UEFA, drejtësia sportive dhe shembulli kroat 

Publicitet
Publicitet
UEFA, drejtësia sportive dhe shembulli kroat 
Skënderbeu në pritje të CAS, Dinamos së Zagrebit i dënohen ish-drejtuesit kryesorë

Aranit Muraçi

Skënderbeu është në pritje të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv CAS, për të mësuar fatet e tij rreth pjesëmarrjes në Champions League, kjo pasi kampionët e Shqipërisë janë dënuar me 10 vjet pezullim nga UEFA, nën akuzë për fiksimin e rezultateve të ndeshjeve. Gjatë periudhës 2010-2016, UEFA akuzon Skënderbeun se ka fiksuar rezultatin e mbi 50 ndeshjeve, përfshirë edhe ato të Europa Legue, ndërsa mes ndeshjeve të dyshuara spikat edhe takimet ndaj Dinamos së Zagrebit.

Nga ana tjetër ekipi kroat është prekur nga një skandal edhe më i madh, madje ndryshe nga çështja “Skënderbeu”, është drejtësia kroate që ka goditur rëndë disa nga ish-drejtues dhe drejtues aktualë të këtij klubi. Ish-presidenti Zdravko Mamic, vëllai i tij dhe ish-lojtari dhe trajneri Zoran Mamic, ish-drejtori i klubi Damir Vrbanovic si dhe zyrtari tatimor Milani Pernar janë dënuar për keqpërdorim të fondeve në transferimet e kryera nga Dinamo Zagreb. Shuma totale e konfiskimit vlerësohet në miliona euro pasi kjo shumë nuk është deklaruar. Një gjykatë në Osijek zbuloi se afërsisht 150 milionë korona nuk janë deklaruar nga klubi i Dinamos. Hetimi kishte të bënte me kalimin e lojtarëve të famshëm nga Dinamo rreth 10 vjet më parë. Lojtarët janë Luka Modric i cili aktualisht aktivizohet me Real Madrid dhe Dejan Lovren. Asnjë nga lojtarët në fjalë nuk konsiderohet i përfshirë në këtë çështje. Ashtu sikurse asnjë nga të dënuarit nuk mori pjesë dje në vendimin e gjykatës në Osijek. Paratë konsiderohen të jenë në llogaritë bankare, të jenë përdorur për të blerë shtëpi, apartamente dhe makina. Aktgjykimi mund dhe ka gjasa të ankohet në Gjykatën Supreme të Zagrebit.

Në Shqipëri, ndoshta Skënderbeu është klubi më i rregullt sa i përket respektimit të kontratave dhe pagesave. Të paktën nuk ka pasur gjyqe apo konflikte mes klubit korçar dhe futbollistëve, siç ndodh rëndom shpesh me ekipet e tjera. Paradoksi qëndron se pikërisht klubi më i suksesshëm shqiptar i dekadës së fundit dënohet nga UEFA, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet në Europë me ekipe të tjera, që kanë probleme të shumta në respektimin e kontratave, deklarimin e të ardhurave, e çështje të tjera të anës financiare, për të cilat UEFA nuk mund të hetojë. Por ato nxjerrin në pah rolin e dobët të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, sidomos kur krahasohemi me një vend ballkanas, afër nesh, si Kroacia.

Dënimet

Zdravko Mamiç - 6.5 vjet burg

Zoran Mamiç - 4 vjet e 11 muaj

Damir Vrbanovic - 3 vjet

Milan Pernar - 4 vjet e 2 muaj

 

E ardhmja e Partizanit

Në varësi të dënimit të mundshëm ligjor të Skënderbeut, pra nëse CAS vendos që kampionët e Shqipërisë nuk duhet të luajnë të paktën këtë sezon në Europë derisa të shqyrtohet çështja, do të përcaktohet edhe e ardhmja e Partizanit. Të kuqtë kryeqytetas do të fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League, por kanë menduar më herët për një rast të tillë pasi janë gati në emërimin e trajnerit të ri si dhe të disa përforcimeve të bujshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: