“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Analisti shpjegon gjenialitetin e Gjiknurit: Derrat kanë rritur koston e rrugëve

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Analisti shpjegon gjenialitetin e Gjiknurit: Derrat kanë rritur koston e rrugëve
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Dje na erdhi për një vizitë në vendin tonë, Presidentja e Kroacisë. Themi lajm i mirë, jo se do na sjellë ndonjë investim, se ne as ia kemi nevojën fare asaj. Thjesht se mbase do na bjerë radha të na puthë, se ajo nuk la njeri pa puthur gjatë Kampionatit Botëror.

E meqë ra llafi te investimet, rubrika sjell një lajm të mirë. Së shpejti nis punimet rruga Thumanë-Kashar. Kjo rrugë do të  kushtojë 220 milionë euro dhe do jetë e gjatë 21 kilometra. Me një llogaritje të thjeshtë, i bie 10 milionë euro, për çdo kilometër.

Kujtojmë se Rruga e Kombit është e gjatë 170 kilometra. Ajo kalon në një terren malor dhe kushtoi 1.2 miliardë euro, (mesatarisht 7 milionë euro, për çdo kilometër të ndërtuar).

Kuptohet, me disa miliona euro që janë të futura në xhepat e Lulit.

Jemi të bindur se në rrugën që pritet të ndërtojë shoku Edi Rama nuk do ketë aspak abuzime. "Zeroooo abuzime", siç do thoshte gjiganti i ekonomisë socialiste, Arben Ahmetaj.

Rreth kësaj çështje, ne folëm me analistin tonë duarartë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të në telefon:

Antena: Përshëndetje, shoku analist! Morëm vesh që....

Analisti: Po, po e mora vesh edhe unë. Më në fund do bëhet e mundur ecja në një rrugë me standarde evropiane.

Antena: A nuk ju duket pak si shumë, kjo shumë 223 milionë euro, për 21 kilometra...?

Analisti: Aspak! Rritja e kostos për kilometër nga koha kur vidhte Luli, ka ndodhur sepse, është rritur inflacioni.

Antena: Veç inflacionit, a ka arsye tjetër shoku analist?

Analisti: Sigurisht që ka. Janë shumë faktorë, të cilat do i statistikoj në studimin tim dhe do i botoj...

Antena: Cilat janë ato?

Analisti: Zona ku do kalojë rruga është e shquar për derrat. Dihet që derrat janë shumë kokëderra dhe mezi ju mbushet mendja që të largohen nga rruga. Mbajtja e tyre larg, kërkon harxhime të mëdha. Nuk mund të largosh një derr nga rruga, me të njëjtën lehtësi që largon një dele, p.sh. Kërkon fuqi punëtore që ndoshta të ndeshet trup më trup me derrin. Fuqia punëtore për ne statisticienët, do të thotë kosto.

Antena: Ju kuptoj! Pra, derrat kanë rolin e tyre në kosto. Po tjetër...?

Analisti: Sigurisht që në rritjen e kostos së rrugës, ka ndikuar edhe Rinasi. Rruga do kalojë afër aeroportit. Janë me dhjetëra avionë që fluturojnë...

Antena: Ç'punë kanë avionët në koston e rrugës, shoku analist?! Si aguridhe që jam në këto çështjet me fluturim, nuk e kuptoj...

Analisti: Ashtu mendon ti, por po ta gjykosh si unë, ja ku po ta them që kanë lidhje. Zhurma e tyre do të shqetësojë punëtorët, të cilët shumë punë në rrugë, do t’i bëjnë jo mirë. Atyre do t'ju duhet t'i ribëjnë prapë dhe kjo rrit kostot.

Antena: Vallahi, shumë më duken 10-11 milionë euro, për një kilometër rrugë, shoku analist. Nëse shikoni tabelën R8, te kjo faqe ku jepen të dhëna për ndërtimin e rrugëve në Australi, kostoja më e madhe për kilometër në atë vend është 9.6 milionë dollarë australianë, për një kilometër rrugë me katër korsi. (https://bitre.gov.au/publications/2018/files/rr148.pdf)

Analisti: E prisja që në Australi, rrugët të dilnin më të lira se në Shqipëri.

Antena: E prisnit?!

Analisti: Kangurët që dalin në mes të rrugëve atje, nuk janë aq të rrezikshme sa derrat që dalin në rrugët tona. Derri rri në mes të rrugës dhe nuk lëviz. Kanguri ikën. Është gjeni Damian Gjiknuri. E tregoi veten edhe në këtë rast. I ka marrë parasysh ndryshimet midis Shqipërisë dhe Australisë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: