Tirana kryeson për peshën në ekonomi, por qarqe të tjera ia kalojnë për rritjen

Tirana kryeson për peshën në ekonomi, por qarqe të tjera ia kalojnë për rritjen
Vërtet është qarku kyç për ekonominë e vendit, por Tiranës, disa qarqe të tjera, duket se po ia kalojnë në “garën” se kush kontribuon më shumë në të. Kjo është dukuria që konstatohet përmes shifrave të ofruara së fundmi nga Instituti i Statistikave, lidhur me kontributin në ekonomi të 12 qarqeve të vendit.

“Kontributin më të madh në rritjen ekonomike, e ka dhënë qarku Tiranë me +1.62%, pasuar nga qarku Vlorë me +0.44% dhe ai Durrës me +0.39%”, pohojnë ekspertët e INSTAT-it. Duke e pranuar kështu faktin që kryeqyteti i vendit vazhdon të ketë rolin kryesor në ekonominë shqiptare.

Por ama, nëse i shohim me vëmendje shifrat bazuar tek rritja reale ekonomike për secilin prej tyre, rezulton se Tiranën e lënë pas disa qarqe të tjera, që janë më modeste se ajo sa i përket investimeve, apo të punësuarve.

Një i tillë për shembull është ai i Vlorës, rritja e të cilit është gati sa dyfishi i Tiranës, 7.7%, teksa ajo për periudhën që ka marrë në studim INSTAT-i, e ka patur vetëm 4%. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për qarkun e Korçës, i cili gjithashtu ka një nivel më të lartë të rritjes se Tirana, deri 6.2%. Apo edhe për ata të Lezhës dhe të Dibrës në veri të vendit, që figurojnë me të njëjtin nivel rritje të PBB-së së tyre, deri 6.1%.

Në këtë mënyrë, krijohet ideja se në vend, ka disa qarqe të caktuara që po shfaqin trende të reja zhvillimi, ndryshe nga ai i formësuar deri tani, se vetëm aksi Tiranë-Durrës ishte ai që e mbante “gjallë” vendin, me ekonominë që ai gjeneronte. Por me rritjen e tyre të barabartë dhe vetëm në nivelin prej 4%, si Tirana, ashtu edhe Durrësi, duket e se kanë humbur këtë “trofe”.

Ndërsa zona të tjera të vendit, për arsye nga më të ndryshmet po tregojnë epërsi, sa i përket kontributit të tyre në ekonomi.

Një e tillë mund të jetë aspekti turistik, që vlen për shembull për qarkun e Vlorës, i cili mund të ketë ndihmuar realisht në shtimin e peshës që ai po shfaq gjithmonë e më shumë në ekonominë e vendit. Sikundër, edhe për atë të Lezhës, etj.

 

 

Ekonomia e veriut të vendit, rritet më shpejt se ajo e jugut

Ekonomia e veriut të vendit, po rritet më shpejt se ajo e jugut. Të paktën kështu tregojnë shifrat zyrtare, sipas të cilave rezulton se qarqet e pjesës së veriut kanë shënuar rritje më të lartë ekonomike, se ata të jugut. Një diferencë kjo, e cila duket se “ngec” në pjesën e mesit të Shqipërisë, aty ky gjithsesi, rritja rezulton më e lartë se në të dyja skajet e vendit, veri-jug. Konkretisht, veriu në tërësinë e tij prin me një rritje ekonomike prej 4.09%, pak më shumë se ajo e qendrës me 3.92%, kurse jugu nuk kap dot as nivelin prej 2%. Madje mund të thuhet se jugu ka edhe qarkun, ekonomia e të cilit ka rënë më shumë se tek të tjerët. Fjala është për Fierin, që ka kapur një nivel të rënies ekonomike, deri në -4%. Ndërsa në veri, edhe nëse ka një qark që rezulton me rënie ekonomike, siç është ai i Kukësit, niveli i tij është rënës është sa gjysma e atij të Fierit, vetëm -2%. Nga ana tjetër, sa i përket qendrës së vendit, duket thënë se ajo nuk përfshin asnjë qark që t’i ketë rënë ekonomia, përkundrazi, edhe Elbasani për shembull, ka shënuar një rritje ekonomike, gati të përafërt me atë të Tiranës, e cila ka edhe peshën kryesore në ekonominë vendase.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: