“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Lulëzim Basha: Unë nuk dridhem nga tërmeti, por nga...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Lulëzim Basha: Unë nuk dridhem nga tërmeti, por nga...!
Satirë

Antena: Përshëndetje, shoku Lulëzim! Deshëm t'ju pyesnim për Teatrin? Thonë se ju keni thënë që Rama do ta prishë atë, vetëm pasi të kalojë mbi trupin tuaj. Apo po?

Lulzim Basha: Ashtu kam thënë, është e vërtetë. Mirëpo kam ndërruar mendim. Kam arritur në përfundimin, se shtrirja nuk ia vlen.

Antena: Në këtë përfundim  arritët edhe kur thatë se shoku Fatmir do bëhej ministër, vetëm pasi të kalonte mbi trupin tuaj. Përse?

Lulzim Basha: Pikërisht! Dhe më vonë e gjykova që edhe në atë rast, nuk ia vlente të shtrihesha në rrugë. Unë kam ku shtrihem...

Antena: Më falni shoku Luli, por si aguridhe që jam më këto çështjet politike me shtrirje, nuk...

Lulzim Basha: Nuk e kupton, e di. Ta sqaroj unë. Unë kam krevatin tim në selinë e partisë, ku shtrihem për mrekulli. Nuk kam përse shtrihem vend e pa vend, rrugëve. Edhe kur udhëtoj për në Holandë, nuk shtrihem kurrë në sedilje. E di ç'më ka ndodhur njëherë në avion? Më ra të fikët ngaqë kishte shumë pasagjerë. Unë nuk jam mësuar me praninë shumë vetëve. Ti e ke vënë re që edhe në protestat që organizoj, kujdesem mos të vijnë shumë njerëz, se më zihet fryma.

Antena: Po, po e kam vënë re. Dhe ia keni dalë më së miri. Urime!

Lulzim Basha: Faleminderit! E nejse, e kisha llafin te ngjarja në avion. Erdhi mjeku dhe më tha të shtrihesha. "Nuk shtihem unë dokudo, -i thashë, -po nuk qe krevati i mirë siç e kam në zyrë”. -"Shtrihu të të bëj një gjilpërë, të marrësh veten!",- thërriste mjeku. Po ku e dëgjoja unë. "Bëje kështu si jam", - i thashë. Dhe nuk u shtriva. Ja ky jam unë!

Antena: Ju përgëzoj për vendosmërinë tuaj, shoku Lulëzim. Jam i bindur që me këtë veti që keni, shumë shpejt do arrini të jeni kryeministër. E meqë ra llafi te palëkundshmëria. Ku ishit kur ra tërmet?

Lulzim Basha: Ka rënë tërmet?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Po dal ta them në konferencën për shtyp.

Antena: Ra para disa ditësh në mesditë, shoku Lulëzim. Nuk e ndjetë fare?

Lulzim Basha: Do kem qenë në gjumë në atë orë... Pastaj, me ato kolona të trasha që është ndërtuar ndërtesa ku ka partia selinë, nuk ndihet asnjë dridhje nga poshtë...

Antena: Përse thoni, nga poshtë?! Do të thoni që kur dridhja vjen nga lart, e ndjeni?

Lulzim Basha: Sigurisht që e ndiej. Mos të ndjeja dridhjen nga lart, nuk isha këtu ku jam tani, në krye të partisë më të madhe në jetën politike të vendit, të vitit 1992.

Antena: Po më çudisni, shoku Lulëzim! Si është e mundur që e ndjeni tërmetin nga lart dhe jo nga poshtë, si të gjithë njerëzit.

Lulzim Basha: A ti qenke aguridhe fare! Po unë lart kam Saliun. Një të bërtitur të më japë ai, më dridhen këmbët. Ndaj të thashë që mua dridhja më vjen nga lart, e jo nga poshtë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: