“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulimi ekskluziv: Ja pse Kryeministrit i dhëmb mesi

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Zbulimi ekskluziv: Ja pse Kryeministrit i dhëmb mesi
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Siç na spiunoi gazetari ynë Arianiti, i cili merret me sportin, futbollisti Mesi nuk do të shkojë të luajë me Internacionalin, apo siç i themi neve në gazetari, Interin. Themi lajm i mirë, pasi shkuarja e Mesit te ai klub, do të bënte që konkurrenca me Ronaldon i cili kaloi te Juventusi, të vazhdonte edhe në Itali. Kjo do të sillte që kryeministri ynë i cili është tifoz me Juven, të shpërqendrohej nga punët qeveritare e të fokusohej te futbolli. Tani pra, do ketë më tepër kohë që t'i përkushtohet rritjes së mirëqenies së masave popullore.

E meqë ra llafi te Kryeministri. Para disa javësh u bë e ditur nga selia e PD-së se udhëheqësi i saj i madh, shoku Luli, përgjohej nga policia. Ne morëm vesh që Policia e Shtetit përgjonte edhe Kryeministrin. Pas një pune të madhe tonën, ne zbuluam një raport të policisë.

Ja ç'thuhej ndër të tjera në të:

Ora 7.00: Kryeministri hapi dritaren e bunkerit të tij në Surrel. Duke qenë se dritarja ndodhet në pjesën e lartme, pra në tavan, pasi siç e dimë vila ku ai banon, nuk ka dritare në pjesët anësore, agjenti ynë vëzhgues ishte ngjitur në majë të një peme, për arsye se vetëm prej saj mund të shikonte hapjen e dritares së atij bunker-vile.

Sqarojmë se pasi dritarja u hap, agjenti ynë dëgjoi një të bërtitur të zgjatur "oooohhhh!". Kryeministri, siç na spiunoi agjenti ynë në majë të pemës, kishte këputur mish, në kohën që kishte zgjatur dorën në tavan, për ta hapur atë dritare. Mendojmë, por nuk jemi të bindur se është ky shkaku që kryeministri ka probleme të herëpashershme me mesin...

Ora 8.01: Ministri i Ekonomisë, shoku Ben Ahmetaj (siç ai na u duk), futet me vrap si një tigër i vërtetë. Në krah mban një thes. Nuk mendojmë se në të ka lekë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: