“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arben Ahmetaj: Te INSTAT janë një tufë të paaftësh!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arben Ahmetaj: Te INSTAT janë një tufë të paaftësh!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Nuk e dimë nëse e kemi thënë më parë, por edhe nëse po, nuk ka problem ta rithemi. Fundja kur disa opinionistë, thonë të njëjtën gjë edhe në televizor, edhe në radio, edhe më gazetë, nuk do ketë problem besoj që një gjë ta rithemi edhe ne. INSTAT para disa ditësh tha që gjatë tremujorit të parë, ekonomia e vendit u rrit me 4.5%. Kuptohet, krahasuar me vitin e kaluar dhe jo me vitin 1938.

Sapo ka marrë vesh këtë gjë, gjigandi i ekonomisë socialiste ka kërkuar takim me Kryeministrin e vendit dhe i ka kërkuar largimin e kreut të INSTAT.

Ne kemi mundur që me antenën tonë, të bëjmë të mundur të kapim një pjesë të bisedës.

Ja bashkëllafosja e bërë midis tyre.

Arben Ahmetaj: E solla thesin. Ia dhashë Endrit ta peshojë. Edo, nuk më pëlqeu fare raporti i INSTAT për tremujorin e parë të ekonomisë.

Edi Rama: Të ekonomisë sonë?

Arben Ahmetaj: Po, tonës.

Edi Rama: Kanë nxjerrë raportin për ekonominë tonë?! Të neve të dyve, ata të INSTAT? E pamundur! Ku dinë ata sa para kemi neve të dy?

Arben Ahmetaj: Jo të ekonomisë sonë personale, shef. E kisha llafin të ekonomisë sonë socialiste në përgjithësi. Të gjithë vendit, d.m.th.

Edi Rama: Po fol o kaqol, se kujtova se të kishin parë, kur vjen e dorëzon thesin.

Arben Ahmetaj: Jo shef, ti e di që s'ka bir mami dhe bijë ashtuje të më shikojë mua, ta kam thënë. Ata të INSTAT kishin nxjerrë që ekonomia ishte rritur fale rritjes së prodhimit të energjisë elektrike. Medemek, ra shi në tremujorin e parë të vitit, e ndaj na u rrit ekonomia. Ky është kulmi, Edo! Me këtë logjikë që flasin ata,...

Edi Rama: Fol më thjesht, se ti e di që nuk marr vesh shumë nga këto gjerat ekonomike. Ndaj të kam lëmë ty aty.

Arben Ahmetaj: E di shef, e ju jam përherë falend...

Edi Rama: Unë të merrja vesh, i numëroja vetë paratë që më sjell. He fol, i kam numëruar ndonjëherë vetë?

Arben Ahmetaj: Asnjëherë nuk i keni numëruar, shef! Vetëm i ke peshuar.

Edi Rama: Llogaria, llogari! Kandari të vejë dhe të vijë, është shprehja rilindase. Nejse, se ti e di vetë. Si ishte puna e asaj që më the për shiun? Pa ma sqaro pak!

Arben Ahmetaj: Kanë hapur llafe ata të paaftët e INSTAT, se ekonomia u rrit, pasi kishte shira në tre muajt e parë të vitit dhe kështu pësoi rritje sektori energjetik. Medemek, ne jemi qeveri që presim me sytë nga qielli. Vetëm kur ecim se bashku rrugës i mbaj sytë nga qielli Edo, se je i gjatë. Herët e tjera, ti e di si i ul unë sytë dhe sa i përkushtuar jam unë në punë.

Edi Rama: Lere atë temë mor kaqol, se e di sa i përkushtuar je ti.

Arben Ahmetaj: Duan të më hedhin poshtë punën e mirë timen, e kuptohet Shef, sidomos edhe tënden, përsa i përket klimës së investimeve të huaja dhe dëgjesave publike, që kanë ndikuar fuqishëm në ekonomi. Pse shiu na e rriti ekonominë neve?

Edi Rama: Po ti kaqol, mua më pyet! Ku di unë kush e rriti.

Arben Ahmetaj: E kisha pyetje retorike, Edo! Më vjen plasja kur gënjejnë dhe thonë që ekonomia është rritur vetëm 4.45%. Pse s'thonë edhe këtë tjetrën që, këtë rritje e kemi realizuar, pavarësisht se në tremujorin e parë, nga vendi kanë ikur e pakta 25 mijë shqiptarë. Pra, me më pak shqiptarë në vend, kemi mundur të rrisim ekonominë Edo!

Edi Rama: Po t’i kishim këtu më vend, kushedi sa do e kishim rritur.

Arben Ahmetaj: Ikën Edo, nuk pritën të shijonin frytet e kësaj rritje. Mirë rritjen, por s'kanë fatin të të shijojmë ligjërimin tënd në dëgjesat publike. Ata të paaftët e INSTAT, duhet të dalin dhe të korrigjojnë deklaratën. Ndryshe, do kenë punë me mua. Do nxjerr tigrin që kam përbrenda.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: