VENDIMI FINAL/ Vetingu, ish-kryeprokurorit Llalla nuk do t’i verifikohet pasuria

VENDIMI FINAL/ Vetingu, ish-kryeprokurorit Llalla nuk do t’i verifikohet pasuria
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk do t’i nënshtrohet procesit të vetingut, pasi ai u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë shqiptare. Ky ishte vendimi i marrë dje nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duke lënë kështu në fuqi

vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e ndërpreu procesin e vetingut ndaj Llallës.

Në këtë mënyrë, ky organ vendosi të rrëzojë kërkesën e Komisionerit Publik, që ish-kreu i organit të akuzës t’i nënshtrohet procesit të verifikimit të pasurisë së tij. Në kërkesën e bërë prej tij, ai argumentonte se Llalla është ende me statusin e magjistratit, edhe pse ka dhënë dorëheqjen.

Po ashtu, sipas Komisonerit Publik, vendimi i dorëheqjes së Llallës është nul, pasi sipas tij, ai nuk ka respektuar procedurat e rregullta ligjore.

Por me vendim shumice, Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e KPK-së për ndërprerjen e vetingut ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Përgjithshme të vendit.

“Kolegji i Posaçëm i Apelimit me shumicë votash vendosi: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror apo anëtar i KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh”, thuhej konkretisht në vendimin e KPA-së, për këtë çështje.

Kujtojmë sakaq, se organi i akuzës ka nisur një hetim ndaj tij më herët. Konkretisht, Llalla po hetohet për akuzat “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë”, “mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi”, “pastrimi i produkteve të veprës penale”, “si dhe shpërdorim detyre”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: