“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Urim ekskluzivisht me ekskluzive! 

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Urim ekskluzivisht me ekskluzive! 
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Nesër fillojnë pushimet. Themi lajm i mirë, pasi me thënë të drejtën shkrimi i satirës është i lodhshëm e duhet një periudhë lehtësimi. Jo më kot, shumë gazeta të lodhura nuk botojnë rubrikë të tillë. E meqë ra llafi te botimi. Sot po risjellim disa lajme, të botuara më parë, ekskluzivisht në rubrikën tonë.

Ne zbuluam ekskluzivisht nga shoku Blendi Klosi, se turistët turq mund të vijnë pa teklif në vendin tonë. Vetë shoku Blendi foli edhe për një çështje madhore, duke na thënë: "I thashë  atij kapitenit (ushtarakut turk që takoi), se turqit kudo ku ndodhen (që nga Tataristani në Gjermani, e nga Uzbekistani në Bosnjë), mund të vijnë t'i shikojnë telenovelat e tyre, këtu në vendin tonë. Kuptohet, pa patur nevojë për të paguar. Jam i bindur që kështu do bëjnë. Tani që do nënshkruajmë marrëveshje me Greqinë, numri i turqve që do vijnë në vendin tonë do shtohet. Është kërkesë e Tahipit..."

Një tjetër lajm ekskluziv zbuluar prej nesh, ka qenë edhe ajo që na tha shoku Ilir Meta, i cili na deklaroi: Monika nuk më telefonoi pas tërmetit! E mirëkuptojmë mostelefonatëm e shoqes Monika, pasi nuk është e lehtë për një femër "të të humbasë tepsia". Shpresojmë se pas mosdekretimit të ligjit Për Kullat e Teatrit, shoqja Moni do t’i afrohet sado pak shokut Ilir.

E meqë ra llafi te Teatri. Ne, në rubrikën tonë kemi zbuluar ekskluzivisht edhe një takim të shoku Erion Veliaj, me disa artistë. Ja një pjesë e këtij bashkëbisedimi:

Aktori C. - Shoku Erion! Kom në dor' veprën "Romeo dhe Zhuljeta". Do desha t'i bojsha provat sa më afër realitetit. Zhuljeta të dalë në ballkon!

Erion Veliaj sigurisht që ishte dakord. Ai tha: ...Ke nevojë për Zhuljetë? Ta gjej unë! Kam plot vajza që kanë mbaru Artet dhe punojnë këtu në Bashki. Nëse nuk të pëlqejnë ato, i them Maznikut, të vishet si femër dhe të luj rolin e Zhuljetës.

Aktori C ishte gati te bënte be për kokën e mamit. Të mamit të tij, kuptohet: Ai disi i ofenduar, tha: - S'e kom hallin ke Zhuljeta, shoku Erion. Jo se nuk kom besim ke Mazniku, që mund të boj pa problem rolin e Zhuljetës. Kam problem që shtëpin' teme ku du me bo provat e kom vetëm një-katshe dhe pa ballkon. S'kam ku me lënë Zhuljetën...

Erion Veliaj kur dëgjoi për këtë hall të madh të aktorit tonë që luan ndonjëherë në Teatër, e ndoshumë herë në radio, tha: -Po lene në krevat, mer plak! Boj shaka, për me shtensionu situatën. Ke shtëpi një-katshe?! E turpshme, për kët' kohë! Unë vetë që s'jom aktor, në skenë, po ma bon mami shtëpinë me dy kate. Shumë e...

Aktori C. -Me më dhon ndonjë kredi të butë, për me hudh ene dy, a tre kate të tjera. Kuptohet, për të mirën e artit. Du që Zhuljetën ta vendos sa më nolt, te ballkoni i katit të funit të shtëpis'. Do ua di shumë për n(d)er, shoku Erion. Erion Veliaj që sigurisht nuk duan t'ia përmendin fjalën nder, u revoltua pak dhe tha: - Ça thu mer plak! I ka vdek mami atij muhabeti. Shko që tani merr lekë nga fondi i emergjencave në Bashki. Thuj më ka thon Erioni, që mo o përmbyt shtëpia. Maroj kjo pun'!".

Një tjetër ekskluzivitet që neve kemi botuar, ka qenë deklarata e Ambasadorit tonë në Kosovë, shokut Qemal Minxhozi, lidhur me...

Kujtojmë se, para pesë muajsh 40 çika prej Kosove, vizituan qytetin e Sarandës, që nga greqishtja do të thotë 40. Ne, pas kësaj ngjarje bashkëllafosëm me shokun Qemal, i cili ishte shumë i tensionuar. Ja ç'na tha ndër të tjera ai: "Ka disa djelmosha në Kosovë, që meqë e kanë emrin Tomor, duan të vijnë me patjetër dhe të vizitojnë malin e Tomorit, apo Erzenat që duan të shikojnë lumin e Erzenit...por kur të shikojnë që një pjesë e malit është bërë fushë nga guroret, apo kur të vështrojnë lumin plot plehra, do t'ju vijë keq për emrin që mbajnë. Gjatë beharit, në Shqipëri do vijnë dhjetëra çika që e kanë emrin Flaka, - na tha ekskluzivisht shoku Qemal. - Kam menduar që t'i sjell në behar, meqë atëherë shqiptarët u vënë flakën pyjeve. Në çdo vatër zjarri, nga jugu në veri, do ketë nga një çikë Kosove pranë, me emrin e bukur Flaka".

Gjithashtu, ekskluzivisht ne kemi bërë të ditur se shoku Fatmit-Fate Velaj, kishte dy muaj që po përpiqej, por pa rezultat, që të mbaronte një pikturë. Ja bashkëllafosja e bërë me të, teksa shoku Fate hiqte shpesh nga koka, për respekt, kapelen e tij, pasi pas nesh që e intervistonim, kishte një televizor ku shfaqej shpesh fytyra e Kryeministrit. Fate Velaj ndër të tjera na tha: - Sa bëhem gati që të përfundoj pikturën e lumit, niveli i ujit rritet, meqë këtu më Urë të Mifolit ku jam stacionuar unë me kavaletën time, vjen uji i shirave i rënë në Tepelenë. Sapo unë zmadhoj në pikturë, lumin, uji që vjen nga Tepelena, ulet. Më ka gjetur belaja. Më duhet të fshij zmadhimin e lumit, pastaj. Më shkuan këto dy muaj, fshi e shto bojë në pikturë, për të bërë Vjosën siç duhet.

E meqë ra llafi te lumi. Ju urojmë ekskluzivisht pushime të mbara në lumë dhe aty ku derdhet lumi!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: