Turizmi, më shumë persona po ikin jashtë sesa po vijnë në Shqipëri

Turizmi, më shumë persona po ikin jashtë sesa po vijnë në Shqipëri
Turizmi vazhdon të shënojë hope cilësore në Shqipëri. E këtë e tregojnë edhe shifrat më të fundit të publikuara lidhur me ardhjen e të huajve drejt saj. Ato sërish flasin për një rritje të dukshme të tyre edhe gjatë muajit maj të këtij viti, deri në 10% krahasuar me një vit më parë, ose deri 7.7% me gjithë hyrjet e siguruara në pesë muajt e parë të vitit.

Por përtej këtyre shifrave optimiste për një Shqipëri që po preferohet gjithmonë e më shumë nga të huajt, interesante mes shifrave që ka publikuar dje Instituti i Statistikave është dukuria e daljeve të qytetarëve prej saj. Ku këta të fundit, qofshin vendas apo të huaj, rezultojnë të jenë më të shumtë se ata që kanë hyrë në Shqipëri.

Konkretisht, shifrat tregojnë se nëse në territorin e saj kanë hyrë 3.27 milionë persona gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, ata që kanë dalë prej saj kanë qenë 3.46 milionë. Me një rritje, e cila figuron të jetë deri në nivelin prej 7.7% krahasuar me vjet. Dukuri e njëjtë kjo, e cila vlen edhe për shifrat e dhëna vetëm për muajin maj, respektivisht me 786 mijë persona që kanë ardhur në Shqipëri dhe 839 mijë persona që kanë dalë prej saj.

“Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit maj 2018, janë 839.235 duke shënuar një rritje me 6.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kurse ai i atyre të dalë nga territori i Shqipërisë, vetëm gjatë muajit maj 2018, ka shënuar një rritje në nivelin prej 3.7%”, citojnë ekspertët e INSTAT-it.

Të gjitha këto krahasime vërtetojnë trendin e shtuar të shqiptarëve për të dalë shumë jashtë vendit të tyre e për të vizituar vende të reja, për të kaluar më shumë pushimet atje dhe për të mos preferuar më vendin e tyre për një gjë të tillë.

839

Mijë persona kanë dalë prej Shqipërisë vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, krahasuar me 786 mijë të tillë që kanë dalë në të njëjtën periudhë të një viti më parë

3.46

Milionë persona kanë dalë prej Shqipërisë gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me 3.46 milionë të tillë që kanë dalë në të njëjtën periudhë të një viti më parë

Kosovarët mbajnë vendin e parë të të huajve që vijnë në plazhet tona

Qytetarët nga Kosova vazhdojnë që të mbajnë vendin e parë të atyre që frekuentojnë Shqipërinë. Konkretisht, me një shifër prej 443 mijë vetash, me një rritje prej 2.4% në raport me vitin e kaluar. Ndërsa kanë shënuar një rënie të tyre vetëm për muajin maj në fakt, i cili përkoi me muajin e Ramazanit. Konkretisht, për këtë muaj, ekspertët japin shifrën e ndikimit në rënien vjetore prej 8.7%. Në vend të dytë janë maqedonasit, me 205 mijë hyrje për 5-mujorin, duke shënuar një rritje në nivelin prej 6% me bazë vjetore. Pas tyre, vijnë grekët me 172 mijë hyrje (rritje 7.1%), malazezët me 150 mijë (+4.6), italianët me 105.5 mijë hyrje (+7.6). Teksa ata që bien në sy si gjatë këtyre viteve të fundit për rritjen më të lartë të vizitave të tyre në Shqipëri janë polakët. Gjithmonë sipas shifrave të INSTAT-it, për pesë muajt e parë të vitit kanë ardhur gati 13 mijë polakë, ose 34.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Teksa në rritje ishte dhe gjermanët, me 34.7 mijë hyrje, me rritje vjetore prej 25%.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: