VETINGU/ Vendimi-surprizë, Bashkim Dedja konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese

VETINGU/ Vendimi-surprizë, Bashkim Dedja konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese
Ndërsa pritej që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të shkarkonte kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ai është konfirmuar në detyrë.

Vendimi-surprizë është shpallur mëngjesin e sotëm nga KPK.

Në seancën e zhvilluar një javë më parë, u konstatuan shumë probleme të lidhura me pasurinë e gjyqtarit Dedja.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar konfuzion në deklaratat e kryetarit të Kushtetueses për 25 mijë euro të marra borxh të cilat, fillimisht janë deklaruar si të marra nga kunati dhe më pas nga babai i kunatit.

KPK ka vënë në dyshim edhe një borxh 15 mijë eurosh të marrë nga vëllai.

KPK ka konstatuar edhe pamundësinë e blerjes së një apartamenti në Tiranë nga gjyqtari në vitin 1997, pasi në atë periudhë gjyqtari nuk kishte të ardhura për atë blerje.

Probleme kanë dalë edhe me një apartament në Golem, për të cilin gjithashtu ka patur deklarata konfuze.

Nga KPK janë shkarkuar gjyqtarë dhe prokurorë të cilëve u janë konstatuar probleme edhe më të vogla me pasurinë.

Më herët, Bashkim Dedja Dedja e ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit të aftësive profesionale.

Pavarësisht faktit se  Bashkim Dedja “kaloi klasën”, Gjykata Kushtetuese vijon të jetë në kolaps dhe jashtë funksionit.

Tre anëtarë të saj janë shkarkuar nga komisioni i Vetingut, njëri ka dhënë dorëheqjen dhe një tjetri i ka mbaruar mandati.

Bashkim Dedja është gjyqtari i dytë i Kushtetueses që kalon Vetingun, pas Vitore Tushës. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: