UNIVERSITETI/ Përfundojnë provimet, rruga që duhet të ndjekin maturantët

UNIVERSITETI/ Përfundojnë provimet, rruga që duhet të ndjekin maturantët
Shkollat e mesme kanë detyrim për të nxjerrë notat mesatare të maturantëve, të cilët do të kandidojnë drejt universitetit. Duke nisur nga data nga 30 korrik - 4 gusht, kandidatët për në universitete duhet  të aplikojë sërish për të përzgjedhur 10 preferencat e tyre në degët ku ata dëshirojnë të vazhdojnë studimet

Sonila Isaku

Ka përfunduar ditën e djeshme procesi i maturës shtetërore për të gjithë maturantët, duke iu nënshtruar provimeve me zgjedhje. Tashmë pas përfundimit të këtyre provimeve, të cilat janë thjesht dalëse nga arsimi i mesëm, do të vijojë të zbatohet rregulloja e përcaktuar nga Ministria e Arsimit, si edhe kriteret e vendosura nga të gjitha universitetet në vend. Kryesore është që për t’u futur në universitet, maturantët duhet të kenë notën mesatare mbi 6, për lëndët e mësuesisë mbi 7 dhe për mjekësinë mbi 8.5. Ndërkohë që, në universitete si ai i sporteve dhe arteve, konkurset kanë një pjesë të veçantë.

Aplikimet për universitet

Pas shpalljes së notave për provimet me detyrim dhe ato me zgjedhje, shkollat e mesme duhet të publikojnë mesataren e të gjithë kandidatëve, të cilët do të konkurrojnë për në universitet. Të gjithë kandidatët duhet të bëjnë përllogaritjen e pikëve në bazë të formulës për të parë sa janë pikët totale të grumbulluara dhe më pas, të konsultohen me lisën e pikëve të fituesit të fundit të vitit të kaluar. Kjo do t’i ndihmojë ata për të zgjedhur 10 degët, ku ata kanë dëshirë të vazhdojnë studimet. Pas këtyre kalkulimeve, duke filluar nga data  30 korrik - 4 gusht, kandidatët për në universitete duhet  të aplikojnë sërish për të përzgjedhur preferencat e tyre në portalin www.ualbania.arsimi.gov.al. “Të drejtën e aplikimit e kanë vetëm ata kandidatë, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe plotësojnë dokumentacionin dhe kushtet, i cili ka të bëjë me pajisjen me dokumentacion ligjor të përfundimit të arsimit të mesëm, plotësimi i notës mesatare, e cila duhet të jetë mbi 6, për degët e mësuesisë mbi 7 dhe në disa universitete të tjera, më e lartë sipas kriterit të vendosur nga vetë ata, apo nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër. Maturantët përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portal duhet të kryejnë një pagesë prej 2 mijë lekësh në zyrat e postës apo bankat nivelit të dytë, nga data 5 qershor deri në datën 15 korrik. “Në periudhën 30 korrik deri në 4 gusht të gjithë kandidatët, ë cilët duan të ndjekin studimet në universitet, duke përfshirë edhe ata të cilët kanë përfunduar studimet jashtë vendit, pas pagesës së tarifës do të kryejnë aplikimin në portal, nëpërmjet formularit online të aplikimit”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Gjatë aplikimit, kandidatët zgjedhin deri në 10 programe studimi nga lista e programeve, që ofrojnë universitet për këtë vit akademik.

Si do të shpallen fituesit

Në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, mbledhja dhe grumbullimi i të gjitha të dhënave të maturantit do të kryhet deri në datën 28 gusht dhe një ditë më pas do të kryhet shpallja e rezultateve dhe nisja e regjistrimeve për fituesit.  Më pas, do të jenë tre faza të shpalljes së fituesve. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, faza e parë do të nisë nga 30 gushti e deri në 12 shtator mund të shkojë në sekretarinë e shkollës për të bërë direkt regjistrimin me dokumente. Është menduar që kjo periudhë të bëhet me 7 faza regjistrimesh 48­-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe deri në plotë­simin e kuotave bosh. Fituesit që nuk u regjistruan brenda një afati 48 orësh, humbasin të drejtën e regjistrimit, në ato programe studimi ku ishin shpallur fitues për atë fazë.

Më pas , lista e dytë e fituesve do të shpallet më 25 shtator. Dhe nga datat 27 shtator deri në 6 tetor do zhvillohet regjistrimi i fituesve me 5 faza regjistrimesh 48­-orëshe, duke zhvendosur aq herë vizën e kuqe deri në plotë­simin e kuotave bosh. Fituesit që nuk u regjistruan brenda afateve humbasin të drejtën e studimit.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur regjistrimi i kandidatëve për në universitete u bë vetëm me dy faza, këtë vit do të jetë edhe një fazë e tretë. Kështu, gjatë periudhës nga 9-13 tetor universitetet do të vijojnë me regjistrimin e kandidatëve nëpërmjet portalit U-Albania, në programet e studimit në të cilat kanë aplikuar në raundin e dytë. Të drejtën e gëzojnë vetëm ata kandidatë, të cilët nuk janë regjistruar në asnjë program tjetër studimi. Në rastet kur përfundon e gjithë lista e kandidatëve që kanë aplikuar në raundin e dytë dhe mbeten kuota të paplotësuara në programet përkatëse të studimit, përzgjidhen kandidatët fitues sipas kërkesave të depozituara nga kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi, pavarësisht zgjedhjeve në raundin e parë apo të dytë. Këto regjistrime kryhen nga datat 15-18 tetor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: