TAKIMI ME VELIAJN/ Artistët me mendime të kundërta për prishjen e teatrit, debatet

TAKIMI ME VELIAJN/ Artistët me mendime të kundërta për prishjen e teatrit, debatet
Në takimin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, artistët u shprehën kundër prishjes së godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe dhënies së truallit me koncesion privatëve.

Kryetari Veliaj argumentoi, sipas tij, pamundësinë e shtetit për të ndërtuar një teatër të ri dhe tha se kjo ofertë ishte një mundësi për të negociuar.

“Sipas vlerësimeve tona ndërtimi i teatrit shkon 4-5 fishi i një pallati. Me çmimet e Shqipërisë për 9500 m2, kostoja do të shkonte 30 milionë euro. A janë shumë apo janë pak? Të gjitha investimet që ju shikoni në Tiranë në një vit janë në nivelin e 20 milionë eurove. Çdo gjë që ndodh në Tiranë, të gjitha investimet, kopshte, çerdhe, pemë, kanalizime, bujqësia, emergjenca civile, të gjitha kushtojnë kaq. nga viti 2005-2013 janë harxhuar 1.8 miliardë lekë ose 18 milionë USD për kulturën. Nga qeveria e re në 5 vite 15 milionë USD.

Dua tu bëj një ofertë shumë të sinqertë. Nëse jeni dakord që të caktoni një përfaqësi bashkë me mua të mblidhemi dhe të negociojmë. Nuk na pëlqen, e lëmë. Ne na duhet një gjë e re. Se si, hajt ta flasim. Ky nuk është një ligj për të prishur teatrin, nuk është një ligj për të ndërtuar një teatër të ri.  Në na ka ardhur zogu në dorë, siç thonë tironsit. Të bëhemi bashkë dhe të negociojmë me arkitektin. Nëse funksionon amin, nëse nuk funksionon hajde të vrasim mendjen”.

Përfaqësuesi i artistëve, Alert Çeloaliaj, tha se bëhet fjalë për cenim të hapësirës publike dhe të trashëgimisë kulturore.

“Ne jemi kundër prishjes arbitrare të teatrit kombëtar dhe atij eksperimental. Pyetja jonë është: a janë ezauruar të gjitha mënyrat për gjetjen e fondeve?” tha Çeloaliaj.

Artisti i Popullit, Robert Ndrenika u shpreh kundër PPP-së që është propozuar.

"Kam vuajtur shumë gjatë kësaj kohe, kam parë projektin, kam dëgjuar komunitetin, por kam vuajtur me atë partneritetin publik-privat. Sepse e dhashë shtëpinë tek një partneritet publik-privat dhe kam ndenjur tre vjet gjyqeve. Kam vajtur dhe tek ish-ministri i Brendshëm Petro Koçi që nuk ma vari fare...Pra kam vuajtur shumë".

Ndrenika tha se mund të veprohet me restaurim të godinës dhe jo prishje të saj, duke kundërshtuar shifrat e ofruara nga Veliaj.

“Është monument kulture me atë oborrin, pishat...mund të riparohet dhe të dalë i shkëlqyer. Dhe kam bindjen z. Eron se të kanë gënjyer për ato 30 milionë eurot që duhen, se maksimumi mund të duhen 10 milionë euro”, tha Ndrenika.

Edhe aktori tjetër i mirënjohur, Artisti i Popullit Reshat Arbana, bëri thirrje të tregohet kujdes me projektin e propozuar.

“Kullat do të duken sikur do të na bien mbi kokë”, tha Arbana.

Aktori Arben Derhemi tha se nuk do të lejohet të preket qoftë edhe një centimetër nga godina.

“Ne nuk cedojmë që çdo centimetër i teatrit kombëtar, është vend i shenjtë. Ai nuk do të cënohet, e ka thënë edhe Ndrenika është Jeruzalem. Aty fillon dhe aty mbaron konsensusi me ne. Në rast se bisedimet fillojnë në momentin që territori nuk cënohet, ne aty po deshe ulemi dhe hamë ndonjë darkë e pimë ndonjë gotë verë. Sa për tironsit, tironsit duhet të kenë një identitet. Kullat 40 katëshe dhe 60 katëshe, janë mungesë kulture dhe mungesë vizioni”, tha Derhemi.

Por në dëgjesë nuk munguan edhe zërat pro projektit të ri.

“Në atë teatër në dimër ndërpriten shfaqje, se aktorët shkojnë me 42 temperaturë në shtëpi nga të ftohtët, është një hu e gjithë ajo godinë, që nuk përfaqëson as emocionet që na ka falur Margarita Xhepa, as Ndrenika. Kujtesa emocionale e një populli ka të bëjë me gjuhën, ajo nuk kultivohet në një kapanon ku akustika nuk i lejon aktorët të dëgjohen te radha e fundit dhe detyrohen të ulërasin... Nuk është teatri i tironcve, por i Shqypnisë lale, se racizmi që përdoret këtu është shumë më i frikshëm se ai që jam përballuar unë andej. Teatri që u ndërtua në Athinë kushtoi 600 milionë euro, nëse doni një teatër me 30 milionë euro, mos e bëni, ne duam të rrimë aty, të vuajmë nga tuberkulozi”, tha aktori Laert Vasili.

“Jam për teatër të ri me të gjitha përmasat që i takon një teatri nacional shqiptar, por që të kemi këtë teatër mua nuk më vjen mirë që ne si artistë harrojmë gjënë kryesore dhe merremi me llaçin dhe tullat, ka kush përgjigjet për llaçin dhe tullat, për betonin e të tjerë, ne si artistë duhet të shtojmë forcat për betonin artistik, llaçin artistik”, tha një tjetër emër i shquar i skenës, Artisti i Popullit Luftar Paja.

Pro teatrit të ri u shpreh edhe regjisori Altin Basha, por edhe ai ishte kundër projektit me kullë.

“Propozimi që bëhet, na jep 3 salla nga 5 që janë tani. I gjithë brezi i vjetër ka kërkuar teatër të ri. I gjithë brezi i vjetër është ankuar për problematikat e teatrit. Ideja e një teatri të ri duhet parë dhe duhet diskutuar. Teatri i ri do të ishte një investim për brezin e ri për gjithë vitet e ardhshme. Nga ana tjetër kemi një problemi financiar, kjo është një çështje që duhet ta zgjidhni ju. Nëse nuk e zhvilloni dot, atëherë rikonstruktojeni dhe të bëhet i ri kur të kemi lekë si vend. Kemi shembullin e Kinema Republikës, ku tha se do ndërtohej kinema dhe u bë kullë. Kinema 17 nëntori u bë kullë. A keni mundësi si shtet ta ruani këtë territor? A e merrni dot këtë gjë përsipër? Nëse biseda fillon sot dhe jemi në pikën ku keni paraqitur një projektligj për të cilin juristët kanë rezerva, takimi sot bëhet në frymën e mosbesimit. Paratë për Turbinën dhe Operën i kishit. 5 milionë thuhet se bën rikonstruksioni i Teatrit, hajde ta provojmë mos i gjejmë këto donacione”, tha Basha.

Në takimin që zgjati rreth dy orë e gjysmë folën edhe artistë të tjerë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: