“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Pres që shoku Erion Braçe të marrë çmimin në basketboll!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Pres që shoku Erion Braçe të marrë çmimin në basketboll!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Një kompani turke ka filluar investimin e një shume prej 120 milionë eurove, në Kotor të Malit të Zi. Themi lajm i mirë, pasi ky investim është bërë i mundur pas takimit të shokut Edi Rama me shokun Tahip Erdogan. Urojmë dhe shpresojmë që takime të tilla të bëhen më shpesh, në të mirën tonë dhe të mbarë rajonit. E meqë ra llafi te rajoni. Bashkia e Tiranës me në krye shokun Erion Veliaj, mori në Singapor, çmimin e madh të menaxhimit të ujit, për rajonin e kryeqytetit tonë.

Me thënë të drejtën, ne e prisnim këtë çmim, ashtu siç presim dy herë në ditë, makinën që shpërndan ujin e Selitës.

Kundër këtij çmimi ka qenë shoku analist, i cili hapur ka shprehur idetë e tij të arta. E çuditshme, por ai këtë herë kritikoi pa iu trembur syri shokun Erion, jo Braçe, por Veliaj, për çështjen e ujit, duke i nxjerrë ujin e zi.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku analisti ynë duarartë! Është herë e parë që bisedoj me ju, pas shumë ditësh. Si ndiheni ju si qytetar, pas çmimit të Erionit të Bashkisë?

Analisti: I lehtësuar! Tamam si uji që pi nga rubineti, pasi e filtroj.

Antena: Thatë që ndiheni i lehtësuar? Përse? Apo meqë vlerësohet puna e mirë e një drejtuesi që i përket partisë, të cilin ju shpesh e kritikoni...?

Analisti: Kush i përket Partisë Socialiste, mo?! Velia/j? Nejse! Ndihem i lehtësuar, sepse mund të realizohet që tani gjithkush mund të marrë çmim. Madje edhe ti!

Antena: Çmim unë?! Por unë s' jam drejtues i ndonjë institucioni. Përse mund të ma japin...?

Analisti: Kështu si po jepen çmimet, mos të të vijë çudi që ty edhe Erion Braçes, ndonjë ditë t'ju japin çmim ndërkombëtar, ne sportin e basketbollit. Vë re se ç'tha shoku Veliaj, kur mori çmimin!: "E morëm ujësjellësin si ndërmarrje e falimentuar para 3 vitesh, ndërsa sot jo vetëm ka larë borxhet, por po bëhet gati për investime, falë kredisë së BERZH-it. Do nisim investimet, thotë. D.m.th. ata që i kanë dhënë çmimin, ia kanë dhënë se ky do nisë, jo se ka nisur, investimet.

Antena: E kështu ka thënë, e lexova edhe unë te faqja zyrtare e Bashkisë.

Analisti: E kupton ti këtë? Mbase e kupton ti, se unë nuk  e kuptoj! Nuk flet sa metra kub është shtuar sasia e ujit në rezervuare. Si të flasë, kur nuk ka zgjeruar rezervuarin. Thotë vetëm që ka larë borxhet. As shumën e larjes së tyre nuk e thotë. Më kupton?

Antena: Jo, më duket!

Analisti: Nuk ke faj! Mezi e kuptoj unë që kam 20 vjet që merrem me analiza të sakta, e jo më ti. Thotë që do bëjë investime. Me kredinë e BERZH-it. Të ishte i zoti, i bënte me të ardhurat e kompanisë. Apo po?

Antena: Nuk di ç'të them, shoku analist! Ju të kapni...

Analisti: Të kap posi! Tani po iki të kap pak shokun Erion, se më duhet të marrë ca fonde për një projekt të ri. Ti botoje intervistën, por emrin tim mos e vendos. Ato që të thashë, janë ato ç'mendoj, jo ato që shkruaj.

Antena: Po për çështjen e Teatrit do thoni ndonjë llaf, shoku analist? Ç'mendoni ju...?

Analisti: Unë mendoj se duhet ta vendosë populli, nëse do bëhet, apo po një Teatër i Ri, aty ku është i vjetri.

Antena: Më falni shoku analist, por sipas mendimit tim, çështja nuk është a duhet apo po Teatër i Ri, por a s'duhen apo jo kullat dhe a s'duhet apo jo, që toka publike t'i jepet një privati, pa garë. Ju ç'mend...?

Analisti: Ja ku po ta them! Po thashë gjë për këto që më thua ti, vanë fondet për projektet e mia...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: