ADMIR THANZA/ Dënim për vjedhje dhe garazh i padeklaruar, gjyqtari i Lartë rrezikon shkarkimin

ADMIR THANZA/ Dënim për vjedhje dhe garazh i padeklaruar, gjyqtari i Lartë rrezikon shkarkimin
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, rrezikon shkarkimin nga institucionet e Vetingut për shkak të një dënimi të shumë viteve më parë në Itali.

Thanza është dënuar në vendin fqinj me 40 ditë burg, i gjetur fajtor për vjedhje në bashkëpunim në një market.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se dënimi nuk është paraqitur nga gjyqtari në formularin e vetëdeklarimit.

Në seancën e sotme, Admir Thanza është paraqitur personalisht përpara Komisionit dhe ka kërkuar që kjo të vlerësohet nga KPK.

“Kam vlerësuar trupin gjykues dhe kam zgjedhur që të paraqitem personalisht. Avokati po më mbron nga ana ligjore”, ka thënë ai në seancë.

Në lidhje me dënimin, ai ka thënë se vjedhjen nuk e ka kryer ai, por kunata, ndërsa Thanza e ka marrë përsipër për të shpëtuar djalin 9-vjeçar të të vëllait, i cili vuante nga një sëmundje shumë e rëndë.

“Mjekët shqiptarë thanë s’ka asnjë shërim. Ai më thoshte: Axhë, të lutem, më shpëto, kur të rritem do ta shpërblej. E mora përsipër për të shpëtuar jetën e tij. Nuk kisha as para për të paguar shpenzimet e tij. Mund të shkatërroja jetën time por ai të shpëtonte. Ai tani jeton dhe ka një fëmijë dhe punon jashtë si jurist”, ka qenë historia e treguar nga gjyqtari.

Por KPK ka konstatuar edhe një garazh që nuk figuron në deklaratën e pasurisë.

“Nuk e kuptoj pse ky objekt garazhi të bëhet kaq alarmant për jetën time. Kam shkuar në detaje ekstreme kur në formular kam deklaruar edhe një celular”, është përgjigjur anëtari i Gjykatës së Lartë.

Vendimi për Admir Thanzën është lajmëruar se do të jepet të martën e ardhshme. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: