“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Ju tregoj si "më gjuajti" Presidentja e Kroacisë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Ju tregoj si "më gjuajti" Presidentja e Kroacisë
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Kemi biseduar me numrin dy të Rilindjes, shokun Taulant Balla. Atë e takuam pasi i dolën llafe që kishte ngacmuar me sy, Presidenten e Kroacisë.

Pa u zgjatur, ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Taulant! Cili ishte qëllimi i shkeljes së syrit tuaj...?

Taulant Balla: Unë i shkela syrin tim pishë, Presidentes të Kroacisë?! Shpifje të Saliut!

Antena: Më falni shoku Taulant, por neve e pamë edhe vetë që i shkelët syrin e djathtë...

Taulant Balla: Pikërisht ndaj them se është shpifje. Unë kur i shkel dikujt syrin nuk kam nevojë të përdor të djathtin, kur fare mirë mund t'i shkel dhe ta palos në vend me të majtin.

Antena: Atëherë, le ta riformulojmë pyetjen. Përse i mbyllët syrin e djathtë?

Taulant Balla: Kam ca kohë që shpesh më mbyllet vetë. Më bën alergji ndonjë lule, tani që është nxehur moti. Ç'nuk kam hequr për ta hequr alergjinë, por nuk ia kam dalë dot. "I kanë pyjet këto sëmundje", më tha njëri që ka qenë shofer me dru dhe tani është deputet.

Antena: Ju kuptoj! Po si do ia bëni? A keni menduar si mund ta kuroni?

Taulant Balla: Taksirati im, do shkoj në Gjermani në ndonjë klinikë. Mbeta nëpër pyje, ç'të bëj. Rrjedhimisht, edhe alergjitë do jenë prezente. As në stadium të shikoj Bajernin e Mynihut, nuk shkoj më dot në këtë gjendje që jam.

Antena: S'ju ndatë asnjëherë Bajernit. Nuk shkoni dot?! E përse jo?

Taulant Balla: Në shkallët e stadiumit, tifozët pijnë birra. Alergjia aktivizohet menjëherë nga birra. Sesi do ia bëj unë pa parë Bajernin, nuk e di. Ia thashë edhe Presidentes së Kroacisë, kur e takova në privatësi.

Antena: Ju keni takuar Presidenten e Kroacisë në privatësi?!

Taulant Balla: Nuk e di ti?! Më ftoi në vallëzim dhe më shkelte syrin gjithë kohën. Unë ama, nuk ia vara fare.

Antena: Përse nuk ia varët?!

Taulant Balla: Më shkelte syrin e djathtë, ndaj s'ia vara. I thashë që nëse donte që t'jia varja, duhet të më shkelte të majtin. “Ne të djathtët shkelim vetëm syrin e djathtë,- më tha, teksa vallëzonin. - Edhe ne të majtët, shkelim vetëm të majtin, - i thashë. Më tregoi edhe se i kishte pëlqyer shumë qyteti i Beratit.

Antena: Berati është vërtet qytet i bukur.

Taulant Balla: Me këtë bukuri që ke, të kishe qenë 20 vite më parë në Berat, sot me shumë gjasa, do ishe politikane në Itali..., i thashë.

Antena: Eeee, ashtu mendoj edhe unë...

Taulant Balla: Kur do shkojmë të vallëzojmë te ai ishulli që ju rilindasit bëtë në mes të Osumit? -më tha e më shkelte syrin. Dukej që më gjuante.

Antena: Nga e kishte marrë vesh, punën e ishullit?

Taulant Balla: Ajo kishte marrë vesh edhe se merresha me prerjen dhe tregtimin e pyjeve. “Ne të dy kemi të përbashkëta, se edhe unë vij nga Republika e Dubrovnikut, më tha. Siç më shpjegoi, Dubrovnik, do të thotë, "Zabel me Lisa".

Antena: Thatë që ju ftoi të vallëzonit te ishulli në Osum! Po ju ç'i thatë? Mos i treguat të vërtetën duke i thënë që atë ishull s'e keni ndërtuar...?

Taulant Balla: Pse ç'jam unë të tregoj! I thashë që na kane dalë disa probleme, ndaj e kemi vonuar ndërtimin e atij ishulli. Mirëpo, beratasit kanë mbetur të kënaqur edhe me punimin grafik të këtij investimi. Ia nxora dhe ia tregova edhe Presidentes së Kroacisë.

Antena: Çfarë i treguat?

Taulant Balla: Punimin grafik të ishullit në mes të Osumit, pra. I tregova edhe ceremoninë që bëmë në Pallatin e Kulturës të Beratit, posaçërisht për këtë projekt. Qante dhe më përqafonte. “Sa punëtorë jeni ju politikanët shqiptarë”,më thoshte. “Ne rilindasit, më shumë se të tjerët”, -i thashë e të dy shikonim ishullin e ndërtuar në Osum, grafikisht...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: