“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Ilir Meta: Monika nuk më telefonoi pas tërmetit...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Ilir Meta: Monika nuk më telefonoi pas tërmetit...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Një ari kishte dalë në një rrugë automobilistike në Kukës dhe kishte sulmuar një person. Themi lajm i mirë pasi, kjo tregon se mosbërja e një rruge tjetër, që do të evitonte kalimin pa pagesë të mjeteve në Rrugën e Kombit, është e rrezikshme. Kjo ngjarje nxjerr në pah largpamësinë e qeverisë.

Ajo e ka parashikuar rrezikshmërinë që paraqesin rrugët në këtë zonë dhe nuk do që të rrezikojë jetën e njerëzve, duke ndërtuar rrugë tjetër. (I shprehim të sulmuarit nga ariu, shërim të shpejtë!)

E meqë ra llafi te parashikimi. Para disa ditësh siç e ndjetë edhe vetë, por edhe neve ju kemi spiunuar, ra tërmet. Për këtë na foli edhe shoku Ilir Meta, Presidenti i vendit.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje shoku Ilir! Deshëm t'ju pyesnim për tërmetin. Ku ishit dhe...?

Ilir Meta: Në Presidencë isha. Sapo ndodhi tërmeti, më telefonuan nga Gjiri i Lalzit për të më lajmëruar se një banjë në vilën atje, nga tronditja i ishte bllokuar shkarkuesi i ujit.

Antena: Kush ju telefonoi? Monika?

Ilir Meta: Ç'Monikë thua! Ishte një punëtor i vilës. Se mos ua di emrat atyre. Me atë punë merret Monika. Ajo i përzgjedh. Ajo kryen edhe pagesat, kuptohet pa faturë.

Antena: Pra...

Ilir Meta: Ajo ishte telefonata e parë që mora. Pas kësaj, më telefonoi Edi, i cili më tha se duhet që ta firmosja ligjin për prishjen e Teatrit. "Po u prish ai Teatër, do e rregullojmë bashkë punën e pjesës", më tha. Më përmendi një shifër, që kur e dëgjova, m'u morën aq shumë mendtë, sa mendova se ra prapë tërmet.

Antena: Deshëm të dinim diçka. A u trembët nga tërmeti? Mua vetë m'u bë gjaku, ujë frigoriferi.

Ilir Meta: Me thënë të drejtën, nuk e kuptova që ishte tërmet. Kujtova se po dridhej dyshemeja, ngaqë unë përherë eci duke u lëkundur dhe shkaktoj dridhje të tokës. Pastaj u kujtova që unë vetë nuk po ecja, por isha ulur në karrige.

Antena: A u afrua për ndihmë ndonjë punonjës i Presidencës? A patët ndonjë telefonatë për t'ju pyetur për shëndetin tuaj?

Ilir Meta: Punonjësit po vraponin. Pas tyre edhe macja ime, që mbaj përherë pranë vetes. Më telefonoi Iliri, Kulla. "Nuk ishte tërmet! Janë plasje të armatimeve. Të tilla lëkundje vetëm ato mund t'i bëjnë", më tha. Më telefonoi edhe Monika, disa minuta pasi kishte ndodhur tërmeti.

Antena: Ju telefonoi disa minuta më pas?! Përse nuk ju telefonoi menjëherë, sapo ndaluan lëkundjet?!

Ilir Meta: E kam thënë edhe më parë, që asaj nuk ia ndjen fare për mua. Dhe e di ç'më tha?

Antena: Ju pyeti për gjendjen tuaj shëndetësore, besoj. Apo po?

Ilir Meta: "O kokëtop! Mos mendo se po të telefonoj se më plas për ty! Po të telefonoj se sapo tha Erioni që të telefonojmë të moshuarit dhe t'i pyesim për shëndetin". Ja, kështu më tha!

Antena: Ou! Ju shikon si të moshuar d.m.th. Po ju ç'i thatë?

Ilir Meta: Asgjë! Nuk ma fal Monika, që mbetëm pa tepsi. Mendon se ka perënduar koha ime dhe tani jam veçse një i moshuar. Gjithë fajin ma hedh mua. Janë të nxituara gratë.

Antena: Jo vetëm ato që merren me politikë, madje.

Ilir Meta: Shyqyr që doli Erioni dhe tha që, njerëzit duhet të marrin në telefon, se ndryshe nuk kishte për të më telefonuar fare. Nuk do i binte fare në mend, për mua.

Antena: Ju po thoni që Monika ju telefonoi vetëm pasi dëgjoi Erionin?! Po ky qenka tjetër lajm, i thënë ekskluzivisht për mua, shoku Ilir.

Ilir Meta: Unë ato pak herë që e takoj Monin tim, ajo për të më flet. "Kur të bëhet Erioni kryeministër, do na lërë edhe neve pjesë nga tepsia", më thotë.

Antena: Mbase e mban fjalën!

Ilir Meta: "Ishallah nuk të zhgënjen moj grua!", - i them Monit tim. Sytë te ai i kemi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: