Ajri i ndotur, shkak për probleme në tru

Ajri i ndotur, shkak për probleme në tru
Niveli i lartë i ndotjes së ajrit lidhet me një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit, të cilat jo vetëm janë shtuar në vendin tonë, por kanë prekur mosha të reja, siç është skleroza multiple dhe parkinsoni

Sonila Isaku

Vitet e fundit, efektet e ndotjes së ajrit në shëndetin tonë kanë krijuar një interes në rritje, sidomos nga institucionet ndërkombëtare të cilat japin të dhëna mbi sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë. Të dhënat e fundit në lidhje me vdekshmërinë të cilat i atribuohen ajrit të ndotur, janë 12 milionë vdekje çdo vit, në mbarë botën. Këto vdekje shkaktohen nga sëmundjet e zemrës, si infarkti i miokardit ose insuficienca kardiake kongjestive, shkaqet neurologjike si ishemia cerebrale, sëmundjet e mushkërisë dhe kanceri. Përveç ishemisë cerebrale, ndikimi i ajrit të ndotur në tru, përbën një shqetësim gjithnjë në rritje.

Në prag të ditës Botërore të Trurit e cila përkujtohet më 22 korrik, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, duke u mbështetur në temën e këtij viti të lançuar nga OBSH-ja “Ajër i pastër për një mendje të shëndetshme”, bëjnë apel kujdesin që duhet të tregohet ndaj mjediseve të ndotura, pasi një pjesë e mirë e sëmundjeve neurologjike, shkaktohen nga ajri i ndotur.

Situata

Ekspertët thonë se, nëse krahasohen dy persona të së njëjtës moshë, ai që jeton në zonë më të ndotur pëson zvogëlim të vëllimit të trurit dhe plakje të parakohshme të qelizave. Niveli i lartë i ndotjes së ajrit, qoftë nga grimcat e pluhurit, ashtu edhe gazrat që çlirohen nga karburantet e automjeteve, ndikojnë negativisht në sistemin nervor të njeriut. Pasojat janë edhe më të rënda te fëmijët e vegjël, pasi ka studime që e lidhin me autizmin ose zhvillimin psiko-motor të fëmijës. “Dioksidet e azotit janë elementi kryesor i formimit të smogut, që dëmton rëndë sistemin aspirator dhe nervor. Në zonat e ndotura, vëllimi i trurit të fëmijëve është më i vogël sesa i fëmijëve që jetojnë në zona me ajër të pastër” - thotë Enver Roshi, specialist i Institutit të Shëndetit Publik.

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit lidhet me një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit, të cilat jo vetëm janë shtuar në vendin tonë, por kanë prekur mosha të reja, siç është skleroza multiple dhe parkinsoni. Ndikimi i ndotjes së ajrit në tru dhe në mushkëri, ka rritur vdekshmërinë në vendin tonë gjatë këtyre viteve të fundit.

Ndotja e ajrit

Ajri i ndotur ndodh si pasojë e ndotjes së tij nga mikrogjallesa të dëmshme për organizmin tonë, të tilla si polenet, bakteret dhe toksinat, si dhe nga përbërës kimikë të krijuar nga njeriu ose me origjinë natyrore. Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve relativisht të larta të disa kimikateve, që janë të pranishme në ajër në mjediset e punës, kanë shkaktuar dëmtime të sistemit nervor gjatë shekullit të fundit.

Krahas ajrit të ndotur në mjediset e punës (ekspozimi i personelit shëndetësor ndaj kimioterapisë), është rritur shqetësimi ndaj ajrit të ndotur edhe në natyrë (kontaminimi biologjik i sipërfaqeve ujore në botë).

Ndotësit

Natyra kimike e ndotësve të ajrit është komplekse dhe e ndryshueshme. Disa gazra si dioksidi i karbonit dhe metani, emetohen në mënyrë të natyrshme nga shpërbërja e plehrave organike. Shumica e përbërësve të ndotjes së ajrit, krijohen nga njeriu. Ndërkohë që janë disa burime natyrale që ndotin ajrin, të tilla si shpërthimet vullkanike ose zjarret, shumica e ndotjes shkaktohet si pasojë e aktiviteteve njerëzore.

Burimi kryesor i ndotjes ndodh si pasojë e përdorimit të gjerë të hidrokarbureve për prodhimin e energjisë për industrinë, transportin, kontrollin e temperaturave atmosferike (ngrohje dhe ftohje). Aktivitete të tjera të tilla si puna në agrikulturë, mbarështimi i gjësë së gjallë, shkatërrimi i pyjeve, janë faktorë shtesë në ndotjen e ajrit.

Ndikimi në tru

Studimet e fundit kanë treguar se, ajri i ndotur është një rrezik për ishemi cerebrale. Studimi i fundit mbi Barrën e Sëmundjeve në Botë pasqyron një hulumtim të të dhënave ndërmjet viteve 1990 deri në vitin 2013, nga 188 vende ku vërtetohet se, ajri i ndotur ndikon në 30% të barrës (shkaqeve) të ishemisë cerebrale. Efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit janë më të theksuara në vendet me zhvillim të ulët dhe të mesëm, në pacientët vulnerabël me faktorë të tjerë rreziku për sëmundje të zemrës, si dhe në pacientët me episode të mëparshme ishemie cerebrale.

Ishemia cerebrale është shkaku kryesor i handikapeve motorike. Ajo renditet e dyta në shkaktarët e vdekjeve të personave mbi 60 vjeç, është një nga shkaqet kryesore të shtrimeve në spital dhe një faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjes së demencës. Lista e efekteve të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe mjedisit, është gjithnjë në rritje. Çrregullimet neurologjike dhe neurodegjenerative, ndoshta edhe sëmundjet neuroinflamatore, mendohet se shkaktohen si pasojë e ndotjes së ajrit.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: