Angli-Kroaci, nën “ethet” e finales së Kupës së Botës

Angli-Kroaci, nën “ethet” e finales së Kupës së Botës
Anglia e trajnerit, Gareth Southgate, kërkon suksesin e munguar prej ’66. Kroatët synojnë finalen e parë

Aranit Muraçi

Ndeshja gjysmëfinale mes Anglisë dhe Kroacisë do të luhet sot në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ora 20:00, aty ku do të luhet edhe finalja e madhe më 15 korrik. Kjo ndeshje do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh turq, me kryesor Cuneyt Cakir. Stadiumi ku Anglia pret kroatët për finalen e madhe priti gjithashtu edhe finalen e Champions League të vitit 2008, mes Manchester United e Chelsea. Anglia ka luajtur vetëm një herë në këtë stadium, në humbjen 2-1 me Rusinë, viti 2007. Para këtij takimi trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, nuk ka probleme dëmtimesh në kampin e tij dhe ka ngjarë të zbresë në fushë të njëjtin ekip me të cilin fitoi çerekfinalen ndaj Suedisë.

Ndërkaq, Kroacia shpreson në rikuperimin e plotë të mbrojtësit të djathtë Sime Vrsaljko si dhe të portierit Danijel Subasic, të dy të dëmtuar gjatë çerekfinales me Rusinë. “Ne jemi një ekip që po përmirësohemi”, tha Southgate. “Ne dimë se cilët jemi. Kemi pasur sukses sepse të gjithë po punojmë mirë. Jemi në këto pozita sepse djem si (Gary) Cahill, (Phil) Jones, (Danny) Ëelbeck, (Nick) Pope, (Jack) Butland, (Danny) Rose, më të vjetrit, kanë dhënë mbështetje dhe mentalitetin e duhur ekipit në çdo ditë stërvitjeje.”

Trajneri i Anglisë pranoi se skuadra e tij nuk ka lojtarë të klasit botëror, por “ka lojtarë të rinj shumë të mirë, tepër të zotë në zotërimin e topit, që përpiqen të luajnë në mënyrën më të mirë të mundshme.” Ai shtoi se përballja me Kroacinë është një mundësi që askush nuk dëshiron ta humbasë, sepse e tillë është finalja e Kupës së Botës.

Formacionet e mundshme:

Kroacia: Subasic; Vida, Lovren, Corluka, Strinic; Rakitic, Brozovic, Rebic, Modric, Perisic; Mandzukic

Anglia: Pickford; Walker, Stones, Maguire; Henderson; Trippier, Lingard, Alli, Young; Sterling, Kane

Shpërndajeni me miqtë tuaj: