“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet Presidentja e Kroacisë: Edi Rama ka gisht në arritjet e kombëtares sonë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet Presidentja e Kroacisë: Edi Rama ka gisht në arritjet e kombëtares sonë...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Gazeta e famshme britanike, që në fletën të dytë nxjerr femra të bukura, ka nxjerrë zbuluar ishullin e Korfuzit. Ajo ka thënë që atje një birrë kushton tre herë me shumë se në Ksamil. Themi lajm i mirë, pasi tani priten dyndje të mëdha turistësh, duke filluar besoj dhjetëvjeçarin tjetër.

E meqë ra llafi te "britanikët". Ekipi i futbollit të një prej vendeve që përbëjnë këtë mbretëri, luajti futboll dhe humbi përballë Kroacisë. Pas ndeshjes, ne telefonuam Presidenten e këtij vendi ballkanik dhe biseduam dhe zbuluam se kush pari rol në këtë arritje.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoqja Presidente! Urime për arritjet e Kombëtares suaj të futbollit! Si ndiheni?

Pres.e Kroacisë: Nuk ka ndjenjë më të mirë. Edhe Edi Rama kur më pa të lumtur, më tha: Po të shkëlqen fytyra sikur të ishit anëtare bordi në ndonjë bankë private. Është i madh Kryeministri juaj, për komplimente!

Antena: I madh është, e dimë! Deshëm të dinim se ç'biseduat në takimin tuaj?

Pres. e Kroacisë: E përqafova fort dhe e falenderova për atë që ka bërë për kombëtaren tonë të futbollit.

Antena: Më falni shoqja kroate e parë, por si aguridhe që jam në këto çështjet futbollo-politike, nuk ju kuptoj. Ku qëndron ndihma e shokut Edi Rama, për...?

Pres. e Kroacisë: Edhe unë nuk e dija, por ma tha Edi.

Antena: Çfarë ju tha? Besoj se do ma e thoni edhe neve.

Pres. e Kroacisë: Më sqaroi sesi ndikoi që trajneri ynë Daliç, të rritej profesionalisht.

Antena: Ndikoi Rama që të rritej Daliç?! Po ku qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Në ç'mënyrë ndikoi?

Pres. e Kroacisë: Kur Daliç ishte në Shqipëri para 10 vitesh dhe drejtonte Dinamon. Aty e kishte parë Edi Rama dhe e rriti...

Antena: Po më habisni! Ku e pa shoku Edi, trajnerin tuaj?!

Pres. e Kroacisë: Në stërvitje, ku tjetër. Me ç'më tha Kryeministri juaj, një ditë e kishte ftuar për darkë, Presidenti i Dinamos suaj të ndiqte në restorant, një seancë stërvitore të trajnerit, në video. Sapo kishte parë Edi juaj që Daliç mbante në dorë një bllok, ku shënonte gjithçka për sportistët, kishte thënë: "Ky do kapë majat! Lëre që të iki në vendin e tij! Nuk bën dot prokopi ky këtu, tani që pushtetin e ka Saliu. Po e le të ikë, Kroacia do na e dijë për nder, më vonë".

Antena: Vetë shoku Edi ua tha këto?

Pres. e Kroacisë: Po, po, vetë ai. Sapo ma tha këtë histori, e kapa fort. "Hajde këtu o lider ballkanik bëjmë një foto, që t'ia tregoj mbarë botës! Ajo që ke bërë ti për popullin kroat, duhet bërë publike!", -i thashë.

Antena: Tani po e kuptoj domethënien e fotos suaj të përbashkët unë. Që ta dini ju, shoqja Presidente, në vendin tim, media e kazanit ka hapur llafe që Kryeministri ynë ju është afruar juve, e jo se juve i jeni afruar atij.

Pres. e Kroacisë: E ç'pret nga media e kazanit! E tillë lloj media me sulmon edhe mua në vendin tim, duke thënë se edhe unë kërcej fallco, për të fituar vota nga zgjedhësit. Kryeministri juaj ka gisht më arritjet e Kombëtares sonë të futbollit dhe pikë! Këtë ta dijë mbarë bota!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: