“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Bibliotekat e vendeve të varfra, si kanë rezistuar pa kulla?!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Bibliotekat e vendeve të varfra, si kanë rezistuar pa kulla?!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Ditët në vazhdim do të ketë shi. Themi lajm i mirë, pasi siç spiunoi edhe INSTAT, ishin këto reshje që e rritën ekonominë në tre- mujorin e parë të vitit. E meqë ra llafi te reshjet e rëna. Para disa ditësh, na u përmbyt Biblioteka Kombëtare. Duam të theksojmë paraprakisht se as Bashkia dhe as ndonjë institucion tjetër, nuk ka faj që ajo u përmbyt. Fundja nuk është hera e parë që një bibloteke i ndodh diçka e tillë. Ka pasur raste që atyre u është vënë flaka, apo kanë mbetur edhe pa drita, por ato kamë vazhduar që të bëhen më të fuqishme. Dhimbja përherë i bën njerëzit dhe institucionet më të forta. Kështu që ne mendojmë se me ngritjen e disa kullave pranë Bibliotekës Kombëtare, edhe ajo do bëhet më e fortë se ç'është tani.

E meqë ra llafi te bibliotekat. Ne sot kemi menduar të sjellim një historik të shkurtër të disa bibliotekave të vendeve jo shumë të pasura, që nuk dihet sesi kanë rezistuar mos të ndërtojnë kullë...

Biblioteka Kombëtare e Maqedonisë (së Veriut)

Godina ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1970. Pa kullë.

Sipërfaqja e përgjithshme, 11.217 metra katrorë. Prej këtyre, 8 mijë metra katrorë janë funksionale. 2300 metra katrorë janë salla, pra për lexuesit.

Biblioteka Kombëtare e Serbisë

Themeluar si institucion në vitin 1832. Ndërtesa ku ajo është sot, ka përfunduar në vitin 1973. Në vitin 2009, përfundoi rindërtimi i saj, jashtë dhe brenda. Pa kullë. Përmban në arkivin e saj 35 mijë gazeta. 1.2 milionë dokumente të dixhitalizuara. Gjatë bombardimeve të prillit 1941 nga ana e forcave nazi-gjermane, një pjesë e madhe e ndërtesës dhe materialeve të ruajtura, u dogjën.

Biblioteka Kombëtare e Bosnjës

Themeluar në vitin 1945. Në vitin 1949, institucioni shkoi në ndërtesën që kanë edhe sot. Kjo godinë u ndërtua prej austro-hungarezëve në vitin 1894. Kuptohet, pa kullë, se mbase nuk i lejonte teknologjia e kohës. Gjatë luftës së vitin 1992, ushtria serbe bombardoi godinën, duke shkatërruar një pjesë të madhe të saj. Në vitin 2014 përfundoi rindërtimi i saj, me një kosto 13 milionë euro, të dhuruara nga Turqia.

Biblioteka Kombëtare e Moldavisë

Themeluar në gusht të vitit 1832. Para godinës së saj, ka statujën e një poeti të shquar të vendit. (Na vjen çudi që nuk kanë lojëra fati, apo agjenci udhëtimesh). Gjatë thatësirës së vitit 2007, shpëtoi për një qime pa rënë zjarri, ndërsa gjatë përmbytjeve të mëdha që ndodhën në këtë vend në vitin 2008 dhe 2010, shpëtoi çuditërisht po për një qime, pa u përmbytur.

Biblioteka e Firences, Itali

Kjo bibliotekë u ka marrë dorën përmbytjeve. Në vitin 1966 p.sh., desh u lagën 52 mijë libra, mirëpo shpëtoi paq. Vetëm 30 mijë prej tyre u prekën nga lagështira. U thirrën për ndihmë ekipe specialistësh nga vendet e zhvilluara dhe prej asaj dite, biblioteka nuk ka patur probleme, megjithëse në qytet, ka përmbytje.

Biblioteka Kombëtare e Bangladeshit

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Bangladeshit përfundoi së ndërtuari në vitin 1986. Si institucion u ngrit në vitin 1973. Ka 500 mijë libra në arkivin e saj. Në vitin 1998, mbeti një muaj pa drita, se nuk kishte fonde të paguante. (http://www.nlb.gov.bd/brief-history-nlb)

Biblioteka Kombëtare e Afganistanit

Bibloteka u themelua në vitin 1924. Në vitin 1977, kishte rreth 14 mijë anëtarë, ndërkohë që qyteti i Kabulit numëronte rreth 500 mijë vetë. (Sot ka 5 milionë banorë). Në vitin 1977, vendi kishte 32 librari publike, prej të cilave, 4 vetëm në Kabul dhe në total, 168 mijë libra. Biblioteka çuditërisht nuk ka kullë...

Biblioteka Kombëtare e Somalisë

Kjo bibliotekë ka patur fatin të krijohej në vitin 1975. Në vitin 2013 pati fatin të merrte prej SHBA-ve, rreth 22 mijë libra. Gjatë viteve ‘90-të, libraria nuk funksionoi fare. Kjo, jo se pati përmbytje, por për shkak të luftës civile në këtë vend. Pasurisë së saj, iu shtuan edhe 60 mijë libra, të dhuruar nga Liga Arabe. Edhe kjo bibliotekë, çuditërisht nuk ka ndonjë kullë...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: