7 MUAJ NË DETYRË/ Kryeprokurorja raporton: Kam vënë nën hetim disa grupe kriminale!

7 MUAJ NË DETYRË/ Kryeprokurorja raporton: Kam vënë nën hetim disa grupe kriminale!
Kryeprokurorja Arta Marku ka raportuar dje para deputetëve lidhur me rezultatet e punës së saj 7-mujore në drejtimin e organit të akuzës. Ndër të tjera, ajo bëri me dije se po zhvillohen hetime për disa grupe kriminale në rang vendi.

“Gjatë vitit 2017, kanë nisur 17 procedime për banda dhe organizata kriminale, ku 16 prej tyre për grup të strukturuar”, bëri me dije ajo.

Nga ana tjetër, sa i takon luftës kundër korrupsionit, ajo e vlerësoi atë si prioritet të prokurorisë dhe theksoi se janë nisur 12 procedime penale për zyrtarë të lartë, madje edhe për prokurorë.

“Vjet ka pasur një rritje në nivelin prej 69% të procedimeve penale për korrupsion, në krahasim me vitin e mëparshëm 2016. Kështu, në vitin 2017 vetëm për korrupsion, prokuroria ka regjistruar 124 procedime penale”, u shpreh Marku, lidhur me një fakt të tillë.

E pyetur nga deputetët e opozitës mbi hetimet për vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili u përfol pak kohë më parë si i përfshirë në trafik droge, ajo tha se Prokuroria është një institucion i decentralizuar dhe se përgjegjës për hetimet janë prokurorët. Sipas saj, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë për një hetim konkret, apo të japë urdhra apo udhëzime konkrete.

“Mund të japë udhëzime vetëm të përgjithshme. Prokurori i çështjes është titullari e përgjegjësi i padiskutueshëm i çështjes që ka në hetim”, sqaroi kryetarja e organit të akuzës rreth kësaj.

Duke këmbëngulur se nuk e kishte aspak detyrim ligjor që të japë një informacion të tillë dhe madje sipas saj, asnjë prokuror nuk ka tagër të vijë në Kuvend dhe të japë njoftime për çështje hetimore konkrete.

Lidhur me raportimin e saj, ka reaguar deputeti demokrat, Edi Paloka, sipas të cilit, “shpresonim që zonja PPP (prokurore e përgjithshme përkohshme) do t’u jepte përgjigje disa çështjeve më të rëndësishme, skandaleve që kanë plasur”. Por që sipas tij, asnjëri prej deputetëve nuk mori përgjigje rreth tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: