Udhëheqësit komunistë të frikësuar për jetën, si e forcuan shërbimin e sambistëve

Publicitet
Publicitet
Udhëheqësit komunistë të frikësuar për jetën, si e forcuan shërbimin e sambistëve
INTERVISTA/ Flet eksperti i trupave speciale, Hil Lushaku: Shërbimet special të trupave sambiste pas vdekjes së Enverit, që nga ruajtja e ambasadës italiane, pas hyrjes aty të familjes “Popa” dhe vizitat e liderit të ri komunist, Ramiz Alia në të gjithë vendin

Udhëheqja komuniste pas vdekjes së ish-diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985, dukej se kishte një preokupim në rritje për  rreziqet dhe kërcënimet ndaj jetës së anëtarëve të saj. Dhe për një arsye të tillë, ajo ndërmori disa vendime të posaçme, të cilat synonin fuqizimin e shërbimit të të ashtuquajturave “trupa sambiste”. Kjo bëhet me dije në rrëfimin e radhës së ekspertit të trupave speciale, Hil Lushaku, për “Albanian Free Press”, rreth repartit special nr. 326 dhe detyrave special të tij…

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

(Vijon nga numri i kaluar)

Po fundi i vitit 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, çfarë shënoi për trupat sambiste?

Fundi i vitit 1985 hapi një shërbim të veçantë, ruajtjen e ambasadës italiane, pas hyrjes aty të familjes “Popa”. Në vitin 1985, reparti realizoi një demonstrim fiziko-ushtarak, para disa udhëheqësve të lartë të shtetit të asaj kohe, duke ndjekur përvojën pozitive që po përhapej gjerësisht në Forcat e Armatosura nga efektivët aktivë të reparteve dhe nënreparteve të zbulimit ushtarak. Viti 1985 pati edhe një emulacion të spikatur. Gjithashtu, në muajin qershor, efektivi i kompanisë së policëve ushtarë u sistemua në fjetoret e reja, po kështu, edhe disa zyra të punës u vunë në gjendje funksionale normaliteti.

Si ishte gjendja e kompletimit të repartit në fundin e vitit 1985?

Në fundin e vitit 1985, gjendja e kompletimit të repartit ishte si vijon: oficerë në organikë 28, gjendje 24, mangët 4; nënoficerë në organikë 36. Kurse pasqyra e të dhënave për gjendjen e armatimit shënon: pistoleta 338, automatikë “kallashnikovë” 300, mitraloza të lehtë 27, pushkë snajperë 3, granatahedhës të lehtë 3, flakëhedhës të lehtë 3. Ndërsa inventari i mjeteve të transportit kishte: 1 veturë, 1 mikrobus dhe 10 kamionë e 1 tricikël. Programi mësimor i hartuar në vitin 1985 planifikonte stërvitje për tre breza ushtarësh, Ndërkaq, viti 1986, nga janari deri në dhjetor, përfshiu vijimin e shërbimit të pandërprerë, të filluar në vitin 1985, në ruajtjen e ambasadave të huaja, e veçmas asaj italiane e rezidencës franceze, përballë saj, në rrugën e Elbasanit. Këtë vit pati shërbime edhe në sigurimin e udhëheqësve në Elbasan dhe Gramsh, ndërsa në periudhën e muajve qershor-shtator u përsërit shërbimi rutinë i sigurimit të rendit në plazhin e Durrësit dhe përforcimi e mbështetja e shërbimeve të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit. Viti 1986 u karakterizua nga aktivizimi në shërbim i repartit edhe për kryerjen e disa arrestimeve të personave të cilësuar shumë të rrezikshëm kundër rendit juridik socialist në rrethet kryesore Tirana, Shkodra, Durrësi etj.

31 mars 1986, një ngjarje e rëndë

Më 31 mars 1986, në repart ndodhi një ngjarje e rëndë, një aksident me makinë, i cili solli pasojë plagosjen e 11 policëve dhe humbjen e jetës të dy të tjerëve, analizuar e cilësuar si shkak i shkeljes së rregullave dhe disiplinës në transportimin e trupave me automjete, për të cilin u ngarkuan me përgjegjësi dhe u ndëshkuan disa persona. Duke sqaruar këtë fatkeqësi, nënoficeri Nazar Hoshafi më informoi se pas disa ditësh vdiqën dy nga ushtarët e plagosur rëndë në këtë aksident, njëri ishte nga Dibra, me mbiemrin Daci, e tjetri nga Qafë-Shtama, Krujë. Ushtari nga Kruja ishte bir i një familjeje shumë të varfër, të këputur ekonomikisht, të cilët me zor prisnin përfundimin e detyrës nga djali, që t’u bëhej krah pune për të përmirësuar të ardhurat. Në këtë rast, Nazari ka qenë në nderimin e të ndjerit, së bashku me komisarin e repartit, Afuz Murati, i cili ishte ndjerë ngushtë kur familja i thoshte “duam djalin gjallë”. Pas qëndrimit gati 21 ditë në gjendje kome vdiq ushtari nga Dibra, në varrimin e të cilit shkoi komandanti i repartit, Nexhmiu, mbasi ai kishte njohje me familjen e të ndjerit, një familje dibrane kjo me emër të madh dhe e fisme. Sipas Nazarit, familjes iu plotësua dëshira për të zëvendësuar në repart djalin e humbur aksidentalisht, Mahmutin, me të vëllanë e tij, i thirrur Avdi. Një ditë, duke u stërvitur, ky u rrëzua me ski e gati vdiq, por shpëtoi falë ndihmës së shpejtë që iu dha duke e transportuar me helikopterin e repartit në spitalin ushtarak. Pas disa muajsh Avdiu shpëtoi “për fije të perit” edhe nga një e shtënë e pakujdesshme arme. Duke gjykuar se “ishte i pafat” në repartin special dhe vlerësuar fatkeqësitë që kishte pasur familja edhe me dy djem të tjerë që kishin vdekur aksidentalisht në shërbimin ushtarak, e bindëm komandantin ta nderonin me të gjitha mundësitë Avdiun por edhe ta lironin nga shërbimi në forcat speciale, e kështu u bë, iu dha shtëpi e u ndihmua të punësohet gjetkë.

A kishte testime rigoroze në këto trupa?

Në vitin 1986, pati testime rigoroze për pranim në punë të policëve rrogëtarë, me përzgjedhje kandidatësh të shquar në fusha të ndryshme të sportit.

Kur u krijua për herë të parë skuadra e zhytjes?

Në vitin 1986, me urdhër të ministrit të MPB, u krijua për herë të parë skuadra e zhytjes. Nuk e fsheh se kam pasur kundërshti nga drejtuesit e repartit, të cilët nuk i konceptonin këto struktura, mbasi në opinionin tim ata kanë qenë krejt të paaftë të drejtonin forcat speciale. Nuk kishim pajisje për zhytje, mungonin bombolat e ajrit, veshjet e gomuara, pajisjet e tjera elementare, ndaj çdo gjë e nisëm nga hiçi, duke u stërvitur me vullnet të hekurt. Që në fillim, i kushtuam rëndësi përgatitjes fillestare teorike dhe në vijim stërvitjes fizike e asaj teknike të zhytjes. Isha i ri e me vullnet, zotëroja aftësi të mira si ish-marinar, ndaj nuk e pata të vështirë të trajnoja ekipin e zhytësve. Pata fatin që një miku im më informoi se në disa shtëpi pushimi, të administruara nga Bashkimet Profesionale, ishin gjendje bombola ajri, të cilat i gjeta në Pogradec, Durrës, Vlorë, Shëngjin.

Po viti 1987?

Viti 1987 pati disa shërbime speciale. Në periudhën janar-shkurt, reparti kreu disa shërbime speciale në Durrës, si dhe shërbime për sigurimin e rendit juridik socialist në shumë aktiviteteve sportive, ku pritej të ndodhnin ngjarje ta pazakonta, sikurse ishin rrethet Lushnjë, Kavajë e Durrës. Në dhjetëditëshin e parë të muajit shkurt reparti pati përgjegjësinë e sigurimit të vizitave të Ramiz Alisë në rrethet Korçë e Skrapar. Në dhjetor 1987, u krye një shërbim me pjesëmarrjen e të gjithë efektivit sambist (dy kompani), në bashkëveprim me shumë shërbime të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, duke organizuar prita, gracka, kurthe, kontrolle, postblloqe, me qëllim zbulimin, kërkimin e kapjen e të arratisurit të rrezikshëm nga dhomat e izolimit të rajonit nr. 4, Zef Doçi, i cili u kap në orën 20.00, të datës 31 dhjetor 1987, në afërsi të stacionit të trenit në Vorë. Me vendim të Këshillit të Mbrojtjes nr. 11, datë 23.04.1987, në vijim, detyruar nga zhvillimet që mori kriminaliteti në vend, u intensifikua puna për zëvendësimin e ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm aktiv me police sambistë rrogëtarë. Vendimi në fjalë: “Për fuqizimin e mëtejshëm të batalionit të gatishmërisë së Policisë (Reparti nr. 326) të Ministrisë së Punëve të Brendshme”. shprehej se: “Ky batalion të organizohet me tre kompani gatishmërie nga të cilat dy të plotësohen me policë të shërbimit aktiv të përhershëm, (sambistë, boksierë, snajperë, notarë, atletë etj.,) dhe një kompani të plotësohet me policë të shërbimit të detyrueshëm sipas kritereve të caktuara e shtatlartë mbi 1.75 m. Shoqëruar edhe me “në limitin organik për kohë paqe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të shtohen 260 vetë, nga të cilët: 13 oficerë, 4 nënoficerë dhe 343 ushtarë”, ndërsa në pikën nr. 2 përcaktonte se kjo shtesë “bëhet në efektivin e Gardës së RPSSH dhe të përdoret: 170 vetë për sigurimin dhe ruajtjen e Pallatit të Kongreseve, Selisë së re të KQ të PPSH dhe Muzeut “Enver Hoxha”; 90 vetë për të forcuar disa shërbime për sigurimin e udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit”. Të dy vendimet nuk kanë nevojë për analiza e komente, sepse thjesht e qartë shprehin frikën e shqetësimin e udhëheqjes komuniste për rreziqet e kërcënimet ndaj jetës së tyre, për një preokupim në rritje, por edhe për vlerësim serioz të tyre e parashikim masash të shumta që sjellin një kosto shumë të lartë ekonomiko-financiare, e cila do të rëndonte mbi jetën sociale të shqiptarëve.

Si zhvillohej stërvitja me këto trupa, a kishte stërvitje special, ndryshe nga trupat e tjerë?

Nga programi i stërvitjes së repartit vlerësova me interes të shënoj sasinë e orëve të përgatitjes fizike të sambistëve rrogëtarë dhe ushtarëve policë. Me sambistët rrogëtarë kjo lëndë përfshinte 63% të programi stërvitor, ekuivalente me 850 orë mësimore, prej tyre: -310 orë vetëmbrojtje, -140 orë përgatitje atletike e marshime me ngarkesë të lartë fizike, 14 0 orë boks, 100 orë gjimnastikë e akrobaci, 80 orë përgatitje malore e kalim pengesash malore, 80 orë not e kalim pengesash ujore. Sasia e orëve të përgatitjes fizike me policët ushtarë ishte 560 orë, ose 41.8% e të gjithë programit. Ky është një tregues që pasqyron rëndësinë e madhe që i kushtohej përgatitjes fizike të efektivit të repartit special, pothuajse ngjashmërisht sikurse njësitë analoge të vendeve të zhvilluara. Detyrat e shtruara nga Këshilli i Mbrojtjes, për fuqizimin e repartit, sollën ndryshime edhe në inventarin e pajisjeve speciale. Këtë vit u futen në inventar të repartit edhe një numër i konsiderueshëm pistoletash elektrike, të përdorshme në veprimet në distancë të afërt, në kontakt fizik me personat ndaj të cilëve ndërhyhet. Ndërkohë, vijojnë kërkesat nga komanda e repartit për sigurimin e pajisjeve sipas listës së mëposhtme: pushkë me rreze lazer (copë 5), pushkë snajperë (copë 10), pushkë granatahedhëse të municioneve lakrimogjene (copë 5), automjet i blinduar (copë 1), kostume mbrojtëse antiplumb që sigurojnë të gjithë trupin (copë 10), zinxhirë me thumba për të shpuar gomat e makinave që nuk ndalen (copë 5), pajisje për zhytësit (komplete 10), aparat për kërkimin e zbulimin e minave e ngarkesave me lëndë eksplozive (copë 1), aparat shkatërrimi ose për plasje (copë 10), radiometër (copë 1), komplet i kontrollit të rrezatimit radioaktiv tip 62 (copë 1), kostume mbrojtëse kundër lëndëve kimike (copë 10), radiostacion ESSB i fuqisë 110Ë (copë 6), radio “Storno-shumëkanalëshe” (copë 7), marrëse lajmërimi “Florian-2000” (copë 150), pult komandimi për marrësit “Florian-2000”, zëvendësim i automatikut “Kallashnikov” me armë automatike me qytë të përkulur metalike, futjen në inventar të pistoletave me thika me sustë, sigurimin e armëve pushkë snajperë e pistoleta me qitje pa zhurmë (silenciatorë në sasinë 15 copë), furnizimin me sasi të konsiderueshme me granata e bomba lotsjellëse, tymuese, neutralizuese e verbuese, rritjen e normës së ushqimit nga nr.2 në nr.4 (në vleftë nga 8 në 10 lekë dita) si dhe sigurimin e një norme të veçantë në stërvitjet jashtë venddislokimit deri në vleftën 13 lekë dita. Në vazhdën e këtyre ndryshimeve janë edhe intensifikimet e punimeve për përmi-rësimin e kushteve të jetesës në repart, sikurse evidentohen gati në përfundim godina e re dhe fillimi i ndërtimit të palestrës bashkëkohore. Në fundin e vitit 1987 rezulton t’i jenë dhënë në përdorim repartit: një pushkë e tipit paralizues (nga 5 që ishin kërkuar), 5 bomba antiagresive të tipit “PARAL”, 4 të tipit “PN-30”, 7 të tipit “ARESOL”, 4 të tipit “ARESOL me gaz CS”, 5 stilografë vetëmbrojtës “PARASYL” e një i tipit “ERMALTE”.

Po ngjarje brenda këtij reparti a ka pasur?

Krahas arritjeve, edhe në vitin 1987 reparti nuk “shpëtoi” nga ngjarjet e rënda. Më 10 mars 1987, u arrestua polici “L.D”, i cili u dënua me heqje lirie dhe u dërgua në repartin e Riedukimit në Batër të Martaneshit. Kurse në fillim të janarit 1988 (5-20.01.88) sambistët janë dislokuar në malin me Gropa, të strehuar në kapanonet e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve  (në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes), për zhvillimin e stërvitjes në dimër në terrene malore të mbuluara me dëborë. Në muajin janar 1988, u krye një shërbim i vështirë në Lezhë, për mbajtjen e rendit gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipit vendas “Besëlidhja” dhe “Lokomotiva” e Durrësit, ngaqë shumë vetë erdhën gjoja të dehur në stadium dhe u futën në fushë e kryen veprime vandaliste me mjete të ndryshme. Edhe në muajin mars reparti u aktivizua me shërbim në garantimin e normalitetit në ndeshjen e zhvilluar në Fier, ndërmjet ekipeve “Apolonia”-“Partizani”.

Çfarë ka ndodhur në këtë kohë në Ballagat të Lushnjës?

Në prill 1988, u krye një shërbim i vështirë në Ballagat të Lushnjës, për kapjen e dy personave të armatosur, babë e bir, të cilët kishin vrarë dy bashkëfshatarë të tyre. Në këtë shërbim u përdoren gjerësisht pajisjet speciale, përfshirë edhe dy helikopterët e policisë dhe u aplikua me sukses edhe negocimi. Në drejtimin e zhvillimit të këtij operacioni ishin edhe zëvendës-ministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj, e komandanti i repartit, Nexhmi Zoto. Në këtë rast është ndërhyrë ndaj personave të strehuar në një banesë dykatëshe, operacioni kaloi në disa faza, përfshirë edhe bllokimin, rrethimin e kufizimin. Personat u binden me negocim e kjo shënoi një risi për shërbimet e specialëve. Në muajin maj 1988 u krye një tjetër shërbim specifik, për gjetjen e dy personave të vrarë e të hedhur në lumin e Tiranës. Shërbimi zgjati mbi 8 ditë, u krye në vorbullat e lumit e në vende të rrezikshme, pa pasur pajisje zhytëse. Operacioni u kurorëzua me sukses me gjetjen e dy personave në gropat e lumit afër ish-uzinës së Artilerisë së Ushtrisë, në Brar-Ferraj.

 

VIZITA

Si u ruajt ish-kryediplomati grek, Papulias kur erdhi në Sarandë…

Në qershor 1988, reparti kreu shërbim në Sarandë, për sigurimin e normalitetit gjatë vizitës  së delegacionit grek, i kryesuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Karolios Papulias, duke mos pasur asnjë shqetësim. Por i veçantë këtë vit ka qenë edhe shërbimi i kryer në “Qytetin Stalin”. Sikundër, në

periudhën 16-31 korrik 1998 është shënuar edhe një tjetër shërbim rraskapitës për sambistët, ai i kërkimit e kapjes së 8 të dënuarve të arratisur nga reparti I riedukimit të Tërnovës, Bulqizë. Kurse në tetor 1988, u kryen shërbime në sigurimin e normalitetit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe në sigurimin e vizitës së Ramiz Alisë në rrethin e Dibrës. Aktivizimi në shërbim në shoqërimin e sigurimin e vizitave të Ramiz Alisë vijoi edhe në muajin nëntor në rrethin e Korçës dhe në Sarandë, Delvinë e Konispol. Nga ana tjetër, në dhjetor 1988 u kryen shumë shërbime në pika kontrolli e postblloqe në rrethet Lezhë e Krujë, sidomos në Fushë-Krujë, në Milot dhe në Tresh. Ky shërbim zgjati 20 ditë pa ndërprerje dhe nuk ka asnjë sqarim për arsyen e kryerjes së tij.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: