh për çdo opozitë. Aq më shumë kur, beteja lidhet dhe me luftën ndaj trafikut të drogës, temë kjo që shqetëson dhe ndërkombëtarët. Por qasja bëhet gjithmonë gabim, duke e nxjerrë zbuluar opozitën në dobësitë e saj. Në shikim të parë, PD-ja po tregohet agresive, por vetëm kaq. Më tej, ka frikë të shkojë, aq më tepër të synojë zgjedhje të parakohshme. Të paktën i di problemet dhe dobësitë që ka. Dhe nga ana tjetër, as nuk ka bërë përpjekjen më të vogël për të përgatitur kuadrin e ri ligjor për zgjedhje.

Skena e sotme në të cilën po ekranizohet lufta politike, është përqendruar tashmë te të tjera çështje, duke kaluar nga kanabisi te teatri. Por kjo nuk është një casus i mirë për opozitën për të trysnuar një pushtet që duket se nuk do t’i hyjë asgjë në këmbë, të paktën për 4 vitet e ardhshme. Në fillim të mandatit të ri, opozita kishte ndërtuar si strategji për aksionin e vet, pikërisht reformën zgjedhore dhe një ligj të ri për të shmangur dhe demotivuar vjedhjen e votave ose deformimin e rezultateve nga ndërhyrjet së jashtmi, nga vullneti i elektoratit. Në fakt, emëruesi i përbashkët i normalitetit për çdo palë zgjedhjeje të shkuara, ka qenë se asnjëra prej tyre nuk ka marrë certifikatën e standardit demokratik nga ana e ndërkombëtarëve. Por përveç kësaj, një tjetër e përbashkët e proceseve zgjedhore, me rezultat të pranuar ose jo, është fakti i paprecedentë; që në asnjë rast nuk kemi patur dënime për manipulues dhe hajdutë të rëndomtë të rezultateve të votimit. Në këtë mënyrë, problemet por edhe vjedhjet me protagonistët e saj, janë mbartur nga njëra zgjedhje në tjetrën, çfarë e bën edhe më të koklavitur zgjidhjen e nyjës për të arritur zgjedhje të ndershme. Dhe kjo çështje tashmë është dhe një nga detyrat për tu zgjidhur deri vitin e ardhshëm, kur do të shihet dhe si do menaxhohen zgjedhjet vendore. Çka duket se do të jetë dhe një nga pjesët e monitoruara për procesin e hapjes së negociatave me BE-në.

Duket se kjo betejë e opozitës, është harruar tashmë. Madje, siç po duken punët, çështja e reformës zgjedhore nëpërmjet një konsensusi të të gjitha palëve, mund të prodhojë të kundërtën e saj. Atë që opozita të synojë ta bllokojë për të mbajtur të ndezur motivimin politik. Në vend të kësaj - krijimit të kushteve për zgjidhje të qëndrueshme që do të hapin rrugën për zgjedhje të lira e së paku të pranueshme nga të gjithë - thjesht po vijohet me politikën e tensionit dhe mbajtjen pezull të një mjedisi luftarak. Por luftarak fjalaman e që thjesht bën grindavecin në Parlament. E keqja e gjithë kësaj çka po përcillet, është se politika e tensionit po shndërrohet edhe në një skemë të pandryshueshme zgjedhore. Duket se vetë opozita i trembet termit zgjedhje dhe ballafaqimit real me elektoratin.

Tashmë, së fundmi në tryeza debatesh, përveç aspektit të votimit elektronik është futur dhe çështja e votës së emigrantëve jashtë vendit. Në këto debate, kryefjala e politikës është se synohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe sa më pranë standardeve europiane, por pas kuintave, eksponentë të saj nuk harrojnë të krijojnë struktura pikërisht për të shmangur rezultatin e votës popullore. Përsëritja e përhershme e kësaj skeme, ndërsa nuk merret asnjë masë administrative dhe ligjore kundër shkeljeve, duket si një përpjekje e pranuar në heshtje nga ana e politikës për të shartuar votën e lirë me manipulimin. Gjithsesi, kjo bashkëjetesë e sforcuar midis së ligjshmes dhe antiligjores që po shoqëron proceset zgjedhore në Shqipëri, po na nxjerr gjithmonë e më gjysmakë në demokracinë tonë dhe pothuaj rast i pashpresë në sytë e ndërkombëtarëve. Është kjo një papjekuri demokratike e vetë shqiptarëve, se nuk dinë të bëjnë zgjedhje, tezë që amplifikohet dhe nga qarqe jashtë vendit, apo faji për këtë më tepër sesa te populli duhet kërkuar në klasën politike të vendit? Nga kjo mejhane elektorale, nuk ka pse ta paguajë i gjithë vendi penalizimin në procesin e integrimit dhe në hapjen e dyerve drejt Europës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: