Vendet bosh në arsim, publikohen rezultatet e provimit të mësuesve

Vendet bosh në arsim, publikohen rezultatet e provimit të mësuesve
Me shpalljen e pikëve të tyre, përfundon edhe faza e dytë dhe vendimtare për arsimtarët që duan të fitojnë një vend pune në arsimin parauniversitar publik. Gazeta “Albania Free Press” zbardh ndryshimet e reja të bëra në sistemin e publikimit të pikëve. Secili kandidat duhet të bëjë verifikimin përkatës në portalin m-Albania, duke u futur me kredencialet individuale

Sonila Isaku

Shpallen rezultatet e mësuesve, të cilët u testuan përgjatë muajve mars dhe prill në testimin “Mësues për Shqipërinë”. Me shpalljen e pikëve të tyre, përfundon edhe faza e dytë dhe vendimtare për arsimtarët që duan të fitojnë një vend pune në arsimin parauniversitar publik. Gazeta “Albania Free Press” zbardh ndryshimet e reja të bëra në sistemin e publikimit të pikëve, i cili tashmë nuk është më i ndarë sipas qarqeve ose drejtorive rajonale, ku gjithsecili mund të shikonte renditjen e të tjerëve. Tashmë, secili kandidat duhet të bëjë verifikimin përkatës në portalin m-Albania, duke u futur me kredencialet individuale. Kështu, çdo kandidat duhet të vendosë numrin e kartës së identitetit në mënyrë që të mësojë renditjen e tij në portal, pikët e marra nga dosja, provimi si dhe pikët totale. Po kështu, në tabelë jepet edhe numri rendor i kandidatit, si dhe vendet vakante për rajonin ku ai ka aplikuar për tu punësuar si mësues. Kandidatët për mësues duhet të kërkojnë rezultatin e tyre në https://mesuespershqiperine.al/Home/Kendi. Fillimisht, gjithsecilit do t’i hapet një tabelë personale ku do gjejë vetëm pikët e fituara nga ai, renditjen, vendet vakante. Më pas, në krah të majtë është një dritare me ngjyrë bojëqielli e klikueshme e cila tregon të gjithë kandidatët e asaj dege me pikët e fituara dhe renditja.

Punësimi

Sipas drejtuesve të Drejtorive Arsimore, kjo është renditja përfundimtare e arsimtarëve. Rezultatet e publikuara gjatë ditës së djeshme janë faktorët përcaktues për tu punësuar. Mundësia e punësimit të gjithsecilit është në varësi të renditjes së tij dhe vendeve vakante në dispozicionin për çdo DAR/ZA. Prioritet ka ai kandidat që ka pikët maksimale, i cili ka të drejtë të refuzojë deri në tre vende që i ofrohen nga komisioni i ngritur posaçërisht. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme, sipas profilit/lëndës, është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore, në prani të komisionit të ngritur pranë drejtorive/zyrave arsimore.

Rezultatet

Kandidati duhet të bëjë verifikimin e ID-së personale për të mësuar pikët e grumbulluara në total. Tabelat me të dhëna përveç lëndës, kanë të dhënë pikët e fituara në testim, pikët nga dosja, renditjen, vendet vakante që janë për atë degë. Sa i takon pikëve, 70 për qind e tyre janë marrë nga provimi me shkrim dhe 30 për qind nga dosja e cila ka të bëjë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndorë përkatëse, trajnimet, eksperiencat e ndryshme në punë etj. Vlerësimet mesatare të marra variojnë nga 40 deri në 55 pikë, por ka edhe nga ata kandidatë të cilët kanë marrë pjesë vetëm në konkursin me gojë dhe jo atë elektronik.

Procedura e punësimit

Që një mësues të fitojë vendin e punës, duhet të kalojë nëpërmjet tri fazave. E para, ka të bëjë me dorëzimin e dosjes në Drejtorinë Arsimore Rajonale përkatëse. Të gjithë mësuesit që kanë një diplomë të nivelit të dytë, bashkë me licencën për ushtrimin e profesionit, duhet të aplikojnë nëpërmjet postës në DAR, duke dorëzuar dokumentet që janë të cituara në udhëzimin nr. 38 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike”. Testimi “Mësues për Shqipërinë” është faza e dytë, përmes të cilës duhet të kalojnë të gjithë ata që pretendojnë të fitojnë një vend pune në mësuesi. Ndërsa faza e tretë ka të bëjë me zgjedhjen e vendit të punës dhe emërimit të mësuesit. Rezultati i provimit është një nga faktorët përcaktues, por jo i vetmi për t’u punësuar. Pikët e testit kanë 70% të peshës në garën për punë. Shumatorja e rezultatit me pikët e dosjes që vlerëson DAR, përbën totalin e pikëve që bëjnë rankimin përfundimtar të mësuesve. Në rast se hapet një vend pune për një profil të caktuar, ai me rezultate maksimale punësohet me kontratë 1-vjeçare. Në portalin “Mësues për Shqipërinë” përfshihen dhe mësuesit që dëshirojnë të lëvizin me punë nga zonat rurale në ato urbane dhe anasjelltas. Ata që e kanë dhënë këtë provim dhe dëshirojnë të mbajnë rezultatin, për t’u punësuar duhet të dorëzojë dosjen dhe të vijojnë garën me pikët që kanë. Probabiliteti i punësimit të gjithsecilit është në varësi të vendeve vakante që hapen në profilin që ata i përkasin.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: