Stina e nxehtë, çfarë ushqimesh duhet të konsumojmë

Stina e nxehtë, çfarë ushqimesh duhet të konsumojmë
Vera duhet të na bëjë me vigjilentë ndaj ushqimit dhe ruajtjes së tij. Ekspertët e sigurisë ushqimore në Institutin e Shëndetit publik, sugjerojnë llojet e ushqimeve që duhet të konsumojmë për të shmangur problemet që lidhen me helmimet

Sonila Isaku

Temperaturat e larta të verës vijnë bashkë me rrezikun e kontaminimeve të ushqimeve. Duhet të bëjmë kujdes në atë çka konsumojmë dhe rekomandimi i parë që bën ekspertja e Shëndetit Publik, Jolanda Hyska, është konsumimi minimalisht i dy litrave ujë në ditë. Sipas saj, vera është një nga sezonet kryesore, e cila na jep shumë fruta dhe perime me bollëk, me ngjyra e shije të ndryshme, të pasura me vitamina, minerale e lëndë ushqyese, që janë shumë të rëndësishme për trupin, por sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës. Gjatë muajve të nxehtë, rekomandohet të konsumohen vakte me ushqime të freskëta dhe shumë të tretshme, sepse ato ndihmojnë trupin të përballojë më mirë këtë periudhë të stresit të metabolizmit.

Rritje e djersitjes në fakt, mund të shkaktojë mangësi të vitaminave, mineraleve, e mikroelementeve që shtojnë përkeqësimin e lodhjes së përgjithshme. Përveç kësaj, trupit, për ruajtjen e temperaturës, i duhet të nxisë vazodilatacionin, avullimin dhe rritjen e qarkullimit të gjakut në lëkurë në dëm të traktit gastrointestinal, duke shkaktuar kështu tretje të ngadaltë dhe të vështirë.

Ndryshimi i trupit

Gjatë verës organizmi i njeriut përballet me disa ndryshime ndaj të ngrënit, të cilat lidhen me të nxehtit, si oreks i ulur, etje e madhe, gjendje këputjeje dhe ulje e aftësisë tretëse. Lëkura ndihmon organizmin në eliminimin e toksinave. Për të ndihmuar mbrojtjen natyrale të lëkurës, flokëve, thonjve, ose dhe kundër “stresit nga dielli”, disa ushqime nuk duhet të mungojnë në tryezë. Dietat e varfra me elemente ushqyes ose me pak kalori para se të shkohet në plazh, ndikojnë negativisht në lëkurë, flokë dhe thonjtë, duke i bërë më të thatë. Flokët bien më shpejt, etj. Ndaj, jo dieta drastike!

Dieta

Edhe gjatë verës dieta duhet të jetë e shëndetshme, e ekuilibruar dhe e pasur me vitamina e kripëra minerale. Frutat dhe perimet janë burim i vitaminave, acidit folik dhe vitamina të tjera nga grupi B, vitaminën C dhe karoten.

Vitamina antioksidante A, C, E, parandalojnë plakjen e parakohshme të lëkurës, lejojnë thithjen e betakarotenit dhe marrin pjesë në ripërtëritjen e epidermës.

Vitamina A - Antioksidanti më i rëndësishëm për shëndetin dhe bukurinë e lëkurës, ndodhet në ushqime me origjinë shtazore si qumështi, djathërat.

Vitamina C - Merr pjesë në formimin e kolagjenit, siguron elasticitetin dhe ka efekt antioksidant. Gjendet në agrume, brokoli, lakra, luleshtrydhe, kivi, speca, domate, radhiqe, spinaq.

Vitamina E - Ndihmon shumë në mbrojtjen e dëmeve nga rrezet ultraviolet dhe shpesh shtohet në kremrat mbrojtës. Gjendet në vajrat vegjetalë, vaj luledielli, misri, ulliri, por edhe në lajthi, arra, bajame, etj. Betakarotenoidet janë antioksidantë, por edhe nxisin prodhimin e melaninës, pigmentit përgjegjës për ngjyrën e lëkurës. Konsumimi i karotave, zarzavateve të pasura me vitaminë A ose betakaroten, bën që të depozitohen disa ngjyrues në lëkurë të cilët, duke u bashkuar me melaninën, e shtojnë ngjyrën e lëkurës. Karotenoidet - nëse organizmi ka nevojë - i kthen në vitaminë A. Karotenoidet ndodhen në ushqime bimore si kajsia, brokoli, karota, sallata jeshile, pjepri, domatet, spinaqi, kungulli dhe speci i kuq. Ushqimet që përmbajnë Vitamina PP, qetësojnë skuqjet e shkaktuara nga djegiet (peshku, veza, etj).

Frutat dhe zarzavatet

Frutat dhe zarzavatet janë të mirëpritura në verë për freskinë e tyre, për vlerat kalorike modeste dhe kënaqësinë që i japin organizmit. Por, duhet të kini parasysh se, ushqimet që përmbajnë këto vitamina, duhen ngrënë të pagatura, të freskëta, pasi të gatuara humbasin vlerat e tyre!

Temperaturat e larta gjatë verës, shoqërohen edhe me infeksione e intoksikacione ushqimore, si rezultat i higjienës personale të ulët, nga ngrënia e zarzavateve të gjalla, i ushqimeve të pagatuara ose të pakonservuara, në mënyrë të drejtë ose edhe nga përdorimi i ushqimeve të skaduara, ushqimeve që nuk gatuhen në mënyrë korrekte, ose të ringrohura në mënyrë jo korrekte, etj.

Këshilla

Çfarë duhet të konsumoni? Të paktën, pesë porcione të përditshme me fruta e perime të freskëta. Perimet dhe frutat nuk duhet të mungojnë asnjëherë në tryezë. Frutat dhe zarzavatet janë të mirëpritura në verë për freskinë e tyre, për vlerat kalorike modeste dhe kënaqësinë që i japin organizmit.

Pini në mënyrë të bollshme: ujë, çajra ose lëngje të freskëta frutash, të paktën 2 litra në ditë ose më shumë. Uji është elementi ushqyes më i rëndësishëm dhe në mot të nxehtë, humbet një sasi e madhe uji, si me djersën edhe me ajrin që nxjerrim; ndaj, nevoja për ujë është më e madhe. Përdorni sheqerna me fibra si, drithërat dhe produktet e tyre.

Kufizoni ose elimino

Përdorimin e ujit shumë të ftohtë, lëngjeve të gazuara, pijeve alkoolike dhe kafesë. Shmangi ngrënien e ushqimeve të nxehta ose pikante. Të shmangen sa të jetë e mundur, të gjitha ushqimet e pasura në yndyra, si ushqimet e skuqura dhe të përpunuara shumë, pasi ngadalësojnë procesin e tretjes. Por yndyrat nuk mund të hiqen plotësisht, sepse ato sjellin substancat esenciale për strukturën e membranave qelizore, për transportin dhe absorbimin e vitaminave të shumta, për shembull vaji i ullirit.

Shmangni sa të jetë e mundur, sheqernat e thjeshta! Shmangni sa të jetë e mundur, ushqimet e përpunuara, të konservuara, të cilat përmbajnë shumë yndyrë shtazore, dhe përdorni djathin me yndyrë të ulët, pulë, lepur e shumë peshk.

Infeksionet

Si mund t’i shmangim infeksionet dhe intoksikacionet? Ajo çka është më e rëndësishme dhe duhet të kihet parasysh, ka të bëjë me kujdesin që duhet treguar në blerjen e ushqimeve. Lexoni datën e skadencës! Lani me ujë të pastër e të rrjedhshëm të gjitha frutat dhe zarzavatet. Lani duart para e pas ngrënies dhe para përgatitjes së ushqimit. Ruani produktet ushqimore në temperaturat e duhura ose në vende të freskëta. Dhe më shumë rëndësi ka të gatuani ushqimin në mënyrë korrekte e ringrohini në temperaturën e duhur.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: