“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Edhe Edi është i lidhur me krimin, si Luli!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Taulant Balla: Edhe Edi është i lidhur me krimin, si Luli!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm  të mirë. Dje ra tërmet. Themi lajm i mirë, pasi prej saj, salla ku mblidhet Komisioni i Ekonomisë, pati vetëm pak plasaritje. Mund të ndodhte që suvaja të kishte rënë, e do linte pa punë shumë deputetë të këtij komisioni. Kjo do ishte një ngjarje e rëndë, ndërkohë që vendi i është përveshur punës dhe ekonomia vetëm rritet. Nga ky tërmet, për çudi të dhjetëra specialistëve të punësuar në shtet, asgjë nuk i ndodhi godinës së Teatrit Kombëtar. Kjo tregon që forca e cila duhet të ushtrohet aty, duhet të jetë më tepër se 5 ballë. Për këtë do llafosim ditë tjetër.

E meqë ra llafi te Balla. Ne patëm nderin që pardje të bisedonim me shokun Taulant Balla, dyshin e Partisë Socialiste. Atë e gjetëm përsëri teksa dilte nga godina e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Taulant! Përse ishit në Prokurori? Për çështjen e Lulit...? Si kanë shkuar hetimet?

Taulant Balla: Të kujt Luli?

Antena: Të atij të PD-së pra, që ka lënë Saliu në krye. Ç'ju thanë në Prokurori? Kë takuat?

Taulant Balla: Takova të madhen fare. Artën. Donin të më linin takim me një prokuror tjetër, por nuk pranova. Ndërhyri Ulsiu që të më priste vetë Arta.

Antena: Një njeri i madh si ju, duhet të takojë vetëm të madhin e institucionit, sigurisht.

Taulant Balla: Çështja për të cilën doja ta takoja, ishte shumë e madhe. Bëhet fjalë për të madhin fare të partisë sonë.

Antena: Për të madhin fare?! E keni llafin për Fatos Nanon, meqë për të keni thënë që është njeri i madh.

Taulant Balla: Kush është ky, se s'e mbaj mend! E kam llafin për Edin. Sa mori vesh Kryeprokurori Arta që do denoncoja Edi Ramën, anuloi shkuarjen te komisioni i vlerësimit, apo siç i thoni ju në gazetari, vetingut.

Antena: Kryeprekurorja Arta Marku anuloi shkuarjen te ai komision, sepse i kishit kërkuar ju takim, nëpërmjet Ulsiut?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po çfarë doni të denonconi për Kryeministër Edin, te Kryeprokuror Arta?

Taulant Balla: Lidhjet e tij me elementë kriminalë.

Antena: Me elementë ekonomikë, unë e di që lidhet. Me kriminalë, nuk ma ha mendja. A keni fakte për këtë që po më thoni, shoku Lanti?

Taulant Balla: Sigurisht që kam fakte të pakundërshtueshme edhe për Edin tonë. Siç kisha për Lulin dhe e bëra publike foton në Kuvend. Edhe këtë në Kuvend do e bëj. Nuk ka ku të më lëvizin mua, as Luli dhe as Edi.

Antena: Më falni, por si aguridhe që jam në këto çështjet fotografiko-politike, nuk ju kuptoj. A mundet të jeni pak më i qartë?

Taulant Balla: A e pe kur në Kuvend nxora foton ku tregohej Luli, me vëllain e atij që kishte sjellë makinën me euro? Sigurisht që më ke parë. Në këtë logjikë. "Ja ku është me vëllain e një prej personave të shpallur në kërkim. Kjo është e pakundërshtueshme". Shikoje!

Antena: Çfarë të shikoj.

Taulant Balla: Shiko këtë foto pra! Hapi sytë mirë! Se ju të antenës, sa herë bëhet llafi për Kryeministrin, bëni sikur nuk shikoni.

Antena: E ç'ka për të parë këtu?! Ja e pashë. Është  Kryeministri, me Ministrin e Brendshëm, Xhafaj...

Taulant Balla: "Këtë provë do ia dorëzoj drejtësisë!". Kryeministri ka dalë në foto me  Ministrin e Brendshëm.

Antena: E ka vartës, ndaj.

Taulant Balla: E takon edhe në zyrë madje. Ndërkohë që Fatmiri është vëllai e një të të kërkuari. Edhe Luli takonte vëllain e një të kërkuari, të dyshuar. Kjo tregon që Edi Rama është i lidhur me krimin, si në rastin e Lulit, përderisa takojnë vëllezërit e të kërkuarve...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: