Arben Duro: Këngët e Liqenit, etja jonë për të qenë të lirë

Arben Duro: Këngët e Liqenit, etja jonë për të qenë të lirë
 

Flet ekskluzivisht pwr Albanian Free Press kantautori Arben Duro: “Të rinjtë sot nuk e kuptojnë por brezi im e di çdo të thoshte të këndoje në atë kohë. Unë jam arrestuar 3 herë për agjitacion e propagandë. Dhe 3 herë pata fatin që kisha shokë djem që i kishin prindërit me pozitë. Herën e fundit kam shpëtuar për qime sepse rrezikoja të burgosesha 15 vite. Kishim shumë ëndrra, por jo plane sepse një pjesë e jona i kishte mendimet jashtë kufijve. Është kjo arsyeja që unë dëshiroj me shpirt që aty, tek Liqeni, të ketë një gur, një vend që të kujtojë atë kohë.”

Le ta quajmë këtë një intervistë nostalgjie, sepse për një pjesë të madhe të publikut shqiptar, këngët e Arben Duros, ose Ben Duro, siç e thërrasin miqtë dhe e njohin të gjithë, kanë qenë motiv i fishkëllimave të qindra djemve të dashuruar, sepse Beni sa herë vjen në Tiranën e tij të dashur, mbart ide dhe sjell dinamizëm. Mbledh ish çunat e Liqenit dhe koha ndalet, kthen akrepat pas në vite, kur ata ishin nismëtarët e një muzikë në liri.

Por kur takohesh me të, shikon se këngëtari dhe kantautori Arben Duro ka mbetur ashtu siç e njohin "çunat" e mëhallës së tij të vjetër, diku aty të kinema 17 nëntori, siç quhej dikur. Prej kohësh ai dhe familja janë shpërngulur prej asaj zone, duke shkuar te Xhomlliku ose te Oxhaku, siç e njohin tironsit, ndaj zemra e tij prej djaloshi është e ndarë prej shumë copash me miqtë e tij të vjetër të cilët, as gjatë intervistës, nuk e lënë të qetë. Orë e çast ai ngrihet e takon shokë të fëmijërisë që i kërkojnë të rikthehet.

Tirana është muza e Ben Duros, është vendi ku ka lënë zemrën së bashku me vitet e rinisë, sepse të tjerat nuk kanë ndryshuar, po ai trup, po ajo prerje flokësh, i njëjti vështrim që nuk gjen qetësi, thuajse e njëjta mënyrë të veshuri rrok dhe mbi të gjitha e njëjta, madje e shtuar, energji e brendshme që i shndërrohet në veprim dhe e mban në lëvizje të përhershme. Është një "çun" tirone që vazhdon të dojë rrugët e saj të vjetra, shtëpizat e pallatet me tulla silikate, njerëzit me të cilët ka ndarë vitet e rinisë ëndërrimtare, por veçanërisht këngën, pasionin e tij më të hershëm e më të madh. Ajo është pasioni që e ka shoqëruar gjithmonë dhe nuk e ka lënë kurrë në baltë shpirtërisht, sepse ka mbushur edhe kohët e errëta, edhe dhimbjet, edhe mallin.

Prej këtyre djemve që mblidheshin diku në një strehës buzë Liqenit Artificial lindën këngët që mbajnë emrin e Arben Duros, pra këngët e liqenit. Brezi i të rinjve të viteve ‘80 e di mirë se për cilët "djem" bëhet fjalë. Ata mblidhnin rreth vetes gjimnazistë, studentë, punëtorë dhe kalonin orë të paharrueshme nën tingujt e kitarës, me "hit"-et: "Djall e dreq, por nuk jam i keq", "Prindërit", "Anxhela", "Medaljoni", "Ti qaje", e shumë këngë të tjera që sot vazhdojnë të përlotin nostalgjikët, por që më të rinjve u krijojnë ndjesinë e një tjetër mënyre të dashuri, asaj dashurie që, si çdo gjë në kushte të vështira, ishte e fortë deri në dhimbje.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Të gjithë ne mendojmë se grupi i djemve që këndonin tek Liqeni i përket viteve ’80...

E vërteta është që ka nisur më herët, rreth mesit të viteve ’70. Ishim disa djem shumë të rinj që takoheshim tek guri te Muzeu Kombëtar e më pas merrnim rrugën për nga Liqeni i Tiranës. Ashtu siç cepat e pallateve ishin vendi i fshehtë ku lindnin dhe rriteshin dashuritë, në fshehtësi, larg syrit të mentalitetit, ashtu ishte liqeni për ne. Skuta jonë e fshehtë ku mund të shpërthenim etjen tonë për liri. Sepse në fund të fundit kjo ishte, ishte etja jonë për të qenë të lirë. E kush më mirë se kënga mund të na ndihmonte për të gjetur vetveten.

Pra kënga ishte valvula jote e lirisë personale?

Te kënga kam gjetur dhe gjej veten dhe mënyrën për të shprehur të thënat e të pathënat e shpirtit dhe të mendjes time. Ishin vite kur jetohej në një tjetër realitet, kohë të errëta që njihnin vetëm dimensionin ndrydhës të nënshtrimit dhe frikës. Në kohë të tilla, më i plagosuri është shpirti. Ai ka nevojë më shumë se trupi për liri, ajër, hapësirë. Unë dhe shokët e mi i gjenim tek muzika. Ashtu si buka, na duhej kontakti me shpirtrat e tjerë dhe me gjithë bukuritë e mrekullitë që natyra t‘i ofron bujarisht e falas. Një shpirti i duhet frymëmarrja dhe shprehja që të përjetojë e të rrëfejë ato ndjesi që na bëjnë unikë si qenie në këtë planet: dashurinë dhe miqësinë.

Kishit një ditë të caktuar kur mblidheshit tek Liqeni?

Unë gjithmonë kam kënduar, në dallim nga djemtë e tjerë preferoja të këndoja e jo t’i bija edhe kitarës, domethënë jam dalluar për vokalist. Por pasi mbarova ushtrinë, në Mjekës të Elbasanit, aty mori më shumë hov edhe dëshira për t’u bërë bashkë me miqtë e për të krijuar këngë të reja, jashtë konjukturave të kohës. Ishte fillimi i viteve ’80, ne ishim disa djem tirone, ishim kthyer nga ushtria gati të gjithë sepse përgjithësisht për arsye biografie, as që flitej që ne të vazhdonim arsimin e lartë. Në ato vite ishim në kërkim të punës, por pasditeve, kryesisht të dielave, dilnim në rrugët kryesore për të soditur femrat e bukura origjinale të xhiros së asaj kohe. Këngët tona, meloditë e atyre viteve, marrin shumë kuptim sepse parku i Liqenit ishte vendi i mijëra çifteve, i mijëra dashurive. Më ndodh shpesh që takoj ndonjë prej vajzave ose djemve, të cilët as që i njoh, ndalojnë e më përshëndesin. Sot janë gjyshër por më thonë se ndërkohë që unë këndoja me shokët e mi, ata kishin qenë aty pas një peme. “Ne të njohim ty po ti s’na njeh ne. Ajo këngë jote, “Në kopshtin me lule kalova”, ka qenë kënga jonë e rinisë. Ne të dëgjonim ty të fshehur pas teje dhe sa herë që linim takim nga liqeni, mendonim me vete se uronim të ishe vërdallë.” Të rinjtë sot nuk e kuptojnë por brezi im e di çdo të thoshte të këndoje në atë kohë. Unë jam arrestuare herë për agjitacion e propagandë. Dhe tre herë pata fatin që kish shokë djem që i kishin prindërit me pozitë. Herën e fundit kam shpëtuar për qime sepse rrezikoja të burgosesha 15 vite. Kishim shumë ëndrra, por jo plane sepse një pjesë e jona i kishte mendimet jashtë kufijve. Është kjo arsyeja që unë dëshiroj me shpirt që aty, tek Liqeni, të ketë një gur, një vend që të kujtojë atë kohë.

Është shumë i famshëm dyshja jote me Biken, Ludovik Gjokën...

Po, gjatë kohës kur isha ushtar u njoha me Biken, me Sandër Gjokën përmes Bikes, ndërsa me dashnor Dikon dhe Leonard Bulkun jam njohur më parë. Ishim shumë pak djem që kishim guxim të mblidheshim e të këndonim. Te guri i Muzeumit vinin djem nga e gjithë Tirana, që nga Kombinati.

Si ishte kjo historia e biografisë?

Unë jam me rrënjë nga Durollarët e Përmetit, kisha gjyshin kulak, fis i pasur ndaj sigurisht që shikohesha me sy të shtrembër nga sistemi. Babai im ka qenë tregtar i njohur të Tregu fshatar. Nëna shtëpiake. Por unë, ah, shumë rebel, kam qenë gati të arratisem tre herë. Kokën aty e kisha, si të ikja larg atij sistemi.

Nuk u arratise dot? Çfarë ndodhi? Mendon se ruheshit në atë kohë? Kishit ndonjë spiun pas jush?

Për veten jam mëse i sigurt që më ruante sigurimi. Një shoku im u arrestua sepse donte të arratisej. Unë nuk rrija dot pa folur që e urreja sistemin. Bëja madje batuta mbi këpucët e bardha të Enverit, që sipas meje, nuk ishin mashkullore, ndaj ai nuk mund të na qeveriste. Ka qenë, kujtoj, një vend, një si pemë e madhe në një lulishte me stola, vend takimesh, tek Zogu i Zi, ku takoja një vajzë. Flisja pa pushim kundër sistemit. Ajo vinte nga një familje e ngritur me babain pedagog e më thoshte të mbyllja gojën sepse edhe pemët kishin veshë. “Le të më fusin në burg, do bëj nja 5-6 vjet e s’kanë ku të shkojnë, do më lirojnë. Se gjërat do ndryshojnë, nuk do mbetet kështu përjetë.”-i thoja asaj. Shoku im që u arrestua bëri nja 9 vite burg, për arsyen e vetme sepse zuri të dashur vajzën e ambasadorit turk. Me këtë shokun bënim plane për t’u arratisur. Ndërkohë unë kisha bërë edhe plan të ikja nga Erseka sepse një xhaxha e kisha të martuar në Ersekë dhe djalin e kishte bari. Ai do më shoqëronte deri në kufi me Selanikun. Por këtë shokun tim, siç tregova, e arrestuan e për mungesë provash e liruan por e degdisën në Martanesh. Kur doli më tha që të bëja kujdes sepse e kishin pyetur për mua në hetuesi. Sigurisht që bëra kujdes. Menjëherë Bikja, Ludovik Gjoka, iku drejt Tropojës, për t’u larguar nga unë dhe për të bërë njëkohësisht patentën e naftës, siç quhej atëherë. E larguan ata të shtëpisë nga meraku. Demokracia erdhi pak më vonë se unë e prisja, mora pjesë në festivalin e RTSH-së si dhe organizuam me Kujtim Prodanin një koncert aty ku Kujtimi punonte. Por edhe pas largimit unë kthehesha gjithmonë në Tiranë, ku hapa dhe shtëpinë diskografike “Shqipja 2000” dhe “Tre musketjerët”, vendin ku këndonin te artistët, miqtë e mi, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe Elton Deda. Sot ka mbetur vetëm emri i grupit sepse klubi nuk është më. Në vitin 2010 ndërmora nismën që në fakt e kisha prej shumë kohësh në mendje, mbrojtjen e të drejtave të autorit. Kam kaluar pra një periudhë mes biznesit dhe muzikës.

Por u largove drejt Austrisë. Si ndodhi kjo?

Unë u largova në 1991. Nuk më pëlqeu të ikja me ambasadat, shumë rrëmujë dhe shumë nivele njerëzish bashkë. Kam ikur përmes Shkupit me disa miq të mi, në Shkup i kam hipur trenit deri në Prishtinë, në Prishtinë vinte treni për në Mynih, me viza fallto bullgare. Na kapën në kufi me Austrinë dhe ndenja e u vendosa aty. Tani kam një kërkesë të brendshme të fortë.

Pse erdhi kjo kërkesë?

Është një thirrje e brendshme, ajo muzikë është pasioni im. Por mendoj edhe se ajo muzikë e pastër po rikthehet përsëri, publiku ka filluar ta kërkojë. Edhe njerëzit që më takojnë më shtyjnë të rikthehem me këto këngë rebele por me shpirt. Të them të drejtën unë e dashuroj këngën e më vjen shumë keq kur shikoj që përdoret. Sigurisht edhe unë e njoh interesin, biznesin, por qëllimi im kryesor ka qenë dhe mbetet kënga. Nëse unë i bëj qejfin vetes dhe ndihem mirë, ua bëj qejfin edhe të tjerëve. Unë dua të ndihem mirë mes miqve të mi, të atyre që e ndjejnë muzikën si unë. Problemi i vetëm këtu është mungesa e seriozitetit kur merret një nismë. Një menaxhim i mirë i artit dhe respektimi i të drejtës së autorit do kishte zgjidhur shumë gjëra.

Por a janë mjaftueshëm të bashkuar artistët për të bërë nisma të mira?

Grupet e interesit duhet të bëhen bashkë, artistët, kompozitorët, këngëtarët, producentët etj duhet të jenë bashkë por nga ana tjetër duhet edhe tarifa të përballueshme, që të arrihen të mblidhen, duke pasur parasysh edhe nivelin ekonomik të vendit.

Pra me sa kuptova, ëndrra jote është që ato këngë dhe ata artistë të kenë një vend ku të performojnë në formë akustike krijimet e tyre?

Po, e dua shumë këtë gjë dhe dua shumë të jetë tek Liqeni, aty ku nisi gjithçka. Uroj që të kem edhe mbështetjen e institucioneve.

Jam kurioze, kënga “Anxhela” është histori e vërtetë?

Po, është një histori e vërtetë, historia e dashurisë së vëllait tim të madh, me të cilin unë rrija shumë. Ai rrinte dhe me shokët e mi. Vëllai i thotë Sandrit që t’i bënte një këngë mbi dashurinë e tij për këtë femër. Teksti i shkruar nga një djalë që ka qenë ushtar me mua, u muzikua nga Sandër Gjoka, ma tregojnë tek lulishtja pranë hotel “Dajtit”. Që në daljen e parë është kënduar mbi 30 herë. Ose p.sh vargu....u ndave nga mua, more arratinë...uuuu sa frikë që kishin kur e këndonin, sepse ishte koncepti i arratisjes dhe haje burgun.

Do i risjellësh të përpunuara këngët e atyre viteve?

Jo, vetëm në atë version, siç kanë qenë. Ato këngë janë si vera e mirë, kalon koha bëhen më të mira. Nuk mund t’u shtosh ujë e as ndonjë gjë tjetër, sepse u ikën shija. Kur je emigrant, larg atdheut e kupton se sa peshë kanë për ty kujtimet, por edhe këngët me të cilat ato lidhen dhe këngët që të ngrohin zemrën janë vetëm ato në gjuhën e nënës. Por duhet të jenë këngë të pastra, këngë shqiptare. Me kitara të pastra akustike, si atëherë.

Pse vazhdon u qëndron kaq besnik këngëve të Liqenit?

Këngët e liqenit janë tipike tingull i pastër shqiptar, janë melodi që nuk do të vdesin kurrë, sepse janë origjinale, nuk janë kopje të asnjë lloj rryme dhe pjellë e asnjë lloj komercializmi. Na pëlqente që të këndonim në shqip, në gjuhën tonë që tingëllon aq bukur dhe që përkon aq mrekullisht me muzikën, duke pasur vetë një fonetikë aq melodioze.

Pse mendon se njerëzit janë nostalgjikë?

Sepse ato kujtime i mbajnë gjallë. Unë rroj shumë me të shkuarën, ajo më rinon, më mban aktiv. Një shprehje thotë se njerëzit e dobët hidhërohen kur kthehen në kujtime, ne të fortët lumturohemi kur kujtojmë të shkuarën. Edhe pse kam kaluar përplasje të forta, unë kujtoj vetëm gjërat e bukura. Sa herë vi, unë shkoj takoj të gjithë djemtë e mëhallës, miqtë e atyre ditëve të bukura.

Të është bërë Austria atdhe i dytë, pas kaq vitesh?

Asnjëherë, edhe pas 200 vitesh jo. Shpirti im është këtu. Këtu gjej adrenalinën time.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: