Tabela, sa rriten pensionet që nga 1 korriku

Tabela, sa rriten pensionet që nga 1 korriku
Këshilli i Ministrave ka vendosur që nga data 1 korrik, pensionet do të indeksohen me 2.8%. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1.5 miliardë lekë

Sonila Isaku

Qeveria ka miratuar rritjen prej 2.8% të pensioneve. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është vendosur që, nga data 1 korrik pensionet do të indeksohen me 2.8%. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë, pas përfundimit të mbledhjes së mbajtur në qytetin e Durrësit. “Sot, në këtë mbledhje, kemi bërë një hap tjetër shumë të vogël, por jo të pandjeshëm për 665 mijë pensionistë. Kemi rritur pensionet mbi inflacionin. Nëse do t’i referoheshim shifrave, kemi vendosur 15 mln dollarë plus në atë paketën e pensioneve me 2.8%. Duke nisur nga data 1 korrik” - ka pohuar Rama.

Nga ana tjetër, ky projektvendim ka për qëllim të mbajë në nivele optimale vlerën reale të pensioneve dhe të përfitimeve të tjera sociale, duke rikuperuar e rimbursuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve, ku theksohet se, rritja e çmimeve është 2.8%. Indeksimi i masës individuale të pensioneve, të fillojë efektin financiar nga data 1 korrik 2018 dhe të përfshijë të gjitha përfitimet që janë caktuar e vazhdojnë të paguhen, si dhe ato përfitime që nuk janë në proces përllogaritjeje dhe caktimi.

Me miratimin e këtij projektvendimi realizohet rritja e të ardhurave për rreth 650 mijë persona, nga të cilët rreth 629 mijë marrin pensione aktualisht, por edhe për rreth 18-20 mijë persona që do të shtohen në skemën e pensioneve e të përfitimeve të tjera, deri në fund të këtij viti. Rritja do të zbatohet nga data 1 korrik 2018.

Kush përfiton

Vendimi i qeverisë i miratuar gjatë ditës së djeshme, ka përcaktuar edhe të gjitha kategoritë e pensioneve të cilat do të përfitojnë rritjen prej 2.8%. Kështu pensionet sociale, pensionet e invaliditetit, punonjës të minierave, ndërmarrjeve ushtarake, pensionistët të cilët mbushin moshën dhe vjetërsinë në punë sipas procedurave të parashikuara në ligj, pensionet e ish-ushtarakëve, ish-oficerëve, akademikët, lundruesit do të jenë përfitues të rritjes së pensionit. Por edhe pensionet e caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009, ku përfitues janë kategori të tilla si ish-punonjës të Forcave të Armatosura, punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm etj.

Masa e pensioneve

Por krahas rritjes me 2.8%, ky vendim i qeverisë përcakton edhe masën e pensionit minimal. Kështu, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt të nenit 96 të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr. 150/2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 13 378 lekë në muaj dhe më shumë se 26 757 lekë në muaj. Sa i takon pensioneve të plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 9 161 lekë në muaj, por jo më shumë se 13 378 lekë në muaj. Sa i takon masës së pensionit të parakohshëm që nga data 1 korrik 2018, nuk do të jenë më pak se 13 378 lekë në muaj.

Ndërkohë që, me vendim të qeverisë rritje pësojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, e thënë ndryshe shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 028 lekë në muaj për pensionet e pleqërisë, deri në 14 528 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare; deri në 9 851 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Po kështu, pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund te jenë me të vogla se 15 528 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 27 257 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë me të vogla se 10 051 lekë në muaj ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 lekë në muaj.

Kontributet

Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë edhe ata të moshuar që dalin në pension pas muajit korrik 2018. Kjo do të thotë se, përfitohet një shtesë nga formula që llogariten sot pensionet. “Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit u jepet gjithë personave të siguruar; b) Shtesa që u jepet personave të punësuar, është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributeve; c) Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi”, - thuhet në ligjin e sigurimeve shoqërore.

Tabela

Ishte                                        Shtesa                                     Bëhet

9.579 lekë                                            268                                          9.847 lekë

12.360 lekë                                          346                                          12.706 lekë

14.420 lekë                                          403                                          14.823 lekë

15.450 lekë                                          432                                          15.882 lekë

16.480 lekë                                          461                                          16.941 lekë

17.510 lekë                                          490                                          18.000 lekë

18.540 lekë                                          519                                          19.059 lekë

19.570 lekë                                          547                                          20.117 lekë

20.600 lekë                                          576                                          21.176 lekë

22.660 lekë                                          634                                          23.234 lekë

24.720 lekë                                          692                                          25.412 lekë

 

Ndryshimet e masës së pensioneve sipas kategorisë

  1. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 13 378 lekë në muaj dhe më shumë se 26 757 lekë në muaj.
  2. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 9 161 lekë në muaj, por jo më shumë se 13 378 lekë në muaj.
  3. Pensionet e parakohshme, me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13 378 lekë në muaj.
  4. Përfituesit e pensioneve të caktuara pas datës 1.7.2018, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit me 2.8%, janë:

-deri në 15 028 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr. 150/2014;

-deri në 14 528 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;

-deri në 9 851 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993,

  1. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 028 lekë në muaj.

  1. Pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund te jenë me të vogla se 15 528 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 27 257 lekë në muaj.
  2. Pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë me të vogla se 10 051 lekë në muaj ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 lekë në muaj.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: