VETË DROGA, “NJERËZ NË MES”?... - OPINION NGA FRROK ÇUPI

VETË DROGA, “NJERËZ NË MES”?... - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Njerëzit në mes apo vetë droga, cili është fajtori? Dihet se droga nuk ka faj, por si “armiku më i madh”, i përmendet emri vetëm asaj, edhe pse vetë droga si send, nuk ka shpirt. Megjithatë, njerëzit e mbajnë gishtin e akuzës jo nga vetja, por nga produkti i tyre.

Këtu në vendin tonë, çdo ditë “luftohet” kundër drogës. Madje me furinë më të madhe, si qeveria edhe opozita, ngrejnë pluhurin e rrugës, ku kalojnë drejt drogës. Ndërsa “njerëzit në mes” drogës dhe konsumit të saj, këta jetojnë në heshtje.

Nuk e kam dëgjuar kurrë dikë nga opozita politike, që të bëjë pyetje: “Pse prodhohet kjo drogë?”, që sipas fjalimeve të përditshme, “ka mbuluar vendin”. As qeveria, e akuzuar se qeveris prodhimin dhe trafikun, kurrë nuk ka dëshmuar ku shkon ky prodhim. Qeveria që qeveris territorin dhe produktin e tij, e ka për detyrë të dëshmojë sa “drithëra” ka prodhuar dhe si i ka furnizuar konsumatorët, cilat janë të ardhurat dhe sa nevoja të tjera ka. As opozita nuk ka kërkuar kurrë interpelancë parlamentare mbi sasinë totale të prodhuar...

Të paktën këto janë ligjësitë më të thjeshta të qeverisjes dhe të oponencës ndaj qeverisjes. Por asnjëherë nuk po ndodh që votuesit e Shqipërisë të dinë çfarë bën qeveria me produktin e Shqipërisë. Opozita, në vend që të detyrojë qeverinë të bëjë transparencën e produktit të “shtëpisë” dhe të shpërndarjes së të ardhurave, (në rastin tonë, prodhimi kryesor droga), e mbulon të vërtetën duke u përzierë në grindjet me akuza të vogla.

Opozita kërkon që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim në BE, edhe pse është një vend “prodhues dhe transportues droge”, siç pohon vetë. Qeveria kërkon hapjen e negociatave me BE-në, edhe pse nuk shpall asnjë arsye çfarë përfiton vendi ynë nga afrimi me BE-në. Mes nesh dhe BE, politika e dy krahëve ka krijuar tymnajë. Ne, as shikojmë gjë çfarë do Europa nga vendi ynë, as dimë çfarë vendi ynë pret nga Europa, (përveç honorit dhe porosisë së Rilindjes se: Dielli lind nga perëndon). Deti ujor mes vendit tonë dhe vendeve të Europës ka mbetur vetëm “ujor” dhe nuk është shpallur kurrë “det i shkëmbimit të mallrave”. Cilët mallra?

Tani shtrohen dy pyetje shumë të sinqerta mes nesh.

E para: A janë vendet e Europës ata që e marrin mallin tonë “drogë”?

E dyta: Pse politika e majtë dhe e djathtë, nuk e kanë mirë me Amerikën e Trampit?

Për të shkuar te pyetja e parë, “a presin vendet e Europës drogë nga Shqipëria?”, na duhet të qartësojmë pozitën mes politikës sonë dhe politikave të Trampit në Amerikë dhe të vërtetës në BE.

Presidenti Tramp ka shpallur politikën e tij ndaj drogës, por që në Europë nuk ka pasur jehonë. Në substancën e politikës së tij, nuk ka “fajësi” as për “mallin”, as për përdoruesit.

Presidenti Donald Trump ka kritikuar “njerëzit në mes”, ata që e çojnë drogën nga “parcelat e Tepelenës” direkt të përdoruesi. Si të thuash, ata që hapin rrugët e gomoneve mbi Adriatik, ose edhe aeroporte avionësh të vegjël dhe e dërgojnë të paktën në Itali.

Ky do të ishte projekti i madh i opozitës dhe qeverisë shqiptare. Nuk është ky plan? Atëherë, kjo është edhe arsyeja, pse këta janë jo të afërt me politikën amerikane të Trampit.

“Ne po humbim kohë, përderisa nuk jemi aq të ashpër me shpërndarësit e drogës dhe kjo ashpërsi duhet të përfshijë edhe dënimin me vdekje”, ka thënë presidenti Tramp, duke folur për “njerëzit në mes”.

“Ndoshta, vendi ynë nuk është gati për këtë. Kjo mund të jetë, por personalisht nuk mund ta kuptoj këtë”, - shtoi Trampi, pasi kërkoi masa të forta në maksimum.

Kthehemi te pyetja e parë: A janë vendet e Europës, ata që e marrin mallin tonë “drogë”? Pyetja mund të jetë me “rrezik”, sepse politika e vendit nuk do që të zbulojë sekretin para popullit.

Kjo është tjetër gjë, por Europa i ka shpallur të vërtetat e konsumit të mallit tonë drogë.

Studimi i fundit i BE-së ka shpallur se numri i njerëzve që kërkojnë trajtim për përdorimin e drogës, është në rritje. Kokaina (edhe ajo si e Xibrakës), është më shumë e përdorur si stimulant i paligjshëm në Europë. Kokaina e pastër gjendet në rrugë përgjatë Europës, në nivelin më të lartë të dekadës së fundit, sipas studimit të BE-së, publikuar edhe në gazetën londineze, “The Guardian”. Edhe pse shtohen konsumatorët, vendet e Europës kanë mbajtur çmim të qëndrueshëm, gjë që është masë stimuluese, ndryshe nga SHBA-të.

Në vitin 2016, 300 persona hynë në trajtim për herë të parë për probleme me drogën, ose një e pesta më shumë se në vitin 2014. Nga analizat mbi mbetjet në ujërat e zeza të 31 qyteteve europiane, për vitet 2015 deri 2017, ekspertët kanë gjetur se janë rritur më shumë gjurmët e kokainës nga viti në vit.

Sipas shefit të Emergjencave kundër Drogave dhe Varësive nga Drogat në Europë, raportet tregojnë se vendet e Europës “po përjetojnë rritjen e produktit të drogës” në vende jashtë BE-së.

Atëherë, ja ku jemi. A janë vendet europiane që e marrin prodhimin nga vendi ynë, si edhe nga burime të tjera që nga Amerika e Jugut? Ose politika e vendit e fsheh të vërtetën si efekt servilizmi ndaj zyrave të BE-së, ose disa njerëz në vendet e BE-së fshehin “njerëzit në mes” prodhimit të drogës dhe përdoruesve përtej Adriatikut. Atëherë, këtu qëndron “krimi” i përbashkët mes pushtetit dhe opozitës: Fshihet e vërteta e produktit në vend dhe kush pasurohet prej tij...

Të tjerat janë fjalë “parlamentare” për të fshehur krimin.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: