“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Populli ka dashuri për qeveritarët, ata kanë dashuri për tërmetin

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Populli ka dashuri për qeveritarët, ata kanë dashuri për tërmetin
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Siç na spiunoi një kolege, sasia e qumështit të përpunuar në fabrikat tona, është rritur. Themi lajm i mirë, pasi kjo është bërë e mundur me më pak sasi qumështi të marra nga bagëtitë, krahasuar me vitin e kaluar. Nuk mendojmë se qumështit i është hedhur ujë, apo përbërës të tjerë.

Ju kujtojmë diçka, të cilën ne si rubrikë e kemi trajtuar. Edhe ekonomia e vendit, pati rritje në tremujorin e parë të vitit, pavarësisht se numri i popullsisë na ra.

E meqë ra llafi te vendi. Sot po sjellim dy poezi satirike të qytetarit nga Prrenjasi, shokut Beso Ballari. Në to shprehet dashuria që ka populli ynë për qeveritarët e vendit, si dhe dashuria që kanë qeveritarët për tërmetin...

Më mirë, lexojini vetë:

DIL NJËHERË NGA AI RRESHT!

Kam dy fjal' për qytetarët

Dy fjal', thjesht për dashuri

Vijn' dhe ikin kryetarët

Këtu mbetim, un' dhe ti.

Un' dhe ti, i japim votën

Atij burri që drejton

Ndaj me mua trokit gotën

Ai ikën. S'të kujton.

Që s'ka sport dhe argëtim

Edhe lojra për fëmij'

Rri me mua miku im

Ai ikën, s'do t’a dij'.

Që për pun', as ty as mua

Nuk e mbajti hiç premtimin

Më duaj dhe të të dua

Ai ikën, me fitimin.

Që s'më sheh ti në sken'

Mua dhe shokët e mi

Është ai që na gënjen

Ndaj s'të bëj me faj ty.

Që veç veten e dëgjon

Se të tjerët hiç nuk dinë

Hë mor mik a më kupton?

Apo mendja, arratinë?

Ja, po ta bëj të thjesht'!

Un' dhe ti këtu do mbesim.

Dil një her' nga ai rresht.

Edhe votën mos ta shesim!

PO TEATRI PËRSE NUK RA?

Që si bombë mos t'ju bjer'

Nuk jua them menjëher'

Por me pakëz marifet.

Në Tirane ra tërmet

Ra, e nuk ishte shaka.

Po ai, përse nuk ra?!

Priste Rama n'telefon

Një fjal' nga shoku Erion

T'i jepte një sihariq

Ai që ndërton me miq.

E priste lartmadhëria

Që të niste fill gostia.

E t'ju thoshte se e dija

Gati sofra, gati luga

Edhe priste si lubi

Por i erdhi lajm i zi.

Sepse s'bie historia!

Dhe pse do makutëria!

Post Scriptum: Përse shkruaj? Unë nuk shkruaj prej inatit. Ka vetëm një arsye që më "detyron" të shkruaj. SHQETËSIMI! Shqetësimi, për ç'ka ndodh rreth nesh. Të shkruash është kontribut. Shkruhet për të të lexuar miqtë dhe shqetësimi yt, të bëhet edhe i tyre. Jetojmë bashkë, gëzojmë bashkë, vuajmë bashkë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: