“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoku Ulsi Manja fakton se e ka përfunduar shkollën e mesme

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Shoku Ulsi Manja fakton se e ka përfunduar shkollën e mesme
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Para një dite e pak, mbylli punimet Kuvendi. Nuk është e nevojshme të sqarojmë se përse themi se kjo mbyllje përbën lajm të mirë për vendin. Në emër të gjithë punonjësve të lokalit ku pi kafe redaksia jonë, ju urojmë deputetëve pushime të mbara, pavarësisht se në cilin ishull do të shkojnë.

E meqë ra llafi te mbyllja. Dje u mblodhëm si redaksi e menduam se ç'do të shkruanim tani që Kuvendi mbylli punimet. Jeta politike është shkrehur. Administrata, sigurisht që nuk punon, pavarësisht se shkon në vendin e punës. Në ndihmë na erdhi një gazetar i shquar televiziv, i cili kishte vënë kasetën e një e programi të bërë prej tij, kohë më parë.

Kur ky gazetari i famshëm vendos gjithë beharin, emisione të shfaqura më parë, përse mos të vendosim edhe neve përmbledhje të shkrimeve tona, deri në momentin që do kemi ndonjë lajm të ri politik, i thamë vetes. Tani lajm po bën vetëm shoku Ulsi, me Reformën në Drejtësi. Dhe kështu vendosëm të bënim. Falënderojmë gazetarin e njohur që jo drejtpërdrejt na ndihmoi me këtë ide verore, që siç quhet në gazetari, "Best Of".

E meqë ra llafi te shoku Ulsi. Para disa kohësh ne zbuluam një letër, që ai i drejtonte shokut Edi Rama. Në atë letër nuk i llafoste aspak për reformën e famshme që po drejton. (Këto gjerat me Reformën në Drejtësi, shoku Ulsi nuk është e nevojshme t'ja thotë me letër). Në letrën që kapëm, shoku Ulsi e informonte shokun Edi, për një vjedhje, këtë herë nga jashtë, të bërë brenda në godinën e Prokurorisë së Durrësit.

Shoku Ulsi, si njohës i mirë i akteve kriminale në marrjen e materialeve zyrtare, shkruan: "Mendoj se kjo ngjarje, (e ka llafin pra te vjedhja e bërë në Prokurorinë e Durrësit), duhet skalitur fort në mendjet e çdo shqiptari të sotëm e të ardhshëm. Më tej, i madhi Ulsi shton: “Përse them kështu? E ç'bënë më shumë ilegalët e Tiranës, në korrik të vitit 1943, që morën arkivën e Ministrisë së Brendshme të atëhershme?! (Shoku Ulsi pyet jo se nuk e di se ç'bënë ilegalët. Sigurisht që e di dhe fakti që flet për këtë ngjarje, tregon se shkollën e mesme ku mësohej për këtë aksion të bërë në kohën e luftës, shoku Ulsi e ka kryer dhe se opozita e ka njollosur pa të drejtë.)

Më tej, në letër shkruhet rreth asaj ngjarje të hershme: “Në korrik të atij viti, administrata shqiptare fashiste ishte shthurur, pas grushtit të shtetit në Itali, kundër Duçes”. Pastaj shoku Ulsi, kalon me finesë te ngjarja e tanishme, duke shkruajtur: “Pra, në aspektin heroik, kjo ngjarje e tanishme qëndron shumë më lart, pasi ndodh në një kohë që ju, shoku im, e keni administratën dhe çdo strukturë të shtetit në këmbë, në lartësi të detyrave që i keni lënë të përmbushin. “Ju kujtoj se për atë ngjarje të korrikut të vitit të largët 1943, u bë edhe një film. Ai "Nga Mesi i Errësirës", gjasme film artistik nga Kinostudioja jonë. Nuk po them, që të bëjmë edhe neve një film për këtë ngjarjen e tanishme, por diçka për te ERTV-ja mund të bëjmë. P.sh., ju mund të dilni dhe të bëni disa batuta. Ju kujtoj shoku im Edi se në godinën që tani është një Ministri dhe ku u krye ai akt nga njësiti gueril, ka një pllakatë që tregon veprën e atyre djemve të rinj. Kërkoj (sigurisht kërkesa e shoku Ulsi, është bërë urtësisht) me përulësi që edhe në godinën e Prokurorisë së Durrësit të skalitet një pllakatë, ku mund të shkruhet me gërma të arta: "Pas një aksioni të koordinuar mirë, njësiti heroik i qytetit, bëri të mundur hapjen e dyerve të Prokurorisë së Durrësit dhe marrjen prej saj të të gjithë atyre ç'donin të merrnin!", -shkruan ai.

Më tej, shoku Ulsi pasi hedh idenë e tij, sigurisht vendimin ia lë ta marrë shoku Edi. “Gjithsesi, përmbajtjen e tekstit vendoseni ju, se juve ju kemi mjeshtër të komunikimit!”,- shkruan shoku Ulsi. Në fund, letra mbyllet me urimet nga zemra mavi e shokut Ulsi, i cili thotë: “Të na rroni sa malet, o shoku Edi!”.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: