UTHULLA E FORTË! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

UTHULLA E FORTË! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Inati, urrejtja, sipas shumë studimeve, bën që organizmi të prodhojë disa substanca, të cilat i nevojiten muskujve dhe sistemit të gjakut për të qenë gati për sulm ose arratisje. Pra, substanca si adrenalina ose noradrenalina të bëjnë që të sulmosh për t’u mbrojtur. Por e dimë të gjithë se, inati dhe mllefi nuk janë asgjë tjetër, por një energji e madhe negative e cila rritet e rritet brenda nesh, nga vetë ne e nga askush tjetër. Energjia pozitive ndërton, energjia negative shkatërron, thjesht, pastër, bukur, pa gabime.

Vetë fjala lumturi në gjuhën latine, e ka bazën te fjala pjellori, ndaj imagjinoni se sa në kundërsens është inati, urrejtja, mllefi. Por atëherë, më thoni, pse duhet që brezi më i ri, adoleshentët e fëmijët, inkubojnë brenda vetes, shumë shpesh djemtë, një inat kaq të pashpjegueshëm?

Ca kohë më parë, bizneset e lagjes nuk gjenin derman me djemtë e vegjël që luanin me top futbolli rrëzë vetratave të tyre të xhamit. Të gjorët tregtarë ishin përpjekur që tua shpjegonin me të mirë e takt se në këtë mënyrë, e para po u shkaktonin bizneseve të vogla të lagjes shumë dëm ekonomik dhe, e dyta e më e rëndësishmja, rrezikonin jetën e klientëve, nëse vetratat e xhamit thyheshin e binim mbi kokën e dikujt.

A funksionoi takti e mirësjellja?

Jo.

E dini se pse?

Sepse nënat e këtyre trimoshëve një metër e pak, rrufisnin kafenë këmbë për mbi këmbë ngjitur me ta dhe jo vetëm që nuk ndërhynin, por shikonin me inat këdo që “pickonte” me ndonjë vërejtje bijtë e tyre të shtrenjtë e të mirë, po pak si shumë rrugeçër.

Përfundimi?

Vetrata e xhamit, siç pritej, u thye copë e çikë dhe zoti ndihmoi vajzën që po zbukurohej tek estetistja. Këtë dukuri djemsh të inatosur me këdo e që për të shkarkuar stresin dhe inatin, përplasin topa, gjuajnë me llastik, gërvishtin makinat e të tjerëve e dëme si këto, i has shpesh e më shpesh.

Jo më larg se sot, pasi e kanë krisur bindshëm vetratën e zyrës duke e goditur me top, delinkuentët e vegjël u rikthyen dhe, plot mllef e pa pikë vrasjeje ndërgjegjeje, i pashë teksa merrnin shënjestër pikërisht vendin e thyer dhe godisnin me top që vetrata të binte.

Mendoni se janë horra të palarë e të paveshur prindërish injorantë?

Jo dhe jo.

Djelmosha të larë e të hekurosur kokë e këmbë, me flokë të lëpira me xhelin e babit, me këpucë firmato e deodorant. Por ndërkohë që i lajnë e veshin shtrenjtë, harrojnë t’i edukojnë, më saktë, as që merren fare me dialogun për e mbi ta, madje ka nga ata prindër që edhe krenohen me “rrugaçërinë” e djalit king.

Besoj se nuk ju kanë munguar skenat me baballarë krenarë e nëna të lumtura që hareshëm tregojnë se si djali i tyre “ia rrasi me shpullë shoqes a shokut” ose “se si shan me rrënjë e me degë” që ju bëftë mamaja ju bëftë!

Uh, pikë e zezë!

Ky djaloshi një metër e pak ose pa pak, nesër do të të shajë ty nënë që i ke bërë kokën, e shpullën do e hash ti baba që sot je krenar se e ke djalin garip.

Uthulla e fortë prish enën e vet!

E nuk ka më shprehje të vërtetë se kjo.

Por inati dihet, vjen e shtohet. Sepse bën edhe pjesë e një kulture dhune brenda bërthamës e jo jashtë saj.

Mburremi aq shumë me faktin se jemi një shtet që nuk kemi shpallur asnjëherë luftë ndaj një shteti tjetër, por ndërkohë, ushtarët e vegjël të “perandorisë së inatit” prishin pronën, prishin qetësinë, prishin jetën e atyre që kanë vetëm fajin të jenë pranë tyre, teksa mami pi kafe e babi luan loto!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: