Artan Shyti: Sporti shqiptar është sot në vdekje klinike

Artan Shyti: Sporti shqiptar është sot në vdekje klinike
Flet Artan Shyti, kryetari i Shoqatës së Kompanive të Basteve Sportive në vendin tonë: Shqipëria nuk jep pará për sportin. Edhe ato 12 milionë euro që merr shteti nga bastet nuk ia jep sportit, kur është minimumi që duhet të bëjë, sepse nga sporti dalin ato pará

Sporti shqiptar është në vdekje klinike dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme rrezikon shkatërrimin përfundimtar të tij. Është ky konstatimi që jep Prof. Dr. Artan Shyti, zv. Rektor i Universitetit “Marin Barleti”, si dhe Kryetari i Shoqatës së Kompanive të Basteve Sportive në Shqipëri, në një intervistë për “Albanian Free Press”. Shyti gjithashtu edhe flet për funksionimin e basteve sportive në Shqipëri, mbi dënimin ekstrem nga UEFA të Skënderbeut, si dhe rolin e shtetit në zhvillimin e sportit, për të cilin, për fat të keq shprehet se “është fusha më pak e financuar, më pak e vlerësuar dhe më pak e mbështetur nga të gjitha të tjerat”...

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Aranit Muraçi  

Ju jeni kryetari i Shoqatës së Kompanive të Basteve Sportive në Shqipëri, ndërkohë Skënderbeu kampion i vendit tonë pret përgjigje nga CAS lidhur me vendimin e UEFA-s. Si e konsideroni dënimin 10-vjeçar të klubit shqiptar?

Është një dënim shumë i rëndë, i cili, shpresoj të mos konfirmohet nga CAS, sepse do të ishte një goditje e rëndë për klubin, qytetin sportdashës të Korçës dhe gjithë sportin shqiptar. Do të ishte një ngjarje me impakt negativ shumëplanësh dhe kjo është shumë evidente për t’u nënvlerësuar.

A jeni në dijeni sesi funksionojnë kompanitë e basteve në Shqipëri, sa para xhirojnë mesatarisht në një vit dhe a tatohen, sa fitojnë, si kontrollohen?

Kompanitë e basteve menaxhojnë një aktivitet të ligjshëm, të rregulluar me akte ligjore e nënligjore, të strukturuar dhe monitoruar  nga shteti shqiptar nëpërmjet organeve qeveritare mbikqyrëse. Shoqata e Kompanive të basteve ka pretendimet e veta shumë serioze për efektshmërinë e bazës ligjore, që rregullon funksionimin e këtij aktiviteti dhe është përpjekur që të japë kontributin e saj që kjo bazë ligjore të përsoset, bazuar në standardet evropianë të menaxhimit të këtij sektori. Ka disa arritje por ka gjithashtu edhe shumë për të bërë që edhe në këtë fushë të përafrohet legjislacioni shqiptar me atë evropian.

A ka aktualisht shteti shqiptar një kontroll ndaj tyre?

Kompanitë e basteve janë menaxhuese të një aktiviteti që janë bastet në sport. Tatohen, kontrollohen dhe vlerësohen rreptësisht nga një agjenci që quhet Autoriteti i Menaxhimit të Lojërave të Fatit, organi Ministrisë së Financave. Paguajnë diku tek 12-14 milion euro në vit tatime, pavarësisht nëse fitojnë apo jo dhe ky është një handikap i madh ligjor e tatimor, sepse bastet nuk janë një aktivitet ku fitimi është i planifikueshëm dhe i parashikueshëm. Ka periudha të gjata kur kompanitë janë me humbje, por vazhdojnë të paguajnë të njëjtat taksa kombëtare e lokale ashtu si në periudhat, që dalin me fitim. Ky është një rast unikal në menaxhimin e një aktiviteti ekonomik në Shqipëri. Gjithashtu, ka raste të aktiviteteve ilegale në fushën e basteve sportive për të cilat  kompanitë e ligjshme të basteve janë të parat që janë të interesuara që të mos ekzistojë si aktiviteti i paligjshëm, sepse dëmton drejtpërdrejt aktivitetin e tyre.

Si është e mundur që akuzohet Skënderbeu se ka manipuluar 53 ndeshje nga UEFA, ndërkohë që nuk akuzohet asnjë ekip kundërshtar. Ujdia apo trukimi a mund të realizohet nga njëra palë?

Besoj qe akuzat ndaj Skënderbeut lidhen me numrin e madh të ndeshjeve që akuzohet se janë trukuar. UEFA pretendon për 53 ndeshje dhe e përmend si rast unikal. Ndoshta kjo është arsyeja e ndalimit dhe dënimit ndaj Skënderbeut. Sidoqoftë nuk kam informacionin e duhur për të analizuar pozicionin e UEFA-s për këtë rast.

Si është e mundur që skuadra e vetme shqiptare që ka arritur dy herë sukses historik duke shkuar në fazën e grupeve të Europa League akuzohet dhe dënohet si askush tjetër në Europë për manipulim ndeshjesh? Logjikisht sipas raportit të UEFA-s ka blerë ndeshje, por a mund të ketë ekipe të tjera që i kanë shitur dhe nuk janë dënuar?         

Mendoj se fakti që Skënderbeu është padyshim ekipi më cilësor që kemi patur në futboll nuk lidhet me akuzat që i drejtohen. Nga ana tjetër nuk besoj në një komplot kombëtar apo ndërkombëtar ndaj këtij ekipi apo futbollit shqiptar, sepse nuk arrij të gjej arsye bindëse për ekzistencën e këtij komploti. Ndoshta edhe sepse nuk kam informacionin e mjaftueshëm për të bërë këtë. UEFA ka patur dhe ka të gjitha mundësitë teknike, njerëzore e financiare për të bërë një hetim, sipas saj, të plotë dhe të argumentuar për të kërkuar dënimin e rëndë që  i ka dhënë Skënderbeut. Nëse edhe CAS i quan këto prova dhe argumente të besueshme dhe të mjaftueshme, atëherë do të jetë e vështirë që logjika e kujtdo të mbizotërojë mbi ekskluzivitetin e organeve të gjykimit sportiv që të japin dënimin që ata mendojnë. Nga ana tjetër gjykoj se, nëse institucionet shqiptare do të dëgjonin kërkesat e UEFA-s të përsëritura që të bëhej një hetim në Shqipëri për rastet që UEFA ka raportuar  të dyshuara si trukime, ku nuk është vetëm Skënderbeu, dhe të arrinte në konkluzione serioze e të argumentuara për ekzistencën ose jo të këtij fenomeni, bazuar në hetime në Shqipëri, UEFA nuk do të hynte për të bërë një procedurë hetimi dhe gjykimi, ajo vetë për një klub futbolli,  që është për herë të parë e aplikuar në këtë rast. Pra, për gjykimin tim, një pjesë e përgjegjësisë së këtij dënimi duhet t’i atribuohet edhe prokurorisë shqiptare që nuk i doli “të keqes” përpara.

Ndërkohë për zhvillimin e sportit në Shqipëri, a është punuar sa duhet në këto vite me të njëjtin vizion si para ‘90?

Këtu hyjmë në një fushë ku unë e ndjej veten shumë më komod se sa problemet juridike të trukimeve. Padyshim që sporti në Shqipëri po vuan një periudhe të gjatë nënvleftësimi, deri në sabotim, nga ana e faktorëve institucionalë që duhet të kujdesen për zhvillimin e tij. Është e dhimbshme të themi që sporti është e vetmja fushë sot më keq se sa para viteve ’90. Dhe kjo është katastrofike dhe me pasoja të rënda për këtë sektor të dashur e të dobishëm për gjithë shoqërinë. Duke përjashtuar disa periudha të shkurtra në këto 27 vite, pjesa tjetër e tyre është një histori dështimi, keq qeverisje, abuzimi e shkatërrimi. Sot sporti është fusha më pak e financuar, më pak e vlerësuar dhe më pak e mbështetur nga të gjitha të tjerat. Mjafton të përmend që sporti ka sot gjysmën e buxhetit të vitit 2005, ndërkohë kur të gjitha fushat e tjera kanë, të paktën dyfishin e atij viti. Pra, sportit i janë hequr para që edhe atëherë ishin pak. Sot që flasim edhe Kosova ka 15 herë më tepër para për sportin në buxhetin e shtetit(!?)

Para viteve ’90 Shqipëria nuk kishte kaq shumë shkolla sportive, por tani duket se nuk ka talentë apo “produktin” cilësor të atyre viteve. Çfarë besoni se dallon dy periudhat në këtë aspekt?   

Shqipëria që nga viti 1958 ka një shkollë të lartë sporti. Sot ka edhe shkolla jopublike sporti me shumë reputacion siç është Universiteti Marin Barleti, ku unë jam zv. Rektor, që përgatisin specialistë sporti. Por këta specialistë, kur dalin në punë ballafaqohen me mungesë skandaloze të ambjenteve sportive, bazë materiale dhe trajtimi financiar. A mundet që një trajner të stërvisë sportistë e të paguhet 8 mijë lekë në muaj(!?). Pra problem kryesor nuk janë shkollat dhe specialistët, megjithëse edhe aty kemi shumë gjera për të përmirësuar. Sporti për t’u zhvilluar do para dhe Shqipëria nuk jep para për sportin. Edhe ato 12 milion euro që merr shteti nga bastet nuk ja jep sportit,  që është minimum që duhet të bëjë, sepse nga sporti dalin ato para.

Kush e zbulon sot një 12 apo 13-vjeçar në futboll, basketboll, atletikë etj, që dallon për talentin e tij në një shkollë në Sarandë apo në Tropojë, dhe kush e zhvillon atë, që nesër Shqipëria të ketë më tepër shpresa për të konkurruar me sukses përballë vendeve të tjera?    

Sistemi sportiv kombëtar “fut ujë” nga të gjitha anët dhe kjo pyetje është shumë e rëndësishme pasi evidenton pikërisht mungesën totale të interesit që ky sistem ka për të evidentuar, seleksionuar, përgatitur, trajtuar e shpërblyer sportistët e talentuar në të gjitha moshat e në të katër anët e Shqipërisë.  Nëse nuk ndërtohet një “rrjetë e dendur” evidentimi e talenteve dhe nëse nuk ka politika reale, të financuara e realizuara seriozisht, Shqipëria do të humbasë talente dhe do të humbasë gjithnjë e më tepër ritmin e zhvillimit dhe konkurrimit me vendet e tjera. Si një person që ka mbuluar të gjitha vendet drejtuese në sport, e them me bindje të plotë që sporti shqiptar është në vdekje klinike dhe, nëse nuk merren masa të menjëhershme rrezikon shkatërrimin përfundimtar të tij.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: