ARKITEKTURA E AUTOKRACISË – OPINION NGA SONILA MEÇO

ARKITEKTURA E AUTOKRACISË – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Betoni fsheh mëkate të shumëfishta. Dhe kjo është një histori betoni. Betoni me pushtet. Procesi politik në Shqipëri, ka çështje madhore deformimi e përfaqësimi, por trajtimi I hapësirës fizike, si në truallin ku ajo zhvillohet, si në formë, ndihmon shumë për të kuptuar defektet e tij, problemet, të metat, fajet e kusuret që rëndojnë qytetarin më së pari.

Tirana është qendra më e madhe administrative, qendra e suksesit ekonomik e politik të shumicës. Investimet më të mëdha i përthith Tirana, si qyteti me gati 1 milion banorë në Shqipërinë e 2,8 milionë banorëve, fitoret elektorale janë të pamundura pa Tiranën. Të mbash kontrollin e Tiranës dhe ta dominosh në mënyrë të dukshme, është projekti madhor i pushtetit. Qendra e Tiranës është simbolika e pushtetit. Riformatimi i saj nëpërmjet zgjedhjeve ekskluzive të kryeministrit, ka njohur një ngut që ka marrë përpara çfarë ka gjetur, për të mos lejuar frenimin e ideve të një njeriu të vetëm mbi atë se çfarë do të përfaqësojë qendra, simbolika dhe përmbajtja voluminoze e llojit të pushtetit të instaluar në vend. Nuk ndodh vetëm në Shqipëri kjo, mjafton të hedhësh sytë te qendra e adhurimit të kryeministrit, Turqia e më konkretisht Stambolli, për të kuptuar se nga e si frymëzohen idetë për përdorimin dhe transformimin e hapësirës publike. Kur në sheshin Taksim, partia në pushtet ideoi një plan transformimi me këmbësorë dhe trafikun e nëndheshëm, rikonstruksionin e Barakave të Artilerisë, shembjen e Qendrës Kulturore Ataturk dhe ndërtimin e xhamisë, protesta të fuqishme u organizuan nga opozita, shoqëria civile dhe publiku, e të gjithë mbajmë mend ç’ndodhi në vitin 2013 në Gezi Park, në sheshin Taksim. Ndërsa qeveria pretendonte se me ndryshimet synonte rikonceptimin hapësinor, që do të thithte investime kapitale globale dhe interesin turistik, media do të zbulonte forcën e vërtetë shtytëse pas transformimeve me çdo kusht të hapësirës publike: ushtrimi I pushtetit autoritar të forcës qeverisëse me synimin për të përdorur qytetet për të veneruar liderin. Por duke deklaruar si justifikim, një synim madhor, sa më shumë kapital i huaj në vend e sa më shumë turistë.

Me këtë logjikë u argumentua rikonceptimi i Sheshit Skënderbej, për të krijuar një hapësirë unike në llojin e saj, që më pas do të shpërblente ideatorët e qytetin me çmime e vlerësime të habitshme ndërkombëtare. Kësisoj do të ndërtohej një hapësirë funksionale e tërheqëse për turistët e huaj, sipas arsyetimit zyrtar, kur në thelb arkitektë të njohur e urbanistë të sprovuar kanë argumentuar se thjesht është krijuar hapësira e domosdoshme për të konceptuar një qendër me kulla. Sepse sheshi në vetvete unik, është në harmoni me asnjë nga ndërtesat ekzistuese, se cilësia e ndërtimit të shpejtë do qe gjithaq sipërfaqësore dhe e dobët, tipike tranzitore, sa për të justifikuar atë që vjen. Dhe ajo çfarë vjen nuk është as thithja e kapitalit global e as shtimi i numrit të turistëve, por një urbanistikë kullash. Se çfarë do të thotë të qendërzosh kulla me kapacitete shumë herë më të mëdha se nevoja e qytetit, në një hapësirë që nuk e bart dot përqendrimin e tyre, për një model ekonomik që nuk siguron produktivitet e vlerë të shtuar, këtë tashmë e kupton lehtësisht me nevojën për të shkelur ligje e kushtetutë, për të vjedhur një votë në parlament për të miratuar aktin e paprecedentë të nënshtrimit të pushtetit ndaj një privati. Dhe brenda filozofisë së kullës si arkitekturë e autokracisë, po përpëlitet një histori me Teatër.

Teatri Kombëtar do të shembet. Tek ata që duan të shohin një përpjekje dashamirëse ndaj artit për t’i dhuruar një teatër dinjitar (siç të gjithë pa përjashtim duam), duhen ndezur edhe disa llapma që do të dëshmonin se, këtu beteja nuk është mes disa nostalgjikëve të së vjetrës dhe dashnorëve të ethshëm të së resë. As mes një arkitekture tashmë të degraduar dhe vizionit modern të arkitektëve të mëdhenj botërorë. As mes një grupi naivësh a të përdorurish politikë kundrejt një grupi tolerant e të përdorurish militantë të pushtetit. Këtu është çështja e arkitekturës së autoritarizmit, që kërkon me çdo kusht t’i shërbejë modelit që e mban në këmbë dhe nëpërmjet tij, të lërë gjurmën e vet në histori, jo me politika, jo me ekonomi, as mirëqenie e diplomaci. Me një gur do të vrasë dy zogj, me beton do të kënaqë dy themele përjetësie pushteti, oligarkinë dhe trashëgiminë e tij historike!

Ende jemi të paqartë, pse duhen kulla në qendër për të sublimuar një teatër të ri, pse me procedura antikushtetuese dhe në ngut vrastar, kur ndërtesa vetë po të kish zë do të pyeste, se si ka mundësi, që të njëjtët njerëz në pushtet që e gjejnë të shëmtuar, invalide, kancerogjene, nuk hodhën paratë në vite të mos degradohej deri aty ku iu prish konceptin e shtëpisë së artit dhe panoramën e kryeqytetit? Pse të shembet historia për të ndërtuar histori mbi të? Pse duke tjetërsuar pronën publike me një akt grabitqar?

Nuk ka pse të mos dyshojmë, kur faktet sot po dëshmojnë se kullat, ndërtesat moderne të konceptuara nga arkitektët më të mirë në botë (ata që çuditërisht, me gjithë portofolin marramendës artistik, mahniten nga pushtetarë me njohuri e talent mediokër në urbanistikë dhe art), po ndërtohen gjithnjë e më shumë në vende pak të lira e me demokraci të cunguara. Arkitektët më të mëdhenj botërorë, po zhvendosin edhe planet e tyre më ambicioze në vende autokratësh. Dhe ka një shpjegim për të, filozofia “tabula rasa” e vendimmarrësve.

Daniel Libeskind, një nga arkitektët më të njohur në botë, që punon në çdo cep të globit, pak kohë më parë do të kritikonte nga Belfasti arkitektët e gatshëm të ofronin shërbimet e tyre në vende totalitare, të korruptuara ose të kapura. “Mendoj se arkitektët sot, duhet të mbajnë një qëndrim etik; më shqetëson fakti se një arkitekt ka dorë të lirë për të vepruar, sikur të kish një çek të bardhë! Pa e vrarë mendjen se, a ka një proces publik mbi atë projekt, kush e zotëron pronën, këtë tokë, këtë ndërtesë?” Libeskind, me një mospranim total të shteteve ku një forcë politike arrin të vendosë për gjithçka, duke refuzuar parimet demokratike, sheh gjithnjë e më shumë një përpjekje të paskrupullt të arkitektëve edhe shumë të talentuar, për të ofruar shërbimet e tyre aty ku shkelja e ligjeve, ku antikushtetutshmëria është normë. Ai përmend zëlartas faktin se, po dallohet qartë dyndja e arkitektëve në vende ku vendimmarrja e konsultuar, dëgjimi i zërit të publikut, zgjedhjet e besueshme ulen në sediljen e pasme të një makine pushteti, që kujdeset vetëm për pasurimin e liderëve dhe kastës së saj. Çfarë konstatohet lehtësisht pas kritikave të Libeskindit, është se arkitektët shpesh e gjejnë veten në një raport të fortë me pushtetin. Nuk punojnë dot pa të. Dhe kjo vlen për projekte si në SHBA, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe atë të largët. Sepse çdo projekt i madh është triumf i vullnetit të klientit, qoftë ai një zhvillues, një drejtor teatri, muzeu apo qeveri autoritariste. Sepse arkitektët duan klientë që nuk tremben, që investojnë shumë pará dhe tallen me opozitën lokale. Mund të imagjinohet se sa lehtë ndërtohet në një vend si Shqipëria, ku qeveria ka kartonët për të bërë ligje jokushtetuese, ku nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ku nuk ka drejtësi e ndëshkim, ku nuk ka shoqëri civile dhe paraja derdhet lumë. Që të qetësojmë paragjykimet, edhe në vende me demokraci më të konsoliduara se jona, shfaqen projekte të mëdha, ku publiku është kundër, por pushteti do të bëjë çfarë ka vendosur të bëjë. Ama, arkitektët aty përballen me një publik vokal, të angazhuar, me media kërkuese dhe hetuese, ambjentalistë e shoqëri civile, politikanë të vendosur për t’i rezistuar deri në fund vullnetit të pushtetit. Dhe në një mënyrë a tjetër, dekurajohen. Katër vjet iu desh të priste Richard Rogers, arkitektit të Terminalit 5 në Aeroportin Heathrow të Londrës, derisa projekti iu nënshtrua një shqyrtimi e debati të fortë publik, që pasqyroi edhe kërkesat e komunitetit dhe kundërshtarëve.

Tundimi i arkitektëve për të bërë gjithçka të madhe u vjen në dorë, edhe pse me klientë të dyshimtë, është i kuptueshëm. Por janë po këta arkitektë, si vetë Bjarke Ingelsi (projektuesi i Tetarit të Ri), një ndër 100 njerëzit më ndikues në botë në vitin 2016 sipas Time Magazine, që deklarojnë se me projektet e tyre duan të ribëjnë botën, me koncepte të forta sociologjike, parime të zhvillimit të qëndrueshëm, mes vizionesh ëndërrimtare dhe zgjidhjesh pragmatike. Po të lexosh shtypin e sidomos kritikën e specializuar, Ingelsi ngjall kërshëri, entuziazëm, por edhe kundërshti. Si arkitekti që punon në volume të jashtëzakonshme, të cilit i janë besuar shumë projekte të mëdha e ambicioze, por është po ai që në Shqipëri solli një projekt të kopjuar. Shumë të kontestuar për mënyrën sesi po zbatohet. Ingelsi - si shumë kolegë të tij që bëjnë projekte me liderë të korruptuar, të kapur e me kushte të dyshimta – u thotë gazetarëve në botë se punon me ta për të sjellë ide iluminuese në vendet që kanë më shumë nevojë; por çështja është se edhe në prezumimin më optimist të këtij besimi se ky pushtet do të përmirësohet, e dimë ne, konsumuesit e përditshëm të pasojave të tij, se deri ku është i aftë të shkojë më tej. Ndaj, ia vlen të kujtohen arkitektët edhe nga shtypi ndërkombëtar, siç në fakt rregullisht bën, por mund të shtohet edhe rasti shqiptar, se një kufi duhet dizenjuar së bashku me projektet e tyre. Se e nisën me konkurse, por Ingelsi dhe një tjetër arkitekt Winy Maas, që do të rikonceptojë e piramidën, gjetën parajsën, projektin në dorë, pa asnjë konkurs, pa asnjë diskutim, pa asnjë pengesë ligjore. Parajsa e konceptit më delirant të arkitektit: Tabula Rasa.

Në një intervistë për City Lab, Bjarke Ingelsi i pyetur së bashku me një grup arkitektësh se si e ndërton këtë kufi, kur në anën tjetër si klient është një pushtetar i korruptuar, autoritarist, që mund të pastrojë edhe pará nëpërmjet projekteve të tij, ai përgjigjet: “Besoj se si arkitektë mund të kontribuojmë në një situatë lokale me mënyra që janë produktive për shoqërinë, për përmirësimin e jetës së njerëzve atje.” Kjo shpjegon arsyen edhe pse studio e tij BIG, ndërmerr projekte në Kinë, që ka probleme me standardet demokratike. Por Ingelsi, megjithëse qe i gatshëm të ndërtonte një bibliotekë gjigante në Kazakistan, edhe pse dinte lidhjet e presidentit dhe bindjet e tij, nuk arriti ta realizonte. “Sepse korrupsioni i lartë, ryshfetet dhe dyshimet, janë terren i një loje që ne nuk jemi të gatshëm ta luajmë”, u shpreh Ingelsi asokohe. Nuk dimë se si Ingelsi do të përgjigjej sot, se a e konsideron etike përfshirjen e tij në një projekt që bazohet në ligje antikushtetuese, që dëmtojnë interesin publik, që ka dyshime të arsyetuara për spekulime, që tjetërson me arbitraritet pronën publike.

Por, le t’i rikthehemi sërish në fund betonit, si arkitektura e autoritarizmit. Sot, analiza bëhet e thelluar për nevojën e kullave në vende të varfra. Përvoja mëson se, autokratët i ndërtojnë kullat për të shënjuar pushtetin, edhe në kohë krize ekonomike, edhe pse të panevojshme. Universiteti i Oslos, me të dhëna të analizuara, arriti në konkluzionin se autokracitë ndërtojnë më shumë kulla për frymë, se demokracitë dhe se ndërtimet janë më të shtrenjta dhe të panevojshme. Sipas studimit, autokracitë ndërtojnë kulla aty ku nuk ka një përfitim të qartë ekonomik. Kullat kanë më shumë metra katrorë të papërdorur, kërkojnë më shumë kohë të përfundohen dhe shpesh ngjanë me fantazma. Zakonisht ndërtohen për të shpërblyer elitat dhe oligarkët në vend. Dhe ky shndërrohet në model ekonomik, duke e orientuar kapitalin jo nga projekte konkurruese dhe që kontribuojnë në rritje ekonomike, por drejt aktiviteteve të dyshuara të pastrimit të parave. Në gjithë këtë histori me qiellgërvishtëse, arkitektë të mikluar nga “carta bianca”, nevojë pushteti autoritar për të lënë shenjat e veta, lavatriçesh për të siguruar “pastërti”, betoni është shpëtimi. Nëse lëmë këtë arkitekturë të trishtë të na sundojë, sa e dhimbshme do jetë të jetojmë brenda saj?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: