Suksesi i volejbollit të femrave, Malvina Tuci: Jo rastësisht jemi 6 mirditore në ekipin kombëtar

Suksesi i volejbollit të femrave, Malvina Tuci: Jo rastësisht jemi 6 mirditore në ekipin kombëtar
Intervista/Flet Malvina Tuci, volejbollistja e Kombëtares shqiptare të volejbollit pas suksesit historik në Ligën e Europës. “Receta” sesi duhet të arrijnë suksesin sportet e tjera

Asgjë nuk vjen nga rastisa, sidomos suksesi. Kombëtarja shqiptare e volejbollit të femrave në këtë edicion të Ligës së Europës ka arritur deri tani 5 fitore dhe një humbje në Grupin B, duke u kualifikuar si vendi i dytë dhe duke prekur gjysmëfinalet. Një sukses historik që i dedikohet kryesisht vajzave kuqezi, të cilat përballë Izraelit, Gjeorgjisë dhe Austrisë, treguan se ishin të denja të përfaqësojnë denjësisht dhe me sukses fanellën kuqezi. Madje ky sukses duhet theksuar se rizgjoi papritur krenarinë kombëtare, duke qenë se gjatë dy dekadave të fundit sportet dikur popullore si volejbolli dhe basketbolli nuk po arrinin të konkurronin në arenën ndërkombëtare. Malvina Tuci, prej vitesh pjesë e Kombëtares shqiptare të volejbollit të femrave, flet në një intervistë për “Albanian Free Press” mbi këtë sukses, për të cilën ajo shpreson të vazhdojë edhe në Suedi. Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet më 16 qershor me Suedinë organizatore të fazës finale, ku në të njëjtin grup bën pjesë edhe Austria me Letoninë:

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Aranit Muraçi

Malvina, si ka nisur pasioni juaj për volejbollin, në një kohë kohë të vështirë që po kalonte ky sport në Shqipëri?

Fillimet e mia të volejbollit kanë nisur me grumbullimet e para në klasat sportive. Spikata fillimisht edhe nga fakti se zysha ime e fizkulturës në shkollë më veçoi nga shtatëlartësia. Dhe prej nga ajo kohë pasioni vazhdoj të rritej dita-ditës, deri sa sot është kthyer në një profesion. Kohë e vështirë! Nuk mund të them, pasi bëhet fjalë para 15 viteve më parë dhe atëherë unë isha e vogël. Thjesht dija se po merresha me një sport, por pa e ndjerë shumë vështirësinë e atyre viteve.

Ju jeni nga Mirdita, qytet që ka nxjerrë dhe ka aktualisht ndër volejbollistet më të mira shqiptare. Si e shpjegoni këtë fakt?

Unë jam nga Mirdita. Fakti edhe pse duke qenë një qytet i vogël dhe me gjallërinë e vetme ndaj këtij sporti si volejbolli, bëri që të dalin shumë volejbolliste të mira në Shqipëri. Kjo falë edhe cilësive fizike, pasi të gjitha vajzat tona kanë një shtatëlartësi që i ndihmon në këtë sport si dhe shpirti garues e luftarak. Kjo  duket nga prezenca e 6 lojtareve mirditore në ekipin kombëtar. (Qesh)

Për ecurinë dhe karrierën tuaj në Shqipëri, cilin do të veçonit si momentin më të mirë?

Si lojtare kam patur fatin të shpallem disa herë kampione dhe të luaj gjithmonë në ekipe pretendente. Ky fakt ka qenë fat për mua... Në karrierën time ka patur shumë momente të bukura, por momenti më i bukur që gjithmonë e kam veçuar dhe vazhdoj ta them, ka qenë viti  2012, kur ne vinim nga një titull kampion i fituar dhe pastaj skuadra pati ndryshime dhe ngelëm vetëm 8 vajza. Atë vit thjesht donim të mbaronim vitin. Bëhet fjalë për ekipin e Minatorit me trajner Hasan Gurabardhi, i cili na mori vetëm në ndeshjet “play-off” dhe arritëm të shpalleshim kampione të Shqipërisë. Pra ishim vetëm 8 vajza ku vetëm për titull nuk mund të flitej atë vit. Ishte ndjesi shumë e bukur dhe një emocion tepër i veçantë.

Ndërkohë, jeni pjesë e Kombëtares se volejbollit që sapo arriti një sukses historik. Ku besoni se qëndron forca e një ekipi si ju, që triumfoi ndaj ekipeve si Gjeorgjia, Izraeli, apo Austria?

 

Forca është tek grupi që kemi krijuar me njëra-tjetrën. Besimi në vetvete si dhe vlerësimi maksimal që kemi në çdo ndeshje. Jemi një grup gocash me eksperiencë shumë vjeçare, si dhe kampione të Shqipërisë. Po mundohemi të lidhemi shumë mirë me njëra-tjetrën që çdo gjë të funksionojë në mënyrën e duhur. Edhe puna e palodhur e tre  trajnerëve tregon shumë.

Një ekip që di të fitojë gara ndërkombëtare, çfarë mesazhi apo leksioni ka për ata që nuk dinë apo thjesht mjaftohen me përfaqësimin?   

Mendoj që duhet të besojmë tek vetja më shumë dhe duhet të mundohemi të japim më të mirën, sepse në kombëtare sportisti merr një tjetër peshë, e cila vjen vetvetiu. Qoftë edhe nga fanella që mban veshur, përgjegjësia është më e madhe kur flitet për ekip kombëtar.

A keni pasur të paktën tani mbështetjen e duhur, duke qenë se volejbolli është fatkeqësisht një sport i harruar në vendin tonë?Padyshim që kemi pasur mbështetje maksimale nga ana e Federatës në çdo lloj aspekti, i cili fillon që me grumbullimin që po organizohet në kushtet e duhura, deri te stërvitja, udhëtimet etj. Çdo gjë është trajtuar me kujdes, duke na e bërë dhe më të lehtë misionin tonë, pasi kështu ndodh kur funksionojnë më mirë hallkat që të shpien drejt suksesit.

Cilët janë njerëzit që ju mbështesin më tepër në karrierë, apo edhe në udhëtimin tuaj?

Pa diskutim familja, që për mua është thesari im. Më mbështesin në çdo hap që unë hedh. Pa ato nuk do isha kjo që jam sot. Përkrahjen gjej edhe nga njerëzit e mi të dashur, miqtë.

Volejbolli ju merr kohë, në një ditë të zakonshme. Po impenjime apo ndonjë pasion tjetër keni?

Të them të drejtën e gjithë dita ime ikën vetëm duke iu përkushtuar sportit. Në sezonin e kampionatit jam më shume e impenjuar, si në stërvitje, palestër dhe fundjavave vijnë ndeshjet. Paraditja kalon në punë, pasi përveç sportit punoj edhe si mësuese e Edukimit Fizik. Kështu që harrojmë të veshim dhe xhinset ndonjëherë (qesh). Pasioni im ? Kam shumë (qesh), por mund të veçoj kinematografinë.

Karriera juaj, në sezonin e ri do të mbetet në Shqipëri...

Kam oferta në Shqipëri dhe jashtë saj. Por është ende herët për të folur. Jam në mendim e sipër.

Karriera e Malvina Tucit:

2005-12: Minatori

2012-13: UMB (Universiteti Marin Barleti)

2013-15: Partizani

2015-18: UMB

Sukseset

2010-11: Fituese e kupës së Republikës (Minatori)

2010-12: Dy herë kampione e Shqipërisë (Minatori)

2015-16: Kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Republikës, fituese e kupës së Federatës (UMB)

2016-17: Kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Republikës, fituese e kupës së Federatës (UMB)

Për ndeshjet e radhës

“Më 16 qershor ndaj Suedisë? Shpresoj pse jo të marrim trofeun!”

Pas suksesit që shënoi në Ligën e Europës duke kaluar grupin, Kombëtarja shqiptare e volejbollit të femrave kërkon trofeun.  Më 16 qershor përballë do të ketë Suedinë. “Shumë shpejt nisemi për në Suedi, në Nyköping ku më 16 dhe 17 qershor do të luhen ndeshjet më të rëndësishme të Ligës Europiane. Më 16 qershor luajmë ndaj Suedisë. Prandaj tani vëmendja, vlerësimi dhe impenjimi është akoma më i madh. Ne do të japim maksimumin tonë dhe shpresoj pse jo të marrim trofeun,” – thotë Malvina Tuci. Shqipëria ndodhet në një grup edhe me Austrinë e Estoninë.

Karriera e Malvina Tucit:

2005-12: Minatori

2012-13: UMB (Universiteti Marin Barleti)

2013-15: Partizani

2015-18: UMB

Sukseset

2010-11: Fituese e kupës së Republikës (Minatori)

2010-12: Dy herë kampione e Shqipërisë (Minatori)

2015-16: Kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Republikës, fituese e kupës së Federatës (UMB)

2016-17: Kampione e Shqipërisë, fituese e Kupës së Republikës, fituese e kupës së Federatës (UMB)

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: