AMERIKA SI MEKA – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

AMERIKA SI MEKA – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjithë këto ditë, faqet e mediave dhe tribunat e politikës i kanë zënë fjalët për “Amerikën”.

Liderët tanë politikë, si çdo gjë tjetër që e bëjnë “allasoj”, edhe Amerikën po e përdorin si Mekën: Falen në Mekë, marrin nga Meka, por kurrë nuk bëhen “Mekë”!

Amerika dhe Meka janë dy emra që nuk rrinë mirë në krah të njëra-tjetrës! Aq më tepër në tymtajën e tanishme të përhapur në botë se, “Amerika nuk i do myslimanët”. Por megjithatë, liderët politikë të vendit tonë, me një popullsi në shumicë myslimane, i falen Amerikës.

Çfarë ka të përbashkët në kontroversin, Amerikë-Mekë dhe liderë shqiptarë-Mekë-Amerikë?

Të përbashkët ka vetëm një.

Liderët politikë shqiptarë shkojnë e vijnë nga Amerika, por nuk sjellin gjë; sjellin vetëm barrë me pushtet. Të njëjtën gjë bëjnë edhe në Mekë: Falen, vetëm falen dhe përfitojnë për vete. Mes nesh, pas viteve ’90, kemi disa politikanë që janë shkruar “haxhi” në Mekë, por kur janë kthyer nga “lufta me gurë kundër djallit”, përsëri janë shfaqur djaj. Edhe me Amerikën, po kështu: I lëpihen Amerikës, i vijnë rrotull çfarëdo zyre amerikane dhe kthehen përsëri në Tiranë, kundër popullit të tyre. Ja, kështu e pa pushim.

Kryetari i qeverisë, Rama, sapo shpërndau një fotografi me presidentin amerikan Tramp, “kapur” në Samitin e NATO-s në Bruksel. Ky u bë lajmi kryesor i vendit. Një vit më parë, kryetari i opozitës, Basha, la “grixhën” e protestuesve demokratë në Tiranë, nën hijen “tiranike”të qeverisë dhe u shfaq në një sallë ku ndodhej Trampi; aty kapi një foto... Liderët më të vegjël, të “fikur” për Amerikën, duket se rrojnë vetëm për një foto me portierin e Departamentit të Shtetit...

Kjo është e përbashkëta e vetme: Këta falen në dy vende të “bekuara” të botës, por mbeten përsëri fatkeqësia për fatet e vendit që qeverisin...

Të tjerat janë të gjitha kontroverse.

1.

Kryeministri (dhe tjetri) ndjekin presidentin e Shteteve të Bashkuara “për një foto”. Nëse ke këtë foto, atëherë ke “botën të tërë”! A na duhet Amerika apo “fake” Amerika? Kjo është çështja. Amerikanizimi i vendit është një përjashtim historik dhe politik i të gjithë regjimeve politike në vendin tonë...

Atëherë, kemi Amerikën “fake”, atë që u jep pushtet liderëve. Një vit e gjysmë më parë, kryeministri shqiptar luftonte nëpër ekranet televizive kundër zgjedhjes së presidentit Tramp. Kryetari i opozitës, Basha, po në atë moment, kishte sy e veshë nga majtistët e Hillari dhe kundër Tramp, në zgjedhjet presidenciale.

Sot kemi skenën kontroverse: Kryetari i qeverisë sapo u kthye nga Brukseli me një foto të presidentit të Amerikës; ndërsa kryetari i opozitës, prej dhjetë ditësh, vazhdon të lundrojë nëpër ujërat Amerikane - sa në Uashington aq edhe në Texas; nuk kthehet pa një foto... Edhe një foto nga varri i Fan Nolit ose Faik Konicës do të ishte “ok”, mjafton që vjen nga Amerika... Njerëzit të japin pushtet, po ju dhe një mashtrim.

2.

Kushdo prej tyre “do Amerikën”, por jo “America First”, ky është një kontrovers tjetër.

E keni vënë re? U mbushen dy vjet e gjysmë që Amerika ka një president me Doktrinë “Amerika e Para!” Donald Trampi po e fiton botën me fitoret amerikane: ekonomike, të sigurisë dhe qytetarisë amerikane, por për Amerikën. Qysh ditën e parë të ardhjes si president, Trampi këtu është parë si “i përkohshëm”. “Do të ikë shpejt!” - kanë thënë si të majtët edhe të djathtët...

Sot, përsëri, këtë mendje kanë, edhe pse e ndjekin nëpër rruzull për një foto “hajmali”. Liderët “e trashë” shqiptarë, nuk janë aq të trashë, por kanë një djallëzi perverse. Këta e ndjekin Amerikën, por nuk e duan Amerikën. Sikur të donin Amerikën, atëherë këtu do të aplikonin modelin “Shqipëria e Para”. Vendi ynë i mbytur nga politika majtiste liberale, kryesisht Soros, nuk ka mendje sovraniste, as konservatore, as nacionaliste. “Trampi është i keq” për liderët këtu, sepse si sovranist, dashuron kombin e tij. Modeli nuk përshtatet.

3.

As në Mekë këta nuk besojnë... Njësoj siç u ndryshua “Qiblah” në “Jerusalem”, këta lënë Amerikën dhe strehohen në Konferencën e vendeve Islamike kundër Amerikës, kryesuar nga Erdogani (dhjetor 2017).

Qeveria shqiptare votoi në OKB, kundër vendimit të Amerikës për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Në dhjetorin e vitit 2017, liderët qeveritarë të këtij vendi, guxuan të preferojnë “Qiblah” si emër të vetëm të Jerusalemit.... Pastaj braktisën “Qiblah”, për një fotografi me presidentin e Amerikës.

Para liderëve të vendit tonë, shfaqet vetëm një Mekë: Pushteti personal! Ky mund të çimentohet, herë duke u afruar e herë duke u arratisur nga Meka..., ose nesër duke u arratisur edhe nga Amerika. Vetë arratisja është një mjet pushteti. Ata që u arratisen në vitet e diktaturës, në territorin amerikan, ngritën struktura pushteti paralel. Të tjerët që janë arratisur në “vitet e lirisë”, i janë bashkuar mafies së drogës – që është përsëri pushtet për vete dhe për pushtetarët këtu.

Zyrtarët e lartë politikë, kanë vetëm një Mekë: Një vizë Amerikane! Nëse kërkohen në vend - strehohen në Amerikë... Edhe këtu “arratisje”.

E gjithë marrëdhënia e lidershipit me Amerikën, është e ndërtuar mbi kontroversin: Afrim sa për t’u larguar! Ne me këta, nuk bëhemi kurrë “Albania First”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: