A do të harrohet Ronaldo në Madrid?!

A do të harrohet Ronaldo në Madrid?!
Nën drejtimin e Julen Lopetegui, si sfidë e parë e Real Madrid, është që tifozët të harrojnë “CR-7”. Hazard e Levandovski janë numra 9, njëri prej të cilëve mund të ndihmojë në këtë drejtim      

Aranit Muraçi

Julen Lopetegui mori drejtimin e Real Madrid pas largimit të papritur të Zinedine Zidane, por ish-trajneri i Kombëtares spanjolle si sfidë të parë do të ketë zëvendësimin e Cristiano Ronaldos.

Tifozët duhet të binden se largimi i Ronaldos nuk ishte zgjedhje e gabuar dhe madje duhet të harrojnë sa më shpejt atë.

Për këtë Real Madrid i kërkohet të nisë sezonin mbarë, me trofe.

Pa yllin e ekipit, duket sikur “Los Blancos” do ta kenë të vështirë të mbrojnë trofeun Champions League, si dhe të fitojnë titullin e munguar kampion.

Megjithatë, Real Madrid është duke shqyrtuar tregun dhe prej kohësh po monitoron për të sjellë në “Santiago Bernabeu” emra si Eden Hazard e Robert Levandovski, të cilët janë bllokuar momentalisht nga klubet e tyre respektive, Chelsea e Bayern Munich.

Real Madrid nuk ka ndërmend të thyejë rekordin e vendosur sezonin e kaluar nga Neymar, që kaloi nga Barcelona te PSG, për 222 mln euro.

Presidenti Florentino Perez, i cili udhëheq aktivitetin e transferimeve të merengues, pavarësisht humbjes së Cristiano Ronaldos, thotë se “ne kemi një skuadër të madhe.”

Ai beson se klubi i tij do të bëjë blerje të logjikshme, nëse do të shihet e nevojshme në ditët e mbetura të merkatos.

Real Madrid do të zhvillojë një test përgatitor me ekipe si  Manchester United, Juventus e Roma, në turneun “International Champions Cup” dhe më pas do të përballet në Tallinn, me Atletico Madrid, për trofeun e parë të këtij sezoni, që është Superkupa e Europës.

Ndaj Atletico, rival i  Realit në Spanjë, Julen Lopetegui do të jetë në gjendje të dallojë nëse nga mungesa e Ronaldos, autori i mesatarisht 50 golave në çdo sezon, është e nevojshme blerja e një sulmuesi të mirëfilltë goli.

Gareth Bale, Karim Benzema, e Vinicius Junior do të ketë fillimisht më tepër hapësirë për të treguar se ekipi bën edhe në mungesë të Ronaldos.

Uellsiani e ka treguar në fakt, kur Ronaldo ka munguar, se ç’është në gjendje të bëj për Realin.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: