Taksim progresiv për Rrugën e Kombit, biznesi i Kosovës kërkon shtyrje

Publicitet
Taksim progresiv për Rrugën e Kombit, biznesi i Kosovës kërkon shtyrje
“Ne jemi fokusuar në bazë të kontratës tek përdoruesit e shpeshtë. Kemi ndërtuar një logjikë financiare progresiviteti, pra për t’u dhënë një mundësi atyre që e përdorin rrugën. Pra, sa më shumë e përdor rrugën me kalime për kamion le të themi, aq më shumë ke mundësi të ulësh çmimin”, sqaroi lidhur me një fakt të tillë, ministri i Ekonomisë dhe Financave shqiptare, Arben Ahmetaj. 

Sa më shumë të lëvizësh përmes Rrugës së Kombit, aq më shumë ulje do të përfitosh nga taksa që do rivendoset për mirëmbajtjen e saj.

Një taksim progresiv ky, që qeveria shqiptare ka ndërmend të aplikojë në këtë aks rrugor dhe që ua bëri dje me dije vetë përfaqësuesve të biznesit të Kosovës.

Konkretisht, duke dërguar dy ministra të saj për t’u konsultuar nga afër me ta, ajo i ka njohur ata me opsionet e zgjidhjes së kësaj çështje, e cila ka krijuar mjaft debat kohët e fundit.

Ka qenë vetë pala kosovare madje, e cila ditët e fundit ka reaguar duke pohuar se nuk ka asnjë informacion apo sinjal nga pala shqiptare mbi vendimin e ri që po ndërmerr për këtë taksë.

“Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negociuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit. Dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë. ashtu edhe për ata të Kosovës”, tha nga ana e tij, ministri shqiptar i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Duke shtuar se një tarifë duhet, por problemi është sesi ta zbusim dhe ta racionojmë atë.

“Çdo gjë që ulet këtu, prapë e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe këtë duhet ta kuptojmë, pra buxheti i shtetit. Rruga do minimalisht 7 milionë euro në vit për mirëmbajtje dhe kjo shumë do të dalë. Ose do ta paguajnë gjithë shqiptarët, ose përdoruesit e rrugës dhe kjo është e vërteta”, sqaroi gjithashtu ai.

Duke lënë të kuptohet se qeveria shqiptare nuk tërhiqet nga vendimi për të caktuar një taksë ndaj qytetarëve apo bizneseve që kalojnë përmes Rrugës së Kombit, veçse ajo do të jenë më e ulët se më parë, kur edhe u shkaktua një protestë e fortë antiqytetare.

 

Biznesi i Kosovës: Vendoseni të paktën taksën pas sezonit turistik

Nga ana e tij, biznesi i Kosovës ka paraqitur para dy ministrave të Shqipërisë kërkesën që të shtyhet në kohë vendosja e tarifave të reja për taksën e Rrugës së Kombit. Kështu, duke mos dalë kundër faktit se një taksim i tillë i shërben mirëmbajtjes së saj, ai ka kërkuar që të paktën, pala shqiptare t’i tolerojë, duke e vendosur një taksë të tillë pas sezonit turistik. Dhe këtë e argumentuan me faktin se pikërisht gjatë kësaj periudhe, mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ketë më shumë fluks lëvizjesh, jo vetëm pushuesish, por edhe për qëllime biznesi, e kësisoj, pala kosovare të favorizohet nga shteti shqiptar. Gjithashtu, nga ana e përfaqësuesve të biznesit, u hodh edhe ideja që qeveria e Kosovës mund të kontribuojë gjithashtu për të lehtësuar barrën financiare që krijohet nga zbritjet tarifore dhe nevoja për mirëmbajtjen e këtij aksi të rëndësishëm rrugor që lidh dy vendet tona.

 

KOSTOT

Sa i kushton shtetit ulja e taksës?

“Janë gati 48-50 milionë euro që i merr përsipër buxheti i shtetit të Shqipërisë për periudhën e koncesionit, vetëm nga këto ndryshime që po mendojmë të bëjmë”. Kjo ka qenë shifra që ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka dhënë lidhur me uljen e tarifave që do  të paguajnë qytetarët e dy vendeve për kalimin nga Rruga e Kombit. Duke shtuar se “sa më shumë makina, kamionë dhe makina biznesi që të jenë, aq më shumë do paguajë buxheti i shtetit, sepse në finale është garancia që i ofron përmes koncesionit kompanisë koncesionare”. “Lajmi i mirë është se ju nuk do të paguani aq sa mendohej në kontratën e parë. Ne e kemi pranuar se në fund, në kurrizin e buxhetit vjen dhe ne e kemi pranuar. Por ideja është sa kosto do mbajmë dhe a e mbajmë dot atë kosto që themi ta mbajmë, apo jo?! Pra, ky është diskutimi”, theksoi më tej ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: