10 TË VEÇANTAT SHQIPTARE PËR BOTËRORIN “RUSI 2018” – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

10 TË VEÇANTAT SHQIPTARE PËR BOTËRORIN “RUSI 2018” – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Rubrika: Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Botërori i 21–të në historinë e futbollit uli siparin dhe e diela e djeshme 15 korrik, shënoi fundin e kampionatit që e mbajti botën të mbërthyer rreth topit të rrumbullakët. 32 skuadrat pjesëmarrëse nga të gjitha kontinentet, për 32 ditë me radhë, e shndërruan këtë garë në festën më të madhe në planet. Ai 1 miliard euro investim për ndërtimin e 12 stadiumeve ultramodernë, më shumë se çdo gjë tjetër, solli argëtimin e pothuajse gjithë popullsisë së planetit me 7 miliardë banorë dhe kjo është arritja më e madhe. Por përveç kësaj, ky Botëror tregoi edhe një herë se, realisht, është njëkohësisht edhe industria më e madhe në planet. Mjafton të përmendim se, vetëm kompanitë e veshjeve sportive arritën të sigurojnë një fitim në 500 milionë euro. Ndërsa fitimet e skuadrave pjesëmarrëse, shkojnë në kufijtë gati të pabesueshëm. Skuadra fituese e Botërorit fiton 33 milionë euro dhe finalistja tjetër merr 25 milionë euro. Skuadra e vendit të tretë “përlau” 21 milionë euro dhe vendi i katërt, 19 milionë euro. Për të shkuar akoma më tej me ekipet që u eliminuan në çerekfinale, duke marrë 15 milionë euro dhe ato që kaluan fazën e grupeve 11 milionë euro. Por si u ndoq Botërori në Shqipëri? Si u përcoll ai te shqiptarët dhe çfarë solli për ne? Janë 10 të veçanta dhe konkluzione shqiptare të cilat kanë spikatur nga 14 korriku e deri më sot, e kanë bërë që edhe pse nuk kemi qenë pjesëmarrës, edhe ne shqiptarët kemi “luajtur dhe fituar” botërorin tonë.

1.BOTËRORI PA SHQIPËRINË

U mësuam aq keq me pjesëmarrjen e Shqipërisë në kampionatin europian, saqë mungesa në garën e Botërorit na u duk si një garë pa vlerë. Më lehtë e patën të vjetrit dhe ata të moshës së mesme, ndërsa të rinjtë dhe fëmijët nuk janë familjarizuar me një botëror pa Shqipërinë brenda. Megjithatë, modeli ynë duhet dhe mund të jetë Islanda. Një shtet me 340 mijë banorë që nisi një projekt serioz disa vite më parë, tashmë jo vetëm ishte pjesëmarrës në këtë garë, por në një formë apo tjetër, ajo e fitoi botërorin e saj. Kaq na mjafton ne shqiptarëve për të krijuar një standard. Por që të marrim pjesë në botëror, duhet të heqim dorë nga ëndrra me mrekulli të tipit 3 pikë në tavolinë! Duhet të përgatitemi të arrijmë në botëror me ndeshje të fituara brenda dhe jashtë fushe. Vetëm kështu, ëndrra jonë mund të realizohet një ditë.

2.BOTËRORI PA ITALINË DHE HOLANDËN

Dy të tretat e tifozëve shqiptarë janë me Italinë dhe Holandën, por duke qenë se këto dy skuadra nuk ishin pjesëmarrëse, ky botëror u duk shumë i vakët në Shqipëri. Ishim mësuar nga botërorë të tjerë që, kur Italia fitonte dhe ngrinte kupën e botës, qindra mijë shqiptarë ngriheshin në këmbë, duke brohoritur pa asnjë ndryshim me italianët. Ose kur Holanda luante aq bukur dhe plotë elegancë, por nuk e fitonte kupën e botës, tifozët shqiptarët derdhin lot dëshpërimi, njësoj si holandezët. Fatkeqësisht, shumë tifozë shqiptarë mbetën si peshku pa ujë dhe nisën të bëhen me skuadra të tjera, duke u bërë tifozë pa zemër me skuadra të ndryshme. Kjo zbehje u shtua edhe më shumë nga eliminimi me turp i Gjermanisë dhe për një numër jo të vogël tifozësh, ky ishte Botëror pa tifozë

3.BOTËRORI I TIFOZËVE ME ZVICRËN E KROACINË

Ky Botëror, ndryshe nga herët e tjera, zgjeroi hartën e tifozëve. Mungesa e Shqipërisë dhe Kosovës duket sikur u plotësua me Zvicrën, në të cilën katër futbollistë ishin pjesë e kombëtares së saj. Natyrisht që, kulmi arriti kur Xhaka dhe Shaqiri festuan shënimin e golave ndaj Serbisë, duke formuar me duar shqiponjën dhe ky moment u bë simbol edhe për shqiptarët që të bëheshin me Zvicrën. Ndërkohë, tifozë të kombeve të tjerë si kroatë, rusë e deri afrikanë, u panë të formonin shqiponjën duke e kthyer këtë Botëror një shqiponjëmani. Pikërisht, nga ky Botëror dhe nga shqiptarët e Zvicrës, nuk besojmë se ka njeri në rruzull të mos e ketë mësuar tashmë se, shqiponja është simbol i shqiptarëve. Dhe këtë e bëri Botërori i 21-të në Rusi.

4.BOTËRORI I POLITIKËS

Presidenti Ilir Meta qëndroi më ndryshe nga të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë në këtë Botëror. Fan zona presidenciale kushtuar ndeshjeve ku luanin 4 shqiptarë të Zvicrës, ishte vërtetë një mënyrë krejt ndryshe e të parit të këtij botërori. Ndryshe nga kryeministri Rama që më shumë ka qenë i zënë me problemet me teatrin dhe çështje të tjera të koklavitura, ishte fantastike kur shikojë legjendat e futbollit shqiptar si Bejkush Birçe, Agustin Kola, Ledio Pano e shumë të tjerë që, duke qenë në krah të të parit të shtetit, të shijonin ndeshjet në mjediset e presidencës. Duket se kulmi i politikës shqiptare me këtë Botëror, pritet të jetë ndjekja në stadium e finales së 15 korrikut. Urojmë që, ata politikanë të cilët do jenë aty, të justifikojnë më shumë lidhjen me sportin se sa lidhjen me faktin se kanë një post publik dhe me këtë rast do shkojnë finale në stadium.

5.BOTËRORI I RTSH

Për herë të parë, televizioni publik shqiptar u bë më i shikueshmi në vend gjatë zhvillimit të Botërorit. Duke thyer hegjemoninë dhe monopolin e të mëdhenjve, televizioni që mbahet me taksat e shqiptarëve arriti të ketë ekskluzivitetin e transmetimit live të ndeshjeve. Logoja e TVSH-së, si asnjëherë, u bë logoja e parë dhe kjo është një arritje jo pak e vogël për këtë institucion mediatik. Gjithsesi, duhet thënë se, përveç komentuesve me përvojë, në këtë ekran u dëgjuan edhe disa zëra anonimë e diletantë, me një fjalor të kufizuar dhe pa asnjë grintë, të ishin pjesë po aq anonime e këtij Botërori, a thua se profesionistët mungojnë. RTSH-ja nuk mund të jetë një lopë që, o burra, të shkojnë ta mjelin të paaftët, servilët dhe të papunët! RTSH-ja nuk mund të jetë as koshere blete, që të shkojë e gjithë kjo racë e paskrupullt, t’i marrë mjaltin! Drejtuesit e këtij institucioni duhet të vendosin filtra profesionalë, duke mos lejuar gabime të këtij lloji, ndryshe nuk do bëjnë gjë tjetër, veçse do heqin ata që i ka vënë Partia Demokratike dhe do vënë këta që janë të Partisë Socialiste. Ky do ishte dështim i deklaruar.

6.BOTËRORI I EMISIONEVE SPORTIVE QË “MBYTËN” EKRANET

Janë të paktën 12 emisione në 10 televizione, që këto 32 ditë kanë qenë permanent në ekran çdo mbrëmje. Një risi dhe një denduri. Dikush mund ta quajë edhe ekspansion dhe dikush tjetër mund ta quajë deri inflacion. Por në një këndvështrim tjetër dhe pozitiv, kjo është më se normale në një aktivitet të këtij lloji dhe këtyre përmasave. Është më mirë që, ekranet shqiptare të flasin për sportin dhe futbollin, se sa të flasin për krime, përdhunime, dhunë dhe sherre politike. Në emisionet enkas për këtë Botëror, kanë qenë të ftuar edhe specialistë të sportit, por edhe të fushave të ndryshme. U vu re që ata, në një formë apo tjetër, kanë frymëzuar të ushtruarin e sportit. A nuk është kjo më e dobishme se diskutimet në 11 muajt e tjerë të vitit? A nuk është më mirë të flasim për sportin se sa më emisione dhe tema bajate, që nuk sjellin asgjë?

7.BOTËRORI I VAJZAVE TË REJA

Ka lindur një debat ditët e Botërorit për “biondet”, që befas u bënë pjesë e ekraneve. Në fakt, kjo është një fyerje që, më së shumti, vjen nga ata të cilët duken të dështuar dhe pa ndonjë vlerë në punët e tyre. Nëse një vajzë ftohet në një studio si tifoze, cili është gabimi i saj apo i atij që e ka ftuar? Gabim do ishte nëse, në një studio, do të kishte vetëm vajza dhe jo specialistë. Do kishte vetëm bukuroshe që nuk kanë lidhje me futbollin. Por nëse në një studio ka disa specialistë, janë disa gazetarë sporti dhe krahas tyre janë edhe disa vajza që bëjnë tifo në menynë e tyre, kjo nuk ka asgjë të keqe. Botërori nuk është vetëm i futbollistëve dhe specialistëve që flasin për skema dhe modele të ndeshjes. Botërori është i të gjithëve, edhe i atyre që shikojnë me zemër në dorë kur skuadra e tyre humbet, edhe i atyre që çmenden nga gëzimi kur skuadra e tyre fiton, por edhe i atyre që e ndjekin rrallë. Askush nuk ka të drejtë t’i përjashtojë kategoritë jopasionante! Ju, kritikë dhe kritizerë, lexoni të paktën disa gazeta të huaja! Hidhini një sy gazetave angleze ku vajza të reja janë pjesë e faqeve të para, pikërisht se e ndjekin botërorin në mënyrën e tyre. Ka edhe një argument tjetër për këtë. Rike Roçi dhe Irid Oxa janë thjesht dy vajza bukuroshe ekrani dhe spektakli në Shqipëri. Nuk ishin as specialiste futbolli dhe as tifoze që ndjekin futbollistët ndeshje për ndeshje. Por imazhi I tyre në shkallët e stadiumit gjatë ndeshjes Francë Shqipëri në Europianin e vitit 2016, ishte reklama më e mirë e kombëtares së Shqipërisë. Ja që në futboll, nuk vlejnë vetëm specialistët e skemave dhe taktikave!

8.BOTËRORI I FËMIJËVE

A i shikoni “fan zone” në Tiranë, sa fëmijë e ndjekin Botërorin? A nuk është një mrekulli më vete kjo? Sa e sa vogëlushë janë lumturuar, kur Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Kylian Mbape, Antuan Grizman, Harry Kane dhe Luka Modriç, kanë shënuar? Shikoni se si vogëlushët ndjekin garën dhe krijojnë idhujt e tyre. Sa gjë e mirë është që, ata krijojnë modele si duhet të bëhen dhe kujt duhet tu ngjajnë! Dhe kjo natyrisht që ka vetëm të mirë, sepse së paku fëmijët do mësojnë se që të arrijnë të bëhen si këta yje, duhet të stërviten shumë dhe t’i arrijnë gjërat me punë. Personalisht, mendoja se brezi im ka qenë shumë i pasionuar pas futbollit, ndoshta më pasionanti, por kam gabuar! Nga mjedisi në shkollën e tim biri, kam mësuar se brezi aktual i fëmijëve, ka njohuri të tilla për futbollin që lë pas çdo brez paraardhës. Dhe, në një farë mënyre, për këtë arsye, ky është edhe Botërori i fëmijëve.

9.BOTËRORI I PORTALEVE

Ishim mësuar që, dalja e portaleve në Shqipëri, të ishin mbytur me lajme politikë dhe të kronikës së zezë. Po sa mirë që, portalet këto 32 ditë, u përmbytën nga lajme sportive! Futbollistë, ish-futbollistë, video - portalet shpërthyen siç shpërthejnë gjërat vetëm në Shqipëri! Nuk kishim parë që lajmi i parë, i dytë, i tretë, të ishin nga sporti dhe konkretisht nga Botërori. Portalet e përmbysën këtë herë traditën, se rregulli i artë është “bad news is good news”. Për një muaj, lajmet nga Botërori ishin lajmet më të rëndësishme dhe që kanë zënë më shumë hapësirë. Këtë herë mund të quhet edhe Botërori i portaleve!

10.BOTËRORI I GAZETARËVE NË MOSKË

Armando Babani është i vetmi gazetar fotograf shqiptar i atashuar prej ditës së parë të Botërorit në Rusi dhe ka qenë pothuajse në çdo ndeshje në stadium. Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë. Fotografitë e tij nga stadiumi i Moskës “Luzhniki”, “Kazan Arena” e të tjerë, janë padyshim simbolika e profesionalistit shqiptar. Por duhet thënë se, edhe dy gazetarë të rinj si, Ivi Shkreli dhe Blerina Mahmutaj, që çdo mbrëmje kanë raportuar live nga Moska, kanë qenë një tjetër risi e këtij Botërori për shqiptarët. Për të qenë profesionalë, vlerësimin ndaj tyre nuk po e bëjmë sepse kanë raportuar për emisionin që unë drejtoj, por është e vetmja lidhje live me Moskën, në të gjitha ditët e këtij Botërori. Për ndeshjet gjysmë finale dhe për finalen në Moskë, u atashuan edhe dy gazetarë të RTSH-së që duhen përgëzuar për atë që transmetuan nga kryeqyteti rus. Pra, në një formë apo tjetër, edhe pse u zhvillua shumë larg vendit tonë, ky Botëror arriti të përcjellë jo vetëm live ndeshjet, por edhe atmosferën e krijuar në Rusi. Dhe kjo nuk është pak!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: