Bashkia, 10 milionë lekë për financimin e bizneseve rinore

Bashkia, 10 milionë lekë për financimin e bizneseve rinore
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion një fond prej 10 milionë lekësh për mbështetjen e iniciativave për biznes, të ndërmarra nga të rinjtë e kryeqytetit. Nga projekti i cili do të zbatohet gjatë këtij viti, pritet të jenë 20 përfitues, me një masë financimi prej 5 milionë lekë për secilin prej tyre.

Projektvendimi që i hap dritën jeshile implementimit të projektit, do të diskutohet dhe miratohet në mbledhjen e datës 26 korrik të Këshillit Bashkiak.

Projekti “Programi i nxitjes së punësimit rinor II”, synon të mbështesë sipërmarrës të rinjtë që kanë ide dhe plane biznesi konkurruese, duke kontribuar kështu në punësimin e tyre dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Pjesë e këtij projekti do të jenë të rinjtë nga mosha 18-35 vjeç dhe këto sipërmarrje do të funksionojnë si të gjitha bizneset e tjera, sa i takon detyrimeve që duhet të paguajnë në shtet.

Përzgjedhja e fituesve do të bëhet në tri faza. Së pari, kandidatët aplikojnë me ide, për tu pranuar në këtë projekt, më pas trajnohen mbi aftësitë e përgjithshme të biznesit dhe planin e biznesit dhe së treti, fituesit e shpallur, regjistrohen fillimisht në QKB dhe më pas nënshkruajnë kontratë 18-mujore me bashkinë e Tiranës, për të marrë financimin në formë granti. Idetë që do të kenë prioritet, janë ato për krijimin e bizneseve rurale, si dhe ato në sektorin e turizmit, teknologjisë së informacionit, industrinë tekstile, shërbime dhe artizanale.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: