Teuta bëhet “Shkëmb”, Tirana vijon vallen “samba”

Teuta bëhet “Shkëmb”, Tirana vijon vallen “samba”
Kamza dhe Kastrioti e nisin me ndryshime në stol, Flamurtari në pritje

Ekipet e Kategorisë Superiore, që janë jashtë Europës, thuajse i kanë nisur përgatitjet me ndryshime në stol. Pas Kamzës, Kastriotit, edhe Teuta zyrtarizon trajnerin e ri. Tirana pritet të konfirmojë brazilian Ze Maria, ndërsa Flamurtari nuk ka e ka gjetur ende “timonierin”.

Tirana

Presidenti Refik Halili ka gjetur akordin me trajnerin Ze Maria për të rinovuar kontratën për dy vitet e ardhshme. Braziliani udhëhoqi bardheblutë drejt rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Pas akordit, ai pritet të rinovojë zyrtarisht me ndihmësit që kishte,  Marco Aurelio dhe Rafael Costa. Ndërkohë, Tirana ka ruajtur organikën e sezonit të kaluar.

Kamza

Pietro Vierkvud është emëruar trajneri i ri i Kamzës. Ai është zyrtarizuar pak ditë më parë nga drejtuesit e klubit kryeqytetas, duke zëvendësuar trajnerin që siguroi mbijetesën, Julian Ahmataj. Ish-futbollisti i njohur i Romës dhe i Juves vjen për një eksperiencë në Shqipëri ku si detyrë e parë e pret ringritja e ekipit, pa preukopime në Europë. Sabino Plaku, Erlis Frashëri, Hektor Idrizaj, dhe Taulant Kuqi thuajse i kanë mbyllur hesapet me Kamzën pas mbijetesës.

Teuta

Edhe “djemtë e detit” kanë ndryshuar stol. Gentjan Begeja, i cili mundësoi qëndrimin në Kategorinë Superiore, është larguar nga skuadra. Ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, pas një eksperiencë të shkurtër në Kosovë me Lirinë e Prizrenit u zyrtarizua dje në stolin e Teutës ku si detyrë kryesore ka rindërtimin e ekipit për edicionin e ri futbollistik.

Flamurtari

Pasi mbylli një sezon problematik, jashtë objektivave, Flamurtari ka mbetur zyrtarisht pa trajner. Ardi Behari, trajneri provizor që e mbylli sezonin para kohe pasi u pezullua nga FSHF, është aktualisht trajneri që pret votëbesimin. Megjithatë drejtuesit vlonjatë Beharin e shohin sërish në postin që ai kishte, ndërsa po shohin për alternativën e ardhjes së një trajneri të ri. Disa prej lojtarëve që mbyllën sezonin, për shkak të performancë së dobët, u është afruar një kontratë me zbritje.

Kastrioti

Ekipi tjetër debutues në Kategorinë Superiore, Kastrioti, ndryshoi trajnerin para se të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Krutanët larguan Samuel Nikajn, i cili i ndihmoi në suksesin e fundit për të zyrtarizuar emrin e trajnerit të ri, i cili është një tjetër shkodran, Elvis Plori. Ish-lojtari i Partizanit, Marko Cetkovic, shihet objektiv kryesor i merkatos së Kastriotit.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: