Agolli e Solskjaer, “mysafirët” që na zbehin shpresat    

Agolli e Solskjaer, “mysafirët” që na zbehin shpresat    
Kukësi dhe Laçi luajnë këtë mesjavë ndeshjet e para të raundit të dytë në Kupat e Europës. Ansi Agolli vjen si favorit me Qarabag ndaj Kukësit dhe një javë më vonë mbërrin Solskjaer  

Aranit Muraçi

Pas mbylljes me turp të aventurës evropiane nga Luftëtari, që përveç eliminimit rrezikon të penalizohet edhe nga UEFA mbi dyshimet e ngritura lidhur me trukimin e ndeshjeve, si dhe lamtumirës së Partizanit, Kukësi dhe Laçi, do të jenë në mesjavë para provës së artë për të shkruar historinë e klubeve shqiptare në Europë. Kualifikimi konsiderohet i vështirë për secilën prej tyre, por kalimi i mundshëm në raundin e tretë do të jetë një arritje e madhe. Kukësi ose Laçi synojnë të jenë ekipi tjetër shqiptar pas Skënderbeut, që i afrohet fazës së grupeve të Kupave të Europës.

Kukësi  

Do të jetë një mbrëmje historike për ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli. Mbrëmjen së mërkurës ai do të zbresë në “Loro Boriçi” me ekipin azerbajxhanas Qarabag, në përballjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Champions League, ndaj Kukësit. Nën-kampionët e Shqipërisë, drejtimin e të cilëve e mori Armando Cungu, pasi kaluan me shumë vështirësi kampionët e Maltës, dukshëm nuk shihen favoritë ndaj ekipit së Ansi Agollit, që sezonin e kaluar mori pjesë në fazën e grupeve të Champions dhe ka të njëjtin objektiv edhe këtë edicion. Megjithatë, përballja e parë në Shkodër për Agollin në Champions do të jetë një nga ndeshjet e tij më të veçanta në karrierë. Të mërkurën, ora 19:00, Kukësi shpreson të marrë një rezultat sa më pozitiv ndaj Qarabag, për të lënë të hapur mundësinë e kualifikimit.

Laçi

Në të njëjtë orë, një ditë më pas Laçi do të përballet me Molde, në Norvegji. Skuadra e dytë shqiptare që kaloi raundin e parë kualifikues të Kupave të Europës, për të shënuar një sukses historik në Europa League, do të ketë gjithashtu të vështirë misionin e kualifikimit. Laçi megjithatë mund të mjaftohet me kalimin e turit të parë, pasi largoi më shpejt nga Europa qipriotët e Anorthosis, që konsideroheshin dukshëm më të fortë në letër. Trajneri Besnik Prenga, pas eksperiencës së tij të kaluar në Kroaci, në këtë përballje do të ketë një sfidë të veçantë personale. Trajneri i Molde është i mirënjohuri Ole Gunnar Solskjaer, ish-futbollist i famshëm i Manchester United. Edhe në përbërje ekipi i Molde ka emra më të njohur, çka i bën ata favoritë për kualifikimin.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: