Artet dhe sportet, shpallen datat e pranimit të kandidatëve

Artet dhe sportet, shpallen datat e pranimit të kandidatëve
Sipas udhëzimit të ministrisë së Arsimit, pas datës 11 gusht, duhet të fillojë regjistrimi i kandidatëve. Të dy universitet do të zhvillojnë konkurset për degët e pranimit nga data 20-26 gusht. Kriteret që duhet të plotësohen nga maturantët

Sonila Isaku

Përcaktohen kriteret dhe datat e konkurseve për të gjithë ata kandidatë të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në Universitetin e Sporteve dhe atë të Arteve. Të dy universitet me anë të vendimit të senatit, si dhe udhëzimit të ministrisë së Arsimit, kanë përcaktuar datat e konkurseve të cilat janë nga 20 gushti deri në 26 gusht 2018.

Artet

Regjistrimet për të gjitha programet e studimeve të ofruara nga Universiteti i Arteve, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë Bachelor, fillojnë më datë 11 gusht 2018, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, ndërkohë që konkurset e pranimit zhvillohen nga data 22 gusht deri më 26 gusht 2018. “Periudha nga data 30 gusht deri më 12 shtator, është e ndarë në 7 faza 48-orëshe. Secili aplikant ndjek ecurinë e procesit të shpalljes fitues në programin për të cilin ka konkurruar. Procesi i regjistrimeve nga sekretaritë mësimore, me dokumentacion dhe online, vijon me faza 48-orëshe, në përputhje me numrin e kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit dhe duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të parë” - thuhet në njoftimin e Universitetit të Arteve.

Procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit të kandidatëve nga republika e Kosovës, kandidatëve me origjinë shqiptare nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, kandidatëve me statusin e personit me aftësi të kufizuar, me statusin e jetimit, si dhe të kandidatëve të komunitetit rom dhe egjiptian, do të bëhet sipas përcaktimeve të udhëzimit të posaçëm të MASR. Kurse, procedurat e aplikimit dhe regjistrimit të kandidatëve shtetas të huaj në programet e ciklit të parë të studimeve, për vitin akademik 2018-2019, në UART do të bëhet sipas përcaktimeve të udhëzimit të posaçëm të MASR.  Kandidatët e shpallur fitues në programet e të gjitha cikleve të studimit, nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht dy programe studimi në UART, në të njëjtin vit akademik, me përjashtim të nxënësve dhe studentëve të shkëlqyer.

Sportet

Sa i takon konkurseve në Universitetin e Sporteve, senati i këtij universiteti ka përcaktuar se, në datën 10 gusht 2018, afishohen listat e aplikantëve për konkurrim.

“Datat e regjistrimit të aplikantëve për konkursin e pranimeve për vitin akademik 2018-2019, të jetë 13-16 gusht 2018, nga ora 9:00-16:00 (aplikantët, para se të bëjnë pagesën, duhet të verifikojnë emrin në listat e afishuara në UST). Shpallja e listave të aplikantëve të regjistruar për konkurrim në UST, do të bëhet në datën 18 gusht 2018. Datat e konkursit praktik në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes do të jenë 20-23 gusht 2018. Datat e konkursit praktik në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit do të jenë 24-26 gusht 2018” - thuhet në njoftimin e këtij universiteti.

Sa i takon dokumentacionit të nevojshëm, kandidatët duhet të paraqesin:

2 fotografi dokumenti 4×6; fotokopje e kartës së identitetit; mandat pagesa e tarifës së konkurrimit; kartela mjekësore. Brenda datës 27 gusht 2018, Dega e Informacionit Studentor dhe Regjistrimeve do të afishojë dhe publikojë listën e renditjes së aplikantëve, duke përdorur si element identifikues vetëm ID-të e tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: