“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Edi Rama: Do i kërkoj Ramushit të çojë "Babalen" në Turqi!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Edi Rama: Do i kërkoj Ramushit të çojë "Babalen" në Turqi!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes”, në gjurmët e një gazetari që paguhet me një kile flori në muaj, sjell pjesë nga ato që kemi botuar, por që mendojmë se ia vlejnë të rivijnë, meqë politikanët janë me pushime dhe nuk mund të vijnë dot vetë, të zihen dhe të na krijojnë ndonjë lajm.

Kemi përzgjedhur bisedën me shokun Edi Rama, i cili na zbuloi se...:

Ja pjesë nga bashkëllafosja e bërë me të:

Edi Rama: Erdogani do që të marrë Babalen në Turqi. Antena e pyeti, sigurisht e çuditur: Shoku Taip ju kërkoi të marrë Babalen në Turqi? Pasi rubrika jonë u kthjellua nga ajo që dëgjuam, shtoi: Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua! A ua tha arsyen se përse e donte atje?

Edi Rama uli kokën që të na shikonte dhe tha: - Po, po, më tha sigurisht. Ku lë gjë pa më thënë Taipi mua. - Ma sill Babalen këtu,- më tha, -se më mori më qafë ekonominë. U ul lira turke në kursin e këmbimit...

Antena jonë s'po kuptonte gjë. D.m.th., sipas Taipit, fajin e ka Babalja për rënien e lirës turke. E çuditshme! Edi Rama pasi kruajti kokën, tha:

- Ça ka për t'u çuditur këtu, o derman! ... Sapo foli Babalja për drogën në Vlorë, rritën kontrollet nëpër portet e tyre, autoritetet europiane. Turqit nuk po sjellin dot "mall" në Shqipëri, sepse shqiptarët nuk e kalojnë dot lehtë si më parë, në Itali dhe Evropë.

Antena jonë menjëherë mendoi pasojat, kuptohet jo të vetat, por të vendit: - D.m.th., tani të qajmë edhe Aeroportin e Vlorës, ne! Po mirë, si do t’u thotë Taipi të huajve? E kam llafin, ç'arsye do gjejë për të justifikuar kërkesën për deportimin e Babales në Turqi? A ua tha këtë...? folëm të shqetësuar.

Edi Rama i qetë: - Ku lë gjë pa më thënë Taipi mua! Taipi do u thotë që Babalja ka thyer ligjet e Turqisë laike.

Antena ngriti supet dhe pyeti i habitur: - Babalja ka thyer ligjet e Turqisë?! Po Babalja, e para e punës, nuk është shtetas turk...

Edi Rama, pa kruajtur kokën fare, tha i vendosur: - Nuk është problem, ia bëjmë një pasaportë turke. As miku im Luli s'do jetë kundër, jam i bindur.

- Po cilin ligj turk ka thyer Babale mavriu?,- e pyetëm ne me supet akoma lart, nga çudia.

Edi Rama, me atë qetësinë e tij që e karakterizon tani që ka tepsinë vetëm, tha: - Ataturku pasi hipi në pushtet në Turqi, ndaloi me ligj përdorimin e titujve osmanë. E ke parasysh kur Babalja i thoshte vëllait të Fatmirit, "O Pasha!".

- E kam, po, -i thamë ne.

Atëherë Edi Rama ndërhyri i shqetësuar:

- E mor, Babale! Mirë që more në qafë Shqipërinë, por i ule vlerën lirës dhe na godite edhe Turqinë...! Do i kërkoj Ramushit ta çojnë në Turqi...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: