VENDI I LIDERËVE RAJONALË, TË “KOSHAVE” GLOBALË

Publicitet
Publicitet
VENDI I LIDERËVE RAJONALË, TË “KOSHAVE” GLOBALË
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Qeverisja shqiptare ka statistika të dallueshme në prezantimin e saj publik, si një udhëheqje e vetëndjerë me një rol të madh në politikën rajonale dhe europiane. Dhe çfarë më shumë i ka interesuar të përhapet në opinionin publik, është aftësia - sipas saj - për të marrë si shpërblim të këtij roli, deri edhe hapjen negociatave, vend në tryezat e politikëbërjes europiane, pushtet të brendshëm të pacenueshëm - pavarësisht skandaleve, ekonomisë së rrënuar, si dhe kapjes së shtetit nga krimi.

Për këtë ka mjaftuar si zanafillë, ndërtimi i një qeverie të personalizuar të cilës, për nga natyra, mund t’i drejtohesh për të kërkuar llogari, pyetur e informuar vetëm nëpërmjet kreut të saj. Nuk është shpikje jona, qeveri të personalizuara autoritariste po shtohen çdo ditë në botë, por qëllimi i atyre që shërbejnë si shembuj edhe për tonën, është forcimi dhe konsolidimi i tyre brenda kufijve, për të projektuar pushtetin edhe jashtë tyre. Dhe sigurisht, në psikikën e liderëve të tyre, ndërtohet edhe besimi se kanë rol të rëndësishëm në politikën europiane ose botërore, sepse realisht ekonomitë, ushtritë dhe ndikimi i tyre, është i tillë. Pra, çfarë ndodh në Shqipëri është projektimi i një roli të tillë nga qeveria jonë, por pa ekonominë, ushtrinë, madhësinë dhe ndikimin e ngjashëm për liderë tipikë autoritaristë.

Tashmë, nuk i bën dot asnjë përkufizim ideologjisë së qeverisjes, nga cilat parime udhëhiqet, pa përcaktim e majtë e djathtë, pa një vokacion drejt rishpërndarjes a përqendrimit, pa politika të qarta në raport me taksat, investimet, modelet e rritjes, por në vend të tyre, abuzimi, korruptimi dhe kapja e shtetit, duke ndërtuar një formë të çartur qeverisjeje, mbi atë që një sistem demokratik e synon përmes shtetit ligjor, konkurrencës politike, aksesit në informacion dhe debatit publik. Me ndihmën e teknologjisë së informacionit, tashmë qeveritë e personalizuara si e jona, kanë në dorë monitorimin, censurën, dezinformimin, duke ndërtuar kauza të reja me terma popullorë, si për të kapur një herë e mirë perceptimin se, kjo udhëheqje po bën gjithçka për të mbrojtur popullin nga forca të brendshme e të jashtme që duan të dëmtojnë rolin e rëndësishëm të vendit. Mjafton të sjellësh në vëmendje, togfjalëshin “platforma e bashkëqeverisjes” dhe “turi i llogaridhënies” për të dëshmuar formulën e zgjedhur për të kapur në trurin e njerëzve frekuencën e duhur që rezonon me pritshmëritë e tyre, vetëm në fjalë e premtime. Dhe që ta mbledhim mendjen një herë e mirë se, ky është regjim i personalizuar, mjafton të dimë parimet bazë të tij: Përqendrim i pushtetit në duart e një individi, ose grup njerëzish që as nuk japin llogari në parti, lideri personalisht nuk ka kufij në vendimmarrje, nuk mban asnjë përgjegjësi për politikat, përfshi ato me rezultate negative. Ata emërojnë miq, të afërm dhe rreth të ngushtë, besnikë të paepur të liderit dhe më aftësi 0 për të kritikuar ose kundërshtuar politikat personale të udhëheqësit.

Por çfarë na intereson në këtë analizë, është fakti se, liderët autoritaristë personalistë janë të prirur të krijojnë konflikte dhe të ndjekin nisma tejet të rrezikshme në politikën e jashtme, duke u shfaqur jo vetëm agresivë, por edhe aktorë të paparashikueshëm. Ndërmarrin vendime pa njoftuar, pa u konsultuar, duke vënë në rrezik edhe sigurinë e brendshme. Këtë e bëjnë me lehtësi vrastare, për shkak edhe të mungesës së institucioneve të forta që do të mund t’i kërkonin llogari e madje ta dënonin për vendime me pasoja të rënda për vendin.

Me situatën aktuale të një sistemi drejtësie në kolaps, me ngecjen e emërimeve në institucionet e reja të reformës, me gjykata jashtë funksioni, me Parlament nën akuzë nga blerja e votës, ku numrat kokëfortë të shumicës dhe shuarja me buton e opozitës e bëjnë jofunksional, pa reformë zgjedhore, me prokurori të kompromentuar që në gjenezë me mënyrën e zgjedhjes antikushtetuese të kreut të saj, me media të kontrolluar, me kushtetutë të cenuar e përçudnuar, me ambasadorë të heshtur në rastin më të mirë ndaj këtij pushtimi institucional prej pushtetit, pa shoqëri civile dhe me gatishmërinë për ikje të shqiptarëve, kemi dyshimin se kjo nuk vjen thjesht si pasojë e paaftësisë, por është një skenar i menduar, për të konsoliduar një herë e mirë regjimin autoritarist të personalizuar.

Thënë këtë, le të kuptojmë se, nëse kjo nuk ngjall më asnjë reagim në masë, le t’i referohemi zhurmave të mbështetura edhe nga shtypi prestigjioz ndërkombëtar, së fundmi “Le Monde”, për një mundësi të shndërrimit të Shqipërisë në një kamp botëror refugjatësh, për një strehëz ish-militantësh të ISIS-it dhe një vendi ku mund të shkarkohen të gjitha ato që konsiderohen të pamenaxhueshme dhe kërcënuese për popujt e Bashkimit Europian. Kjo zhurmë bëhet më shqetësuese, po të arsyetojmë nën dritën e pohimeve të mësipërme, se çfarë është i aftë të bëjë një pushtet i personalizuar me politikën e jashtme dhe shkëmbimet e rrezikshme, në favor të mbajtjes dhe konsolidimit të vetes.

Kryeministri i vendit, pak ditë më parë, do të bënte një përpjekje të çuditshme për të dëshmuar se, Shqipëria ka një problem të madh me emigrantët e paligjshëm, kryesisht sirianë dhe deklaron një shifër dy herë më të lartë se ajo zyrtare mbi numrin e tyre. Në takimin me kancelarin austriak Kurtz, kryeministri deklaroi se, në periudhën janar-maj 2018 në Shqipëri, janë regjistruar 2 311 emigrantë të paligjshëm, duke kërkuar ndihmën e miqve austriakë për të ndërtuar një bashkëpunim. Por, sipas raportit të IOM-it, në të njëjtën periudhë janë regjistruar 1 180 emigrantë të paligjshëm në vend. Pa e ngritur këtë shqetësim asnjëherë brenda vendit, pa u trajtuar kjo çështje si një shqetësim kombëtar, kryeministri shkon në Austri për të dhënë një alarm, duke kërkuar madje edhe një plan bashkëpunimi. Ndërkohë, dy ditë më parë, e përditshmja franceze “Le Monde”  boton artikullin me titull “Austria dhe Danimarka planifikojnë të hapin kampe azilantësh jashtë BE-së”. Sipas disa burimeve të “Le Monde” , Shqipëria dhe Kosova janë propozuar si vendet e mundshme ku do të ndërtohen kampet e refugjatëve, që synojnë azil në vendet e BE-së. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë që kalojnë përmes Turqisë e Greqisë, por edhe të tjerë që u është refuzuar kërkesa për azil në BE dhe nuk mund të kthehen dot më në vendet e origjinës. Pra, me një lidhje të thjeshtë faktesh, i njëjti kryeministër, ai austriak që propozon çeljen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri,është ai që dëgjon nga kryeministri shqiptar disa ditë para publikimit të propozimit nga “Le Monde”  se, Shqipëria po has probleme me shtimin e jashtëzakonshëm të emigrantëve të paligjshëm (me shifra të sajuara) dhe kërkon një plan nga miqtë austriakë. Mundet të jetë paranojë e shtypit, por presim që kryeministri të sqarojë propozimin austriak, i cili s’ka se si të vijë pa dijeninë e vetë Shqipërisë e Kosovës dhe përse mashtroi me shifrat e emigracionit në Shqipëri. Ky shqetësim bëhet edhe më i madh për shqiptarët, po të risjellim në vëmendje pjesën e parë të analizës se, regjime të personalizuara autoritariste përdorin nisma të rrezikshme të jashtme, me qëllim shpërblime që konsolidojnë vetëm pozitat e tyre; që legjitimojnë pushtetin e kapur dhe manipulojnë perceptime mbi suksese të njohura ndërkombëtarisht. Shqipëria është në prag të vendimit për çeljen e negociatave, ky ngut, këto përkime rastësore, të çojnë në dyshime, po deshët edhe paranojë, por që është ku e ku më e justifikuar se pasojat e një vendimi të tillë, që kryeministri e merr për hesapet e pushtetit të tij. Ku do të shkojnë këta refugjatë? Çfarë do të sjellin në komunitete tashmë të tronditur nga krimi, nga pasojat e trafiqeve, nga varfëria dhe emigracioni masiv i bijve të saj? Çfarë do bëjë ky kontingjent në vendin e papunësisë së madhe, të sigurisë së kërcënuar dhe varfërisë për të cilën bëhen emisione bamirësie me kryeministrin protagonist? Duhet ta dimë, çfarë prodhoi kjo krizë për vetë Europën, që sot është e pamundur t’i trajtojë në hapësirën e saj, edhe më të madhe edhe më të kontrolluar.

Në vitet 2015-2016, Europa do të përballej me krizën e madhe të emigracionit. Mungesa e kontrolleve dhe gardheve në kufij, për të përballuar flukset e jashtëzakonshme të refugjatëve e azilkërkuesve, zgjuan ndjenjat e rinacionalizimit, atë të ksenofobisë dhe identitetit në shumë prej tyre. Mungesa e kapaciteteve dhe besimit mes vendeve anëtare, po lë gjithmonë e më pak hapësira për qëndrueshmërinë afatgjatë të sistemit Shengen dhe sigurisë në vetë BE-në. Pavarësisht se, numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve të pranuar është ulur ndjeshëm, çështja është primare për politikat e vendeve anëtare. Mjafton të ndiqje retorikën e zgjedhjeve në Italinë fqinje, për të kuptuar se ç’vend zë në hapësirën publike diskutimi për trajtimin e emigracionit dhe azilit. Prania e madhe e tyre në hapësirat europiane, bëri që publiku menjëherë të përftonte pasiguri dhe cedimin e qetësisë. Ndodhte në kohën e krizës ekonomike, duke prekur buxhetet financiarë dhe shërbimet sociale të vendeve të BE-së, duke frustruar fort publikun. Pavarësisht se, krimet masive e aktet terroriste janë kryer nga qytetarë europianë, media europiane do të ngrinte alarmin e incidenteve dhe krimeve në rrugë të kryera nga azilkërkuesit. Mos të harrojmë se, emigracioni është çështje emocionale e fortë, që e polarizon shoqërinë dhe hyn në lëkurën e kujtdo. Shkakton solidaritet te një pjesë, por frikë dhe urrejtje te të tjerët. Qe ky ankth kolektiv, reagimet e forta politike dhe numri i lartë i azilkërkuesve që nxitën masat e reja në mars të vitit 2016, krijimin e Agjencisë së Kontrollit të Kufijve dhe shumë të tjera për të kontrolluar kufijtë e jashtëm të BE-së dhe për të kontrolluar flukset e korridorit Libi-Itali. Po ashtu, Sistemi Rregullator i Dublinit vendosi që, vendi ku një azilkërkues hyn në territorin e BE-së, pavarësisht se ku është destinacioni i tij i dëshiruar, është përgjegjës për trajtimin e kërkesës së azilit. Edhe kjo masë u rishikua me synimin për të krijuar lehtësira me vendet ku ka një numër të shpërpjesëtuar kërkesash. Por BE-ja do të përballej edhe me një përplasje mes vendeve të ish-bllokut komunist dhe atyre të perëndimit. Të parat ishin tejet të ndjeshme dhe jo të gatshme të bëheshin pjesë e masave të reja të rishpërndarjes së azilkërkuesve dhe madje u bënë shumë vokale kur idetë për vendosjen e tyre në kampe jashtë BE-së, u shfaqën për herë të parë. Megjithëse propozimi konkret u zbulua vetëm dy ditë më parë nga “Le Monde” . Sepse angazhimi i kapaciteteve për kontrollin e kufijve të vendeve jo Shengen, për sigurinë dhe të tjera masa administrative, do të kërkonte mobilizime të forta buxhetesh për të cilat jo të gjitha vendet janë gati të paguajnë. Dhe duke llogaritur infrastrukturën e çdo lloji në Shqipëri, i mbetet që Europa të krijojë një shtet brenda shtetit me azilkërkuesit e dëbuar. Pra, si ka mundësi që një zhurmë e tillë ku janë përfshirë të gjithë vendet e BE-së, kalon kësisoj e patrajtuar në Shqipëri, por krejt papritur kryeministri e bën çështje kombëtarë në Austri, vetëm pak ditë më parë dhe saktësisht në kohën ku Austria vetë, propozon Shqipërinë si vend kampesh refugjatësh, madje duke i premtuar edhe hapjen e negociatave?

Pasojat e vendimeve të tilla u interesojnë më së shumti shqiptarëve, por për të cilat kryeministri ende nuk ka në plan një tur llogaridhënieje. Për strehimin e ish-ushtarakëve të ISIS-it, një këshilltar kryeministri u përpoq të sqaronte se, nuk ka asnjë të vërtetë në thelb. Megjithëse nuk mund t’ia faturojmë alarmin fals një deklarate të kryeministrit bullgar këtu. Duhet analizuar mirë, çfarë do të thotë një propozim i tillë, sepse ideja për këto kampe diku jashtë kufijve të Europës, qëndron. Por edhe sepse në një vend me regjim të personalizuar, ku kryeministri do të ndërmerrte çdo nismë me risk për të garantuar pushtetin e tij dhe shpërblime po për legjitimitetin e pushtetit të tij, tashmë ngjan tejet i ekspozuar.

Në vendin ku shteti është i kapur dhe pushteti i personalizuar, çdo vend i fuqishëm i botës do gjente valvulën për të shkarkuar problemet dhe pasiguritë e veta. Këtu do të asgjësoheshin armët kimike të Sirisë, këtu duan të zbarkojnë mbetjet më të rrezikshme të botës… Problemi nuk janë ata, por ne, ne që pranuam të kapej shteti e të personalizohej pushteti nën hundën tonë, duke e parë sesi eksperimentohet me të për të zezën e jetës sonë. E për të mbetur kësisoj gjithë jetën me valixhen gati. Vendi i liderëve rajonalë, të koshave globalë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: