Spanja në botëror, si një “makinë pa frena”  

Spanja në botëror, si një “makinë pa frena”  
Mund të konsiderohen Brazili dhe Gjermania favorite kryesore për fitimin e trofeut, por për Spanjën  që vjen pas tyre, askush nuk guxon të thotë se nuk është në gjendje të ngrejë trofeun 

Aranit Muraçi

Spanja është një vend me histori të madhe në futbollin botëror. Në vitin 1934 spanjollët bënë edhe debutimin e tyre në finalet e Kupës së Botës. Ndonëse Real Madrid kishte dominuar kompeticionin Champions League, që në fillimet e saj, për shkak të probleme etnike, Spanjës iu deshën dekada të tëra për të fituar trofeun më të rëndësishëm sportiv në botë, atë të Kupës së Botës. Pas vendit të katërt që zuri në Brazil 1950, Spanja preku finalen tetë vite më parë, duke ngritur edhe trofeun, ndonëse përballë kishte Holandën, tre herë finaliste dhe asnjëherë fituese e Kupës së Botës.

Rikthimi i Spanjës

Në vitin 2014, Spanja ishte një zhgënjim i madh, në atë që u konsiderua edhe si “fatkeqësia e botërorit”. Kampionët e botës u shpërfytyruan që në ndeshjen e parë nga Holanda, 5-1, ekipin që kishin mundur në finalen e botërorit të Afrikës së Jugut, 2010, me një gol të vetëm që realizoi Iniesta, pas kohës shtesë. Humbja 2-0 me Kilin vulosi dështimin e “iberikëve”, që me eliminimin e turpshëm krijuan përshtypjen se mbyllën epokën e tyre të artë. Spanja nuk la gjurmë as në Euro 2016, për të rikthyer bindëse në kualifikueset e kaluara, në lojë e rezultat, e për t’u rreshtuar në finalet e Euro 2022, si një prej tre ekipeve favorite pas Brazilit e Gjermanisë. Sportdashësit shqiptarë ishin dëshmitarë të magjisë së futbollit që shpalosi Spanja në kualifikueset e fundit, pasi ajo ndodhej në të njëjtin grup me Shqipërinë, Italinë, Izraelin, Maqedoninë dhe Liktenshtejnin. Spanja për kreun e grupit kishte si rivale Italinë, ndaj së cilës barazoi jashtë dhe fitoi 3-0 në shtëpi. Kombëtarja e Shqipërisë në humbjen e parë 2-0, në “Loro Boriçi”, nuk pati mundësi as të organizonte një aksion ndaj Spanjës. - “Ata sikur kishin lindur me topin”, pranoi mesfushori Ledian Memushaj, pas ndeshjes. Pasi dominoi grupin dhe preu biletën në botëror, Spanja barazoi në një miqësore të fundit me Gjermaninë, si dhe shkatërroi Argjentinën, 6-1.

Trajneri me idetë e tij

Julen Lopetegui, i cili iu bashkua Spanjës pas zhgënjimit në finalet e Kupës së Botës 2014, kur zëvendësoi Vicente Del Bosque, nisi të bënte gradualisht ndryshime në ekip, duke kombinuar lojtarë të rinj me ata që kishin eksperiencë. Një trajner që kishte fituar eksperiencë me kombëtaret U-21 dhe U-19 të Spanjës, do të drejtojë për herë të parë ekipin e të rriturve në një aktivitet madhor si Kupa e Botës. Stili i lojës që ai ka praktikuar ka ndryshuar nga botërori i kaluar nga skema  4-3-3 te skema 4-5-1. Ai i ka vendosur më mirë lojtarët që luajnë në krah, të cilët kur dalin në sulm, befasojnë çdo kundërshtar. Në kualifikuese provoi se ka ndërtuar një ekip të frikshëm. Brazili dhe Gjermania e dinë më mirë forcën e këtij ekipi.

Forca&dobësitë

Forca kryesore është stili dhe taktika unike e të luajturit nga ana e lojtarëve spanjollë. Boshti i Spanjës përbëhet nga lojtarë që luajnë me dy klube, Real Madrid e Barcelona, që po dominojnë tërësisht vitet e fundit kompeticionin Champions League. Gerard Pique e Sergio Ramos, shtyllat e mbrojtjes, i japin ekipit më shumë forcë fizike e psikologjike për të përballuar sulmet kundërshtare. Zgjedhjet e Lopetegui, nëse ai gjen balancat e duhura, mund të kthejnë Spanjën në një forcë vërtetë të madhe gjatë këtij botërori. Sergio Busquets kaloi një periudhë dëmtimi, por premton të rikthehet në finalet e botërorit. Alvaro Marota, ndonëse një sulmues cilësor, u la jashtë planeve të trajnerit që ka luksin të zgjedhë. Ai i besoi  eksperiencës së Diego Costa, për të cilin do të jetë edhe një sfidë personale paraqitja në finalet e “Rusi 2018”.

Lojtarët kryesorë

Disa nga lojtarët e jashtëzakonshëm të “gjeneratës së artë” si ish-kapiteni, David Villa, golashënuesi kryesor i Spanjës, janë tërhequr. Xavi Hernandez e Xabi Alonso nuk janë më pjesë e kombëtares, ashtu sikurse Fernando Torres e Carlos Puyol, të cilët ishin emrat e mëdhenj të ekipit që dhuroi spektakël dhe fitoi plot klas dy aktivitetet e mëdha sportive pak vite më parë: Euro 2008 dhe Afrika e Jugut 2010. Por Spanja ka të tjerë, ajo nuk shteron. Sergios Ramos është ai, që i jep garanci Spanjës që trofeun ta fitojë sërish. Ramos vjen si fitues tre herë radhazi i Champions me Realin, është siguria dhe besimi i një ekipi. Është lojtari i dytë që ka zhvilluar më tepër ndeshje me përfaqësuesen, i fortë, i zoti dhe një mbrojtës gati perfekt. Ai është në gjendje që kundërshtarin ta mbajë larg zonës e madje të luajë me nervat e tij. Messi e Ronaldo, dy lojtarët më të mirë sulmues të Kupës së Botës, e dinë se çdo të thotë të kesh përballë një ekip që ka në mbrojtje një lojtar si Ramos. Andreas Iniesta, kapiteni dhe mesfushori i qendrës së Barcelonës që shënoi golin e fitores së finales së Kupës së Botës 8 vjet më parë, është një tjetër element i rëndësishëm me mentalitet dhe potencial të jashtëzakonshëm prej fituesi.

Ai që duhet parë

Isco, ylli i Real Madrid, i cili luan si mesfushor me tipare prej sulmuesi, tregoi në kualifikueset ndaj Italisë se është një lojtar që mund të shpërthejë në botëror, i cili realizoi 11 gola, numri më i lart i golave nën drejtimin e trajnerit Lopetegui. Marco Asensio, ylli tjetër i Real Madrid, mund të rezultojë një lojtar që mund të ndryshojë po ashtu rrjedhën e lojës në Rusi.

Spanja, ekipi i Rusi 2018

Portierë: Kepa Arrizabalaga, David De Gea, Pepe Reina

Mbrojtës: Jordi Alba, Nacho Monreal, Cesar Azpilicueta, Dani Carvajal, Nacho, Alvaro Odriozola, Gerard Pique, Sergio Ramos

Mesfushorë: Marco Asensio, Sergio Busquets, Andres Iniesta, Isco, Koke, Saul Niguez, David Silva, Thiago Alcantara, Lucas Vazquez

Sulmues: Iago Aspas, Diego Costa, Rodrigo

 

Spanja, në botërorët e kaluar

1934 – Çerekfinalet

1950 – Vendi i 4-ët

1962 – Faza e Grupeve

1966 – Faza e Grupeve

1978 – Faza e Grupeve

1982 – Faza e Grupeve

1986 – Çerekfinalet

1990 – Raundi i 1/16-ve

1994 – Çerekfinalet

1998 – Faza e Grupeve

2002 – Çerekfinalet

2006 – Raundi i 1/16-ve

2010 – Kampion

2014 – Faza e Grupeve

 

Botërori rus, dominimi spanjoll

Pothuajse të gjitha ekipet pjesëmarrëse në botëror kanë lojtarë që luajnë në Spanjë, madje edhe lojtarët kryesorë të ekipeve të tjera pretendentë kanë luajtur ose luajnë në Spanjë. Ky është një tregues që flet qartë mbi dominimin e futbollit spanjoll në botë:

Gjermania: ter Stegen (Barcelona), Kroos (Real M)

Argjentina: Mercado (Sevilla), Banega (Sevilla), Messi (Barcelona)

Belgjika: Thomas Vermaelen (Barcelona), Adnan Januzaj (Real Sociedad)

Brazil: Marcelo (Real M), Luis (Atletico M), Paulinho (Barcelona), Casemiro (Real M), Coutinho (Barcelona).

Kolumbia: Mina (Barcelona), Mojica (Girona), Lerma (Levante), Sánchez (Espanyol), Bacca (Villarreal), Muriel (Sevilla).

Kosta Rika: Navas (Real M), Duarte (Espanyol), Borges (Deportivo), Campbell (Betis)

Kroacia: Vrsaljko (Atletico M), Modric (Real M), Ivan Rakitic (Barcelona), Mateo Kovacic (Real M).

Denimarka: Kjaer (Sevilla), Deli (Deportivo), Sisto (Celta)

Franca: Varane (Real M), Umtiti (Barcelona), Hernandez (Atletico M), N'Zonzi (Sevilla), Dembele (Barcelona), Griezmann (Atletico M).

Portugalia: C. Ronaldo (Real M), Guedes (Valencia).

Uruguai: Gimenez (Atletico M), Godin (Atletico M), Stuani (Girona), Suarez (Barcelona), Gómez (Celta).

Shpërndajeni me miqtë tuaj: